Kërko

Besimtarë nga e gjithë bota, në lutje më 14 maj

Të bashkuar shpirtërisht, në një ditë, besimtarët e të gjitha feve do t’i përgjërohen Zotit ta ndihmojë njerëzimin ta kapërcejë pandeminë e koronavirusit: me ta, Papa dhe shumë personalitete nga e gjithë bota. Në një video, shpresa dhe ndjenja nga pesë kontinentet.

R.SH. - Vatikan

Dërrmuar e trullosur nga një virus i panjohur, bota e ndjen veten bijë e Atit Qiellor e i kërkon ndihmë Zotit të Gjithëpushtetshëm. Një lutje korale, një britmë e vetme, që është lutje e shpresë njëkohësisht. Të gjithë besimtarët e botës, si të ishin kapur dorë për dore, shumë afër njëri-tjetrit, do t’i drejtohen Hyjit në një lutje të vetme e të jashtëzakonshme. E kjo do të ndodhë pasnesër, në këtë muaj të majit, më 14.

“Sepse lutja është arma jonë më e mirë”, thonë zëra nga pesë kontinentet në videon tonë e, sepse “nga ç’po përjetojmë do të na kujtohen gjërat, që na bashkuan”. “Të lutemi për t’u ndierë Kishë...”, “Të lutemi për t’i dashur ata, që kemi pranë”... “Nuk duhet të demoralizohemi...”! E pastaj, ndërmjet zërave, dëgjohet edhe një “e daje!”, shprehje tipike e banorëve të Romës për të inkurajuar njëri-tjetrin, sepse vetëm së bashku mund ta mposhtim dhimbjen dhe lodhjen.

Lutje, agjërim, por edhe vepra bamirëse, shton Papa Françesku, i cili e pranoi menjëherë propozimin e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor për t’ia kushtuar ditën e 14 majit, “lutjes dhe solidaritetit, për t’i kërkuar Zotit fundin e kësaj pandemie” dhe “për ta rrënjosur në të ardhmen vlerën e vëllazërimit dhe të bashkëjetesës”.

12 maj 2020, 15:02