Kërko

Vatican News
2020.02.05 Logo COMECE 2020.02.05 Logo COMECE  

Comece: mirë plani i Komisionit të BE-sё për rimëkëmbjen ekonomike

Comece: mirë plani i Komisionit të BE-sё për rimëkëmbjen ekonomike pas Kovid-19, është një shenjë e dukshme që BE-ja dhe Shtetet anëtare janë kthyer në rrugën e solidaritetit.

R.SH. - Vatikan

Komisioni i episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) përshëndet planin e rimëkëmbjes ekonomike pas-Kovid paraqitur dje nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Nga fondi “Next Generation EU” prej 750 miliardë eurosh, për rimëkëmbjen e ekonomive të vendeve anëtare tё BE-sё pas goditjes nga pandemia e koronavirusit, 500 miliardë euro janë të destinuara për sektorët më të prekur nga pandemia e koronavirusit, 250 miliardë të tjera janё rezervuar për kreditë e Shteteve anëtare.

Në një deklaratë, sot, me titull "Rimëkëmbja e Evropës me drejtësi", Komisioni i Episkopateve evropiane (Comece) pёr çështjet sociale, kërkon "një marrëveshje të shpejtë" të planit financiar dhe një kornizë financiare shumëvjeçare, e cila, pohon Comece, "do të ishte një shenjë e dukshme që BE-ja dhe Shtetet anëtare janë kthyer në rrugën e solidaritetit". Eshtë koha të kemi të kemi të njëtin shpirt dhe synim - kujtojnë ipeshkvijtë evropianë - që frymëzoi vizionin e Etërve Themelues pas luftës, të cilin e kujtoi edhe Papa Françesku duke e ftuar Evropës "të rritet e bashkuar, me frymën e vëllazërimit, që i bën të gjithë popujt të zhvillohen në unitetin e larmisë”, që të punojë për një "zgjidhje novatore" për t'u përballur me krizën e re. 

Papa Françesku e kujtoi kohët e fundit  Evropen, në Meshën e kremtuar në Shёn Martё, nё Vatikan, më 22 prill, kur kërkoi t’i lutemi Zotit për Kontinentin e Vjetër me këto fjalë: “Në këtë kohë, në të cilën është i nevojshëm uniteti i plotë ndërmjet nesh, të lutemi për Evropën, që Evropa t’ia dalë mbanesh të ketë atë unitet, atë vëllazërim, që e patën ëndërruar etërit themelues të Bashkimit Evropian”.

Nëse pasojat e epidemisë, "kanë zbuluan paaftësinë e BE-së për të qenë në lartësinë e vlerave të saj në kohët e krizës, plani i ristrukturimit propozuar nga Komisioni evropian, përcakton një perspektivë të qartë për një Evropë që  vërtet synon bashkimin", nënvizon Comece.

Me vështrimin e orientuar nga e "mira e përbashkët dhe e udhëhequr nga fryma e solidaritetit", sipas ipeshkvijve Evropianë, BE-ja duhet "të synojë një marrëveshje që do ta ndihmonte Evropën të ngrihet përsëri në këmbë në saje të një drejtësie më të madhe ekologjike, sociale dhe kontribuuese". Kriza shëndetësor, në fakt, ka nxjerr në pah se pandemie është "e lidhur me një krizë më të gjerë socio-ekologjike, e cila është bërë gjithnjë e më e dukshme me ndryshimin e klimës, humbjene biodiversitetit dhe pasojat shkatërruese për njerëzit që janë më të brishtë e këndej edhe më të rrezikuar nё shoqërinё tonë".

Prandaj nuk mund të kënaqemi me rimarrjen e "modeleve të vjetra e të dokeve të rrënjosura". Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi "për të punuar për njё ndryshimin rrënjësor e për t’i shtuar përpjekjet tona për një zhvillim autentik, integral dhe pёr një vizion të ri për të ardhmen". Në këtë kuptim, ipeshkvijtë evropianë e përshëndesin pozitivisht propozimin e Komisionit tё BE-së për të integruar Green Deal (marrëveshjen e gjelbër) evropian në planin e rimëkëmbjes ekonomike që – pёrfundon deklarata - duhet të merret me nevojat më urgjente e më të cenueshmeve "me qëllim që të garantohet kohezioni social në Evropë".

Konferencat episkopale dhe Kishat e ndryshme të krishtera të Evropёs rinovojnë apelet e tyre për të rizbuluar rrёnjёt dhe arsyet bazë të BE-së e për të ringjallur unitetin e Kontinentit. "Evropa nuk mund të ndërtohet menjëherë, dhe as nuk do të ndërtohet së bashku nga tё gjithё; ajo do të ndërtohet mbi arritjet konkrete që krijojnë së pari dhe mbi të gjitha një solidaritet de facto. (Robert Schuman)”.

Etërit themelues na kujtojnë se Evropa nuk është një tërësi rregullash për t’u zbatuar, nuk është doracak protokollesh e procedurash për t’u  realizuar. Është jetë, është mënyrë për ta konceptuar njeriun, duke u nisur nga dinjiteti i tij transhendent e i patjetërsueshëm, e jo vetëm një tërësi të drejtash që duhen mbrojtur a që duhen kërkuar. Në zanafillë të idesë së Evropës është figura dhe përgjegjësia e njeriut, me tharmin e vëllazërisë ungjillore, me dëshirën për të vërtetën dhe drejtësinë,  të mprehur nga përvoja mijëravjeçare. 

29 maj 2020, 17:21