Kërko

 Zbulohen fragmente të shkruara të Qumran Zbulohen fragmente të shkruara të Qumran 

Zbulohet teksti i lashtë hebraik, nga fragmetet e Qumran

Udhëzimet për mënyrën si duhej jetuar Shabbat apo e Shtuna në kohët e Jezusit. U zbuluan në copëzat e Rrotullave të Qumran, që po studiohen nga dijetarë ndërkombëtarë.

R. SH. - Vatikan

Besohej se nuk kishte asnjë informacion të shkruar mbi fragmentet e vogla  të rrotullave të Qumran (Kumran), që i përkasin Koleksionit Reed e ruhen pranë John Rylands Library, në Manchester. Por, pas një analize, realizuar me teknikat më moderne të fotografisë nga një grup studiuesish, në sipërfaqen e fragmenteve të vogla, të nxira nga lagështira e dymijë vjetëve, u dukën në mënyrë të padiskutueshme shkronjat e alfabetit  hebraik e, me ta, edhe teksti, që shpjegon si duhet jetuar Shabbat, e Shtuna, ditë pushimi për Hebraizmin. Është  tekst halakhico, domethënë, me natyrë juridike, që përkon plotësisht me kohën  e Jezusit. Fragmentet, prej lëkure bagëtije, ka shumë mundësi të jenë pjesë e pergamenave të gjetura në shpellën n. 4 të shkretëtirës së Judës, vend me klimë shumë të thatë, por që gjatë vitit ndërpritet nga shira të rrëmbyera.

Jashtëzakonisht emocionues, për dijetarët, çasti kur arritën të lexojnë çka ishte shkruar në ato copa lëkure. Iu duk si të jetonin në kohën e Krishtit. Në të shtunat e dymijë vjetëve më parë, në ato vise, që u bënë për mbarë njerëzimin, viset e shëlbimit.

Kujtojmë se Rrotullat e Qumran-it u gjetën ndërmjet 900 dorëshkrimeve të Detit të Vdekur, në vitet 1947-1956 brenda shpellave 12 kilometra në jug të Jerikos. Shkrimet, në gjuhën aramajke, hebraishte e greqishte,  duhet të jenë shkruar ndërmjet viteve 150 para Krishtit e 70 pas Krishtit. Janë tekste biblike, dorëshkrime apokrife, dorëshkrime sektare. Ky zbulim konsiderohet si një nga më të rëndësishmit e epokës moderne.  

23 maj 2020, 11:38