Kërko

Vatican News

14 maji për fundin e pandemisë: lutja na bashkon me Zotin e me të tjerët

Dita e “lutjes, agjërimit dhe bamirësisë” më 14 maj, shpreh dëshirën e çdo feje për të jetuar, në botë, forcën e trashëgimisë së saj njerëzore dhe shpirtërore. Një forcë e tillë nuk mund të jetë kurrë kundër të tjerëve, por duhet të krijojë një kulturë bashkëjetese dhe paqeje universale. Urojmë që agjërimi, lutja dhe veprat e bamirësisë, ta mposhtin të keqen që na mundon, duke përhapur urti e shpresë për të gjithë.

R.SH. - Vatikan

Nga të gjitha Kishat e botës e, edhe nga bashkësitë e tjera fetare jo të krishtera, po vijnë çdo çast deklarata për pjesëmarrjen në lutjen e përbashkët të sotme, 14 maj, me të cilën besimtarët e çdo lloj feje – të krishterë, myslimanë, hebrenj, hinduistë, zoroastrianë e shumë të tjerë – i përgjërohen Zotit të Gjithëpushtetshëm t’i japë fund pandemisë së koronavirusit.

Deklarata e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor

 Siç dihet tashmë, nisma është e Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, që lindi menjëherë pas nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët të Papës Françesku dhe të Imamit të Madh të Al-Azharit, në shkurtin e vitit të kaluar. Në këtë Ditë për lutje, agjërim e vepra bamirëse, Komiteti i fton të gjithë besimtarët, që secili, sipas fesë e doktrinës që ndjek, “t’i drejtohet Zotit me një zë të vetëm, që ta ruajë njerëzimin, ta ndihmojë të kapërcejë pandeminë, t’i kthejë sigurinë, qëndrueshmërinë, shëndetin e begatinë dhe, pasi të zhduket pandemia, ta bëjë botën më njerëzore e më vëllazërore”. Gjithashtu, t’i kërkojnë të Tejetlartit, ndihmë për shkencëtarët, që të gjejnë ilaçin kundër koronavirusit, si edhe lirimin e botës nga pasojat shëndetësore, ekonomike dhe humanitare të Covid-19.

Papa Françesku: “askush nuk shpëton i vetëm”

“Askush nuk shpëton i vetëm”, pati thënë Papa Françesku në atë lutje të jashtëzakonshme të 27 marsit, kur në Sheshin e Shën Pjetrit bosh, rrahur nga era e shiu, pohoi se “jemi të gjithë në të njëjtën barkë”. Një virus i padukshëm u globalizua, kaloi çdo lloj kufiri e muri dhe pushtoi planetin, pa pasur nevojë për leje. E megjithatë, akoma vijon teatri i trishtuar e atyre, që mendojnë se mund të shpëtojnë vetveten, ose kombin e tyre, duke përjashtuar të tjerët, sidomos më të varfërit e më të brishtët, si të moshuarit, mijëra prej të cilëve humbën jetën gjatë kësaj pandemie.

Lutja, forcë që bashkon

 Ndërsa lutja, për të gjithë besimtarët, është forcë që bashkon me Zotin dhe me të tjerët, shkon përtej barrierave e kufijve, na bën të ecim drejt atij globalizimi shpirtëror, që mungon sot në botë. Përballë së keqes, që po shkakton sëmundje dhe vdekje, shton varfërinë dhe vështirësitë e shumë njerëzve, zbulojmë se jemi të brishtë, të pambrojtur, sigurisht, aspak zotër absolutë të krijimit, siç na mbushet mendja nganjëherë. Ndërsa përjetojmë trishtimin e ndarjes dhe të distancës fizike, duam të rizbulojmë nevojën për t’u bashkuar, për të ecur së bashku, pavarësisht nga dallimet; duam të kërkojmë, me bashkëpunim bujar dhe solidar, përgjigje për pasojat e dëmshme të virusit, përgjigje që vlejnë për të gjithë dhe na japin mundësinë të ndërtojmë një të ardhme më njerëzore dhe më të drejtë.

 Dita e “lutjes, agjërimit dhe bamirësisë” më 14 maj, shpreh dëshirën e çdo feje për të jetuar, në botë, forcën e trashëgimisë së saj njerëzore dhe shpirtërore. Një forcë e tillë nuk mund të jetë kurrë kundër të tjerëve, por duhet të krijojë një kulturë bashkëjetese dhe paqeje universale. Urojmë që agjërimi, lutja dhe veprat e bamirësisë, ta mposhtin të keqen që na mundon, duke përhapur urti e shpresë për të gjithë.

13 maj 2020, 16:21