Zbulohet teksti i lashtë hebraik, nga fragmetet e Qumran
R. SH. - Vatikan
Besohej se nuk kishte asnjë informacion të shkruar mbi fragmentet e vogla të rrotullave të Qumran (Kumran), që i përkasin Koleksionit Reed e ruhen pranë John Rylands Library, në Manchester. Por, pas një analize, realizuar me teknikat më moderne të fotografisë nga një grup studiuesish, në sipërfaqen e fragmenteve të vogla, të nxira nga lagështira e dymijë vjetëve, u dukën në mënyrë të padiskutueshme shkronjat e alfabetit hebraik e, me ta, edhe teksti, që shpjegon si duhet jetuar Shabbat, e Shtuna, ditë pushimi për Hebraizmin. Është tekst halakhico, domethënë, me natyrë juridike, që përkon plotësisht me kohën e Jezusit. Fragmentet, prej lëkure bagëtije, ka shumë mundësi të jenë pjesë e pergamenave të gjetura në shpellën n. 4 të shkretëtirës së Judës, vend me klimë shumë të thatë, por që gjatë vitit ndërpritet nga shira të rrëmbyera.
Jashtëzakonisht emocionues, për dijetarët, çasti kur arritën të lexojnë çka ishte shkruar në ato copa lëkure. Iu duk si të jetonin në kohën e Krishtit. Në të shtunat e dymijë vjetëve më parë, në ato vise, që u bënë për mbarë njerëzimin, viset e shëlbimit.
Kujtojmë se Rrotullat e Qumran-it u gjetën ndërmjet 900 dorëshkrimeve të Detit të Vdekur, në vitet 1947-1956 brenda shpellave 12 kilometra në jug të Jerikos. Shkrimet, në gjuhën aramajke, hebraishte e greqishte, duhet të jenë shkruar ndërmjet viteve 150 para Krishtit e 70 pas Krishtit. Janë tekste biblike, dorëshkrime apokrife, dorëshkrime sektare. Ky zbulim konsiderohet si një nga më të rëndësishmit e epokës moderne.