Kërko

 La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia La Madonna sotto la Croce, pittore Francesco Astiaso Garcia 

Virgjëra Mari në Ungjillin sipas Gjonit

Në Ungjillin sipas Gjonit, Maria vijon të quhet “Nëna e Jezusit”. Biblistët katolikë mendojnë se në këtë Ungjill, Maria mund të jetë simbol i Izraelit besnik, që pret nga Jezusi dhuratën e verës së Besëlidhjes së Re.

R.SH. - Vatikan

Një mendim për Virgjërën Mari, në muajin maj: Maria në Ungjillin sipas Gjonit. Në Ungjillin sipas Gjonit, Maria vijon të quhet “Nëna e Jezusit”. Biblistët katolikë mendojnë se në këtë Ungjill, Maria mund të jetë simbol i Izraelit besnik, që pret nga Jezusi dhuratën e verës së Besëlidhjes së Re.

Shën Gjoni hap para syve tanë, skenën e një dasme orientale, që vijon me javë, ku pihet e vallëzohet me ditë. Rrëfen: “Të tretën ditë u bë një dasmë në Kanë të Galilesë. E nëna e Jezusit ndodhi aty. Grishën, pra, edhe Jezusin e dishepujt e tij në dasëm. E me që mungoi vera, i tha Jezusit e ëma: “S’kanë më verë!”. I përgjegji Jezusi: “Çka na duhet mua e ty, o fisnike? Ende s’ka ardhur koha ime!”.

Po Nëna e kuptoi Birin pa fjalë e u dha urdhër shërbëtorëve: “Bëni gjithçka t’ju thotë ai!”. Porosi, që përshkon shekujt, për të ardhur deri në ditët tona, në zemrat tona, e për ta shndërruar ujin e mendimeve e të ndjenjave tona në kelk. Në kelkun e elterit, për t’i shërbyer Mbretërisë së Amshuar.

“Bëni gjithçka t’ju thotë ai!”- u tha nëna e Tij shërbëtorëve. Tashti ndodheshin aty afër gjashtë shtëmba guri që, simbas dokeve të judenjve, përdoreshin për të larë duart. U tha Jezusi shërbëtorëve: “Mbushini shtambat me ujë!”. E ata i mbushën plot e për maje. Atëherë rishtas u tha Jezusi: “Merrini tani e çojani kryekujdestarit të tryezës!”. E ia çuan. Porsa kryekujdestari i tryezës e shijoi ujin e kthyer në verë - e ai s’e dinte se prej kah vinte, ndërsa shërbëtorët, që i kishin mbushur shtambat me ujë, e dinin mirë - thirri dhëndrrin e i tha: “Gjithkush s’pari qet në sofër verën e mirë e më vonë, atëherë kur miqtë të jenë bërë në qejf, kalon atë, që është më e dobët...”.

 Kështu Jezusi nisi mrekullitë e veta në Kanë të Galilesë dhe e shpalli lumninë e vet, e dishepujt besuan në Të.

 E kështu, përmes Marisë, Izraeli distancohet nga Besëlidhja e vjetër e përgatitet të lidhë një besë të re. Prej këndej, Nëna thotë “Nuk kanë më verë!”, e nuk thotë “Nuk kemi më verë”. Ligji i Moisiut, që e ka humbur forcën e bashkimit të Zotit me njeriun, tani duhet t’i hapë udhën Ligjit të ri e ndërmjetësuesit të ri. Ndërhyrja e Marisë përligjet me mungesën e verës, e kjo lidhet me besën e vjetër, së cilës tashmë i mungon diçka themelore. Vera është simbol i gëzimit, që ndjejnë dasmorët, por sidomos, bashkëshortët, që e duan fort njëri-tjetrin (Kënga e Këngëve, 4,10), në sa përgatiten të nisin një jetë të re. Maria personifikon pritjen mesianike të Izarelit, që distancohet nga Besa e vjetër e përgatitet të njohë, në Jezusin, Mesinë, përmes të cilit njeriu takohet me Hyjin.

Sjellja e Marisë në dasmën e Kanës, vërteton profecinë e Izaisë, për tokën e Izraelit:

“Askush nuk do të të thërrasë më “e lëshuara”,

 as toka jote s’ka për t’u quajtë “e shkretuara”,

 përkundra, ti do të quhesh “kënaqësia ime”,

 e toka jote “Vasha ime”,

 sepse Zoti do të kënaqet në ty

 e toka jote një dhëndërr ka për të pasë.

 Po, sikurse një nuse të ré, një vashë,

 ashtu në kurorë do të të lidhë Krijuesi yt;

 si dhëndrri gëzohet për fatin e vet,

 ashtu Zoti yt për ty ka për t’u gëzuar”.

 Shndërrimi i ujit në verë ishte mrekullia e parë e Jezusit e qe Nëna ajo, që e nxiti Birin të tregonte kush ishte e të kryente mrekullinë e parë në jetën e tij publike. Prej këndej, Zoja paraqitet si ndërmjetësuese pranë Jezu Krishtit.

 Mbi Kalvar, gjatë agonisë mbi kryq, Jezusi ia beson Nënën Shën Gjonit Apostull, në një nga skenat më tragjike që ka parë ndonjë herë njerëzimi. Me fjalët rrënqethëse, shqiptuar prej Zotit, që shikon nga lartësia e kryqit Nënën e vet, të mbytur në lot, e dishepullin e dashur:

“Grua, qe yt bir!” - “Qe nëna jote”!

 Sipas doktrinës katolike, ky është akti që e bën Marinë, Nënën e të gjithë besimtarëve.

08 maj 2020, 19:07