Dita e OKB-së për paqeruajtësit u kushtohet grave
R.SH. - Vatikan
Buxhet vjetor prej rreth 7 miliardë dollarësh, më pak se një përqind i shpenzimeve ushtarake botërore. Misionet paqeruajtëse kanë kosto të ulët, sidomos kur krahasohen me qëllimin, që i vënë vetes: të ruajnë paqen në çdo cep të planetit. Vijnë nga më se 120 vende e janë mbi 90 mijë vetë, punonjësit, që kanë për detyrë kryesore mbrotjen e civilëve në zonat e krizës. Sot është Dita, që OKB-ja kremton për ta, duke ia kushtuar, për këtë vit, grave.
Gratë luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes
Ndërsa kremtohet edhe 20-vjetori i miratimit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (UNSCR1325), tema e Ditës së Paqeruajtësve për vitin 2020 është pikërisht “Gratë në misionet paqeruajtëse: çelës për paqen”. Prania e grave është thelbësore në promovimin dhe në arritjen e objektivave të misionit. Edhe pas Rezolutës së 20 viteve më parë, Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për zgjerimin e rolit dhe të kontributit të grave në çdo veprimtari, përfshirë paqeruajtjen. Aktualisht, ato përbëjnë vetëm 6% të forcave të përgjithshme.
Paqja dhe pandemia
Në Mesazhin e tij për këtë Ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shpreh mirënjohjen për mbi 90 mijë civilët, policët dhe ushtarët e dërguar gati në të gjithë botën: “Ata po përballen – lexohet në tekst – me një nga sfidat më të mëdha, duke e bashkuar mandatin e tyre për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë me ndihmën për njerëzit, të cilëve u duhet t’i kundërvihen pandemisë së Covid-19”. “Gratë paqeruajtëse janë në vijën e parë të këtij fronti e, u jemi mirënjohës për përkushtimin dhe sakrificat e tyre në luftën kundër koronavirusit – pohon Guterres – si edhe në zbatimin e mandateve të misionit në rrethana të vështira”.
Kujtojmë se Dita e Paqeruajtësve kremtohet më 29 maj, pasi pikërisht këtë ditë, në vitin e largët 1948, u realizua misioni i parë i OKB-së për mbikqyrjen e armëpushimit të atëhershëm në Lindjen e Mesme.