Kërko

1588375050069.jpg

Save the Children: një e pesta e fëmijëve ka vështirësi për mësimin në distancë

Sipas një sondazhi të “Save the Children”, gati 40% e familjeve me fëmijë nga mosha 8 deri në 17 vjeç ndodhen në vështirësi ekonomike, për shkak të emergjencës së koronavirusit. Ka një rrezik konkret që një pjesë e fëmijëve ta braktisin krejtësisht shkollën, siç po ndodh tashmë me 13,7% të tyre.

R.SH. - Vatikan

Në këto kohë koronavirusi, organizata ndërkombëtare “Save the Children” denoncon se një e shtata e prindërve ka humbur punën për shkak të emergjencës së Covid-19. E fëmijët, të cilët janë detyruar të mbyllen në shtëpi, duke ndjekur mësimet me internet, hasin vështirësi në kryerjen e detyrave, më shumë se më parë. “Save the Children”, objektivi i së cilës është pikërisht përmirësimi i jetës së vogëlushëve, thekson se, sidomos në grupmoshat nga 8 deri në 11 vjeç, një e pesta e fëmijëve ka këtë problem, ndërsa një e dhjeta nuk i ndjek aspak leksionet në distancë, ose e bën këtë vetëm një herë në javë a më pak.

Fëmijë, që mund të mbeten mbrapa

          Këta fëmijë e adoleshentë, të cilëve u mungojnë shpesh mjetet e duhura për t’u lidhur me mësuesit, ka rrezik të mbeten mbrapa në përvetësimin e njohurive, që u duhen pë të zhvilluar aftësitë e nevojshme në përballimin e jetës. Sipas “Save the Children” ka një rrezik konkret që këta fëmijë ta braktisin krejtësisht shkollën, siç po ndodh tashmë me 13,7% të tyre. Organizata ndërkombëtare ka filluar fushatën “Të rishkruajmë të ardhmen”, që synon të arrijë tek fëmijët e adoleshentët, për të kuptuar e zgjidhur nevojat e tyre. Vetëm në Itali, ku gjendja e krijuar nga Covid-19 ka qenë veçanërisht e rëndë, do të përfshihen në projekt 30 qytete e rreth 100 mijë fëmijë e të rinj.

Rasti i Italisë

          Sipas një sondazhi të Organizatës, gati 40% e familjeve me fëmijë nga mosha 8 deri në 17 vjeç ndodhen në vështirësi ekonomike, për shkak të emergjencës së koronavirusit. Një ndër 20 prindër ka frikë se fëmijës do t’i duhet të përsërisë vitin, ose do t’i duhet ta lërë shkollën. Në familjet me vështirësi ekonomike, përqindja rritet. Prindërit do të dëshironin që shkolla të ishte e hapur e t’i mbështeste edhe me veprimtari jashtëshkollore. 60,3% e tyre mendojnë se fëmijët do të kenë nevojë për mbështetje të veçantë kur të kthehen në shkollë. “Nuk mund të lejojmë – deklaron drejtoresha e përgjithshme e ‘Save the Children’ për Italinë, Daniela Fatarella – që pandemia e Covid-19, brenda pak muajsh, t’u heqë fëmijëve dhe adoleshentëve mundësinë për t’u rritur e për t’u zhvilluar. Duhet të veprojmë shpejt për të mos i privuar nga e ardhmja. Edukimi, formal e jo, përfaqëson për fëmijët spirancën e shpëtimit për të pasur mundësi në të tashmen, por, sidomos, për të garantuar lirinë e zgjedhjes në të ardhmen, sidomos në realitete më të vështira”.

11 maj 2020, 14:23