Kërko

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen 

Von der Leyen: për të qenë e fortë, Evropa duhet të jetë e bashkuar dhe solidare

Në prag të Ditës së Evropës, kryetarja e Komisionit Evropian flet për Vatican News e thekson rëndësinë e frymës së “Etërve Themelues”, të cilën e ka përmendur edhe Papa Françesku. Në çastin më të vështirë pas Luftës II Botërore, Ursula von der Leyen i bën thirrje Evropës të shprehë vlerat e saj më të mira si solidariteti dhe bashkëpunimi shumëpalësh.

R.SH. - Vatikan

Nëse themelet e Evropës forcohen, duke u mbrujtur me solidaritet, ëndrra e Robert Schuman-it dhe e Etërve të tjerë Themelues të Bashkimit Evropian, do të mbetet e gjallë dhe mund t’i ndihmojë evropianët të kapërcejnë krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Në prag të Ditës së Evropës, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, flet me gazetën vatikanase “L'Osservatore Romano” dhe me Vatican News për çështjet kryesore të kësaj periudhe, për impenjimin në gjetjen e një vaksine kundër Covid-19 dhe, për masat e nevojshme në mbështetje të ekonomisë së kontinentit. Gjithashtu, Von der Leyen reflekton mbi thirrjen e Papës Françesku për bashkimin e popujve evropianë kundër egoizmit nacionalist, si edhe për rolin që mund të ketë Bashkimi Evropian në nivelin ndërkombëtar, pas përfundimit të pandemisë. Vetëm disa muaj pas zgjedhjes së saj në krye të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u përball me krizën më të madhe pas Luftës II Botërore. E pyetëm, si e përjeton ajo vetë, personalisht, këtë çast të vështirë:

         Kjo krizë po na sprovon të gjithëve deri ku s’mban më. Që prej dy muajsh, po e kaloj pjesën më të madhe të kohës në Berlaymont, ndërtesa e Komisionit në Bruksel. Për shkak të rrezikut të infektimit, aktualisht punon atje vetëm një ekip me një duzinë njerëzish nga personeli më i nevojshëm. Unë flas me Komisionerët çdo ditë në video, megjithëse ata ndodhen në të njëjtën ndërtesë. Së paku një herë në ditë, përpiqem të marr pak ajër të pastër dhe të shoh diell me sy. Nganjëherë, arrij të shkoj për një vrap në gjelbërim. Do ushqimin e vet edhe shpirti. Gjithashtu, flas në video me burrin dhe me fëmijët e mi të rritur, çdo mbrëmje. Jam e kënaqur që janë të gjithë mirë. Mendoj edhe për shumë familje, që s’kanë pasur aq fat dhe u duhet të shqetësohen për të dashurit e tyre. Kjo më motivon në punën time, si kryetare e Komisionit, për të ndihmuar vendet dhe njerëzit e botës ta përballojnë këtë krizë të rëndë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Aktualisht, shumë njerëzve u duhet të rrinë në shtëpi. Kam rastin të bëj shumë. Kjo më ndihmon.

         Dita e Evropës do të kremtohet nesër, më 9 maj. Cili është kuptimi i kësaj Dite për qytetarët evropianë, në periudhën e krizës më të rëndë pas Luftës II Botërore?

         Bashkimi Evropian e ka ndryshuar për mirë fatin e kontinentit tonë. Lindi nga shkrumbi i një krize, e cila e shkatërroi kontinentin. E, pikërisht në kohë krizash, si ajo që kalojmë, mund t’ia kuptojmë vërtet vlerën. Për prindërit e mi, Evropa është paqe. Për brezin tim, është liri dhe ligjshmëri. Për brezin e fëmijëve të mi, është e ardhmja dhe hapja ndaj botës. Nganjëherë, e marrim Evropën si të mirëqenë. Harrojmë sa e çmuar është të jetosh në begati ekonomike, në kohezion shoqëror, në vende ku respektohen të drejtat e njeriut. Ashtu si për lirinë dhe shëndetin, ne e kuptojmë vlerën e vërtetë të këtyre gjërave, vetëm kur kemi frikë se po i humbasim. Pandemia aktuale është kujtesë e dhimbshme për këtë. Siç thoshte Alcide De Gasperi: “vetëm nëse jemi të bashkuar, do të jemi të fortë; vetëm nëse jemi të fortë, do të jemi të lirë”. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për një Evropë më të afërt dhe më të bashkuar. Këtë vit, Dita e Evropës do të jetë pak më ndryshe. Por shpresoj se ende do të përjetohet si festë për gjithë evropianët, festë miqësie, uniteti dhe solidariteti ndërmjet vendeve dhe njerëzve.

         Në këtë çast pandemie, Papa Françesku e ka nxitur disa herë Evropën të kthehet në ëndrrën e Etërve Themelues, ëndërr solidariteti dhe paqeje. Por, a është e mundur të kthehemi në atë ëndërr? Si mund të konkretizohet ajo?

         Më 9 maj, do të kremtojmë 70-vjetorin e deklaratës së Robert Schuman-it, e cila është pikënisja e rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Evropian. Deklarata e Schuman-it ia ndryshoi fatin kontinentit. Thirrja e tij për një Evropë të bashkuar dhe solidare është e vlefshme tani, më shumë se kurrë. E sot, unë nuk shoh nderim më të madh për fjalët e Schuman-it, sesa solidariteti ndërmjet vendeve të BE-së. Mjekët dhe infermierët rumunë dhe norvegjezë, që shkojnë në Bergamo për të ndihmuar të sëmurët; Gjermania, që ofron shtretërit e saj në terapi intensive për pacientët nga Italia; Franca, Hollanda dhe Republika Çeke, që dërgojnë maska ​​në Spanjë. Pandemia e koronavirusit mbart edhe një mesazh të shëndoshë, në kuptimin më të gjerë të fjalës: ata që shikojnë vetëm vetveten, nuk shkojnë larg. Mund të kapërcejmë krizat, konfliktet dhe të bëjmë reformat, vetëm së bashku. Kjo vlen edhe për planin e rimëkëmbjes së Bashkimit tonë Evropian. Ai duhet të jetë i fuqishëm e duhet të përvijojë udhën e Evropës drejt së ardhmes, me penelata të mëdha. Unë po luftoj për një Evropë të bazuar në solidaritet, e cila përkrah me guxim mundësitë, që ofron ekonomia e gjelbër dhe ajo dixhitale, një Evropë fortësisht e përgatitur për krizat e ardhshme.

         Pandemia po nxjerr në pah haptas disa egoizma nacionaliste. Edhe Papa Françesku ka dhënë alarmin për këtë. Si mendoni ju, nuk keni frikë se qytetarët evropianë mund të largohen gjithnjë e më shumë nga institucionet? Ç’mund të bëjnë krerët e Evropës që kjo të mos ndodhë?

         Duhet të jemi vigjilentë. Edhe pse, siç e shohim qartë, qeveritë nacionaliste në mbarë globin nuk kanë asnjë lloj përgjigje për pandeminë, e cila nuk njeh kufi, as fe e as ngjyrë lëkure. Në fillimin e krizës, disa shtete anëtare të BE-së reaguan duke u mbyllur në vetvete e duke marrë masa në mënyrë të izoluar. Por në fund të fundit, kjo nuk solli fryte, madje, krijoi probleme. Kështu, qeveritë u kujtuan me shpejtësi se mund t’i mbrojmë qytetarët tanë vetëm nëse punojmë së bashku dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Së bashku, kemi marrë qindra masa në BE për t’u siguruar që spitalet në Itali apo Spanjë të kenë pajisjet e nevojshme, që mallrat thelbësore, siç janë ilaçet ose ushqimi, të arrijnë me shpejtësi në farmaci apo dyqane, që punëtorët e rajoneve kufitare të kalojnë kufirin për të arritur në vendin e tyre të punës dhe, që njerëzit të mos pushohen nga puna. Të veprojmë konkretisht për të mbrojtur shëndetin e njerëzve dhe punën e tyre: këtë duhet të vazhdojmë të bëjmë.

         Gjatë krizës financiare të vitit 2012, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, nënvizoi se euro duhej të mbrohej me çdo kusht. “Me çdo lloj çmimi”, tha ai. Sipas jush, a është gati Bashkimi Evropian të bëjë ç’është e mundur për të shpëtuar ekonominë e kontinentit?

         Do të bëjmë gjithçka është e mundur për t’i mbajtur njerëzit në punë dhe për t’i mbështetur firmat e kërcënuara nga rënia e veprimtarive ekonomike. Kemi bërë tashmë shumë hapa në këtë drejtim. Kemi ndryshuar rregullat e ndihmave shtetërore për t’iu dhënë mundësi qeverive të ndihmojnë firmat, të cilat vuajnë nga kriza. Po përdorim fleksibilitetin e plotë për rregullat tona buxhetore që t’u japim mundësi qeverive për të luftuar krizën. Bashkimi Evropian ka mobilizuar deri tani më se tre trilionë euro për të mbështetur njerëzit, firmat dhe ekonomitë e shteteve tona anëtare. Kjo është përgjigja më e jashtëzakonshme ekonomike në botë. Sa për t’ju dhënë një shembull të prekshëm: BE-ja do të ndihmojë në mbajtjen e njerëzve në punë, duke përkrahur punën afatshkurtër. Ne po sigurojmë 100 miliardë euro për këtë skemë, të ngjashme me sigurimet shoqërore. Tani, kemi nevojë të merremi vesh për planin e rimëkëmbjes, hartuar rreth një buxheti të fuqishëm evropian, i cili do t’i ndihmojë ekonomitë ta marrin veten. Kam besim se të gjitha qeveritë e BE-së do të jenë në lartësinë e kësaj sfide.

         Pas kësaj krize, ç’rol mund të ketë Evropa në nivelin ndërkombëtar? Sipas jush, si do të jetë bashkëpunimi shumëpalësh, pas pandemisë?

         Ky virus tregoi sa e ndërlidhur është bota. Ne po përballemi me një pandemi globale dhe rruga e vetme për ta mposhtur këtë virus është bashkëpunimi ndërkombëtar dhe solidariteti. Ky ishte edhe qëllimi i Përgjigjes Globale ndaj Koronavirusit, takimi që organizova më 4 maj, së bashku me disa qeveri të BE-së dhe me partnerë të tjerë. Më se 50 krerë shtetesh, qeverish e organizatash shëndetësore dhe drejtues të biznesit nga e gjithë bota u bashkuan me ne për të mbledhur fonde dhe për të filluar një punë të paparë për vaksinat dhe trajtimin kundër koronavirusit. U zotuam për 7,4 miliardë euro - më shumë se gjysma e kësaj shume, vjen nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë e tij. Mblodhëm nën të njëjtën ombrellë, organizatat globale, që punojnë për vaksina, trajtime dhe diagnostikime, më synimin për t’i vënë ato në dispozicion të gjithë botës, me çmime të përballueshme. Suksesi i kësaj ngjarje na dëshmoi, edhe një herë, fuqinë e punës së përbashkët.

08 maj 2020, 15:35