Kërko

imagesAEM.jpg

Ftesa e Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor që të lutemi për njerëzimin

14 maji, një ditë për lutje e agjërim, për t’iu drejtuar Hyjit për njerëzimin, duke i ftuar të gjithë liderët fetarë e njerëzit e mbarë botës t’i përgjigjen kësaj ftese humanitare dhe t’i përgjërohen Zotit me një zë të vetëm, që ta ruajë njerëzimin, ta ndihmojë për të kapërcyer pandeminë, t’ia kthejë sigurinë, qëndrueshmërinë, shëndetin dhe begatinë dhe, pasi të zhduket pandemia, ta bëjë botën më njerëzore dhe më vëllazërore.

R.SH. - Vatikan

Mesazhi i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor: "Lutja për njerëzimin" 

Vëllezërve tanë që besojnë në Hyjin Krijues, vëllezërve tanë në humanitet kudo.

Bota jonë sot përballet me një rrezik serioz  e të rëndë, që kërcënon jetën e miliona njerëzve në gjithë planetin, përhapjen e shpejtë të koronavirusit (covid-19). Ndërsa konfirmojmë rëndësinë e rolit të mjekëve dhe atë të punës kërkimore-shkencore në përballimin e kësaj epidemie, të mos harrojmë t'i drejtohemi Zotit Krijues në këtë krizë të rëndë.

Prandaj, ne i ftojmë të gjithë njerëzit, në mbarë botën, që t’i drejtohen  Zotit përmes lutjes, duke iu përgjëruar, duke agjëruar e dukë bërë vepra mëshire, secili, në çdo anë të botës, sipas fesë, besimit apo doktrinës së vet, që Ai i Lumi ta zhdukë këtë epidemi, të na shpëtojë nga kjo vuajtje, t’i ndihmojë shkencëtarët të gjejnë një ilaç që ta mposhtë atë, si edhe ta lirojë botën nga pasojat shëndetësore, ekonomike, humanitare të përhapjes së këtij infektimit të rëndë.

Komiteti i Lartë, në përputhje me objektivat e Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, propozon për të enjten, më 14 maj, një ditë për lutje e agjërim, për t’iu drejtuar Hyjit për njerëzimin, duke i ftuar të gjithë liderët fetarë e njerëzit e mbarë botës t’i përgjigjen kësaj ftese humanitare dhe t’i përgjërohen Zotit me një zë të vetëm, që ta ruajë njerëzimin, ta ndihmojë për të kapërcyer pandeminë, t’ia kthejë sigurinë, qëndrueshmërinë, shëndetin dhe begatinë dhe, pasi të zhduket pandemia, ta bëjë botën më njerëzore dhe më vëllazërore.

Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

14 maj 2020, 14:09