Covid 19 Covid 19 

Thirrja e shkencëtares: vaksina Covid 19 të jetë pronë publike

Nga Franca arrin një peticion, me të cilin bashkohen më se njëqind akademikë ndërkombëtarë, që vaksina kundër koronavirusit të jetë pasuri e të gjithëve, edhe e të varfërve. Të dielën e kaluar, inkurajimi i Papës lidhur me bashkëpunimin ndërkombëtar për të fituar mbi virusin.

R. SH. - Vatikan

Pandemisë globale i duhet dhënë përgjigje globale, domethënë në dobi të mbarë njerëzimit. Niset nga kjo bindje, shkencëtarja Catherine Belzung, pedagoge e Neuroshkencave pranë Universitetit të Tours, në Francë, e nderuar  me   titullin  e  Legjionit të Nderit më 2012 për merita shkencore.   Belzung është autore e një peticioni, me të cilin  kërkon që vaksina për Covid-19 të jetë pronë e gjithë banorëve të tokës, nga më të pasurit, tek më të varfërit e që të nisë sa më shpejt të jetë e mundur fushata  e vaksinimit universal e fala. Lajm, ky, që i bën jehonë  fjalëve të Françeskut, shqiptuar të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, për të garantuar përdorimin universal të teknologjive kryesore, të cilat i krijojnë çdo njeriu të infektuar, në të katër anët e botës, mundësinë për të marrë mjekimet e nevojshme shëndetësore.

E nevojshme, vaksina falas për të gjithë  

“Po mendoja për të  gjithë njerëzit e sëmurë, edhe për ata, që vdiqën - tregon, në Vatican News, profesoresha Belzung - duke e ditur se rrugëzgjidhja e vetme është vaksina. Por nuk mund të mos e pyesja veten: “Si do të munden vendet e vafëra ta kenë këtë mjet shpëtimi? Mënyra e  vetme është të vihet falas, në dispozicion të të gjitha qeverive. Sipas shkencëtares, vaksinës mund t’i njihet e drejta e autorit, apo të licencohet, pastaj t’i dhurohet, për shembull, Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mënyrë që “të gjithë të mund ta përdorin pa e paguar çmimin e pronësisë intelektuale lidhur me patentën”.

08 maj 2020, 14:31