Vatican News

Covid-19 nëpër botë: fillon faza e dytë

Mbi 260.000, viktimat e koronavirusit në të gjithë botën, sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins. 72.812 janë viktimat në SHBA e 30.150, në Mbretërinë e Bashkuar. Të infektuarit arrijnë në 3.744.585 vetë, nga të cilët 1.27 milion në SHBA.

R.SH. - Vatikan

Ndërsa numri i të infektuarve në botë vijon të rritet, duke iu afruar 4 milionëshit, Evropa përshkon udhën e hapjes graduale të veprimtarive të ndryshme prodhuese e të shkollave, pa harruar t’i ftojë qytetarët e saj të sillen me përgjegjësi e të respektojnë masat e sigurisë.

Gjermania dhe Italia po mendojnë të përshpejtojnë hapjen e bareve e të restoranteve, por ndërsa në trojet gjermane nxënësit janë kthyer në bangat e shkollës, në ato italiane do të kthehen në shtator e, akoma nuk dihet në ç’mënyrë e me ç’rend. Italia ka filluar fazën e dytë të përballimit të pandemisë, që do të vijojë së paku deri më 18 maj, por ka parashikuar edhe mbyllje të pjesshme në zona të caktuara, nëse infektimet shtohen. Në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Boris Johnson, i cili ka rifilluar punë pas shërimit nga Covid-19, duhet të mendojë një plan jo të lehtë për vendin, që është tashmë, më i prekuri në Evropë për nga numri i viktimave të shkaktuara prej koronavirusit. Pikërisht për këtë, hapja e dyqaneve dhe e veprimtarive të tjera mund të fillojë jo më parë se të hënën e ardhshme.

Sot, Franca paraqet një plan për daljen nga faza e parë e përballimit të pandemisë, që merr parasysh gjendjen rajon për rajon. Natyrisht, do të kenë më shumë liri, rajonet më pak të prekura nga koronavirusi. Në Belgjikë, të gjitha veprimtaritë, që bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “tregti jo thelbësore”, do të hapin të hënën, më 11 maj. Ndërkaq, në Spanjë, qeveria i ruan edhe për 15 ditë të tjera të gjitha kufizimet për zhvendosjen e njerëzve. Rusia, vendi i katërt në Evropë për nga numri i të infektuarve me Covid-19, numër, që vijon të rritet me më se 10 mijë vetë në ditë, synon të hapë ndërmarrjet e para të sektorit industrial, duke filluar nga 12 maji, gjithsesi, pa i hequr kufizimet. Për shkak të pandemisë, në Poloni janë shtyrë zgjedhjet presidenciale, të cilat duhej të mbaheshin të dielën.

Në kontinentin amerikan, Meksika duket se ka arritur pikun e sëmundjes, përhapja e së cilës fillon të ndalet. Në Brazil, epidemia godet fuqishëm popullsinë zezake, për shkak të pabarazive dhe pamundësisë ekonomike për t’u kuruar si duhet. Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, më se 10 mijë të infektuar e 614 viktima. SHBA-të kanë parashikuar daljen nga faza e parë e pandemisë për 31 shtete, duke filluar nga 11 maji, megjithëse, sipas disa studimeve, heqja e kufizimeve do ta rrisë mjaft numrin e të infektuarve me koronavirus. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, humbën jetën 2.073 vetë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 73.431. Aktualisht, të sëmurët me Covid-19 në SHBA e kalojnë shifrën 1.200.000. Më i prekuri është shteti i Nju Jorkut.

 Të pakta, informacionet që vijnë nga kontinenti afrikan. Çadi izolon kryeqytetin N’Djamena për dy javë. Është qyteti më i populluar i vendit, me më se 1.600.000 banorë. Mauritania hap tregjet dhe autorizon lutjen e së premtes në të gjitha xhamitë e vendit. Në Kenia, përveç epidemisë, kanë shkaktuar probleme të mëdha edhe shirat e rrëmbyeshëm, që kanë rënë ditët e fundit. Deri tani, numri i viktimave të motit ka arritur në 200 vetë. Kisha Katolike është veçanërisht e impenjuar në këtë front.

Në kontinentin aziatik, Kina nuk sinjalizon raste lokale me Covid-19, por vetëm dy raste nga njerëz të ardhur prej jashtë vendit. Zona e Azisë është më pak e prekur, në krahasim me zonat e tjera të botës, së paku, sipas statistikave zyrtare. Gjithsesi, edhe për këtë kontinent parashikohet një krizë e rëndë ekonomike, që, siç thonë ekspertët, do ta prekë më pak Kinën, Hong Kongun, Makaon e Tajvanin, sepse janë shtete më të përgatitura për të përballuar pasojat e emegjencës shëndetësore. Ekonomitë e vendeve aziatike parashikohet të rriten më pak, por gjithsesi, Prodhimi i tyre i Brendshëm Brut mban akoma shenjën pozitive: në Kinë, 2.3% e, në Indi, 4%.

Australia është një nga vendet më pak të prekura nga koronavirusi, sepse mori menjëherë vendime për t’i mbyllur veprimtaritë prodhuese, në një reagim zinxhir, që sot për sot, e ka kufizuar numrin e të infektuarve në rreth 6.800 vetë, si edhe atë të viktimave në 97.

07 maj 2020, 11:08