At Michele Bulmett At Michele Bulmett 

At Michele Bulmetti, martir i bamirësisë

Në përkujtimin e kalimit në amshim të misionarit arbëreshë, At Michele Bulmetti,më 4 maj 1999, famullitar i Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Gurëz. At Bulmetti kaloi tetë vjetët e fundit të jetës së tij duke dhuruar vetveten pa rezerva për të ndihmuar popullsinë e kombit shqiptar të posa dal nga diktatura komuniste, dhe për të ndihmuar në rindërtimin e Kishës katolike dhe të shoqërisë shqiptare.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 4 maj 1999 u nda nga jeta misionari arbëreshë, Atë Michele Bulmetti, famullitar i dikurshëm Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Gurëz. Atë Michele Bulmetti, meshtar rregulltar dehonian, ka lindur më 8 Gusht 1940 në Portocanone (Itali) nga Serafini e Konçetina. Familja e tij përbëhej edhe nga Tanina, motra e tij binjake, dhe nga vëllezërit Nikolin dhe Merkuri. Një familje e ndershme e besimtare që e fitonte bukën e gojës me djersën e ballit, duke punuar tokën.

Atë Mikeli arriti në Shqipëri në fund të 1991, pak pas rënies së regjimit komunist, pasi ishte kthyer nga një mision i shkurtër në Madagaskar. I joshur pas idealit për t’ia kushtuar jetën e vet popullit të tokës aq shumë të torturuar të paraardhësve të tij shqiptarë. Atë Mikeli kishte lindur në një vend me origjinë shqiptare dhe brenda vetes ndjente fuqishëm gjakun shqiptar e nostalgjinë e rrënjëve të tij të vjetra.

Mbërritja e tij në Shqipëri qe një aventurë e madhe e mbushur me ideale e ëndrra të shumta. Po e kuptoi menjëherë se gjendej përballë një tragjedie të madhe të historisë së popullit shqiptar. Kombi, i katandisur nga regjimi komunist, ishte përtokë, mungonin infrastruktura shoqërore, ishte pra në një periudhë të re e pa pika të forta e të sigurta referimi e orientimi, i privuar nga çdo mbështetje morale dhe shërbime sociale.

Kështu Atë Bulmetti kaloi tetë vjetët e fundit të jetës së tij duke dhuruar vetveten pa rezerva për të ndihmuar popullsinë e kombit shqiptar të posa dal nga diktatura komuniste, dhe për të ndihmuar në rindërtimin e Kishës katolike dhe të shoqërisë shqiptare. Ardhja e tij në Shqipëri nuk qe vetëm një histori aventure e së shkuarës, por një dëshmi e jashtëzakonshme shprese e besnikërie ndaj Ungjillit të shpallur dhe të jetuar.

At Mikel Bulmetti me jetë dhe vepra dëshmoi edhe një herë fjalët se Ungjillit se “nuk ka dashuri më të madhe se e ai që e dhuron jetën e vet për njerëzit” që do. Prandaj, dëshmia e jetës dhe vdekjes së At Mikelit është gjithnjë aktuale, sepse ai  pati kërkuar të imitonte Mësuesin tonë Hyjnor, Jezu Krishtin, që ka ardhur për të shërbyer dhe jo për të qenë i shërbyer. Në këtë pohim ungjillor, mund të themi se gjendet edhe dëshmia e jetës së tij, që ndriçohet e kuptohet nën dritën e gëzimit të Pashkëve, që na kujtojnë se jeta është si kokrra e grurit nuk sjell fryte, nëse nuk vdes.

Po si Bariu i Mirë, Jezusi, që i ka dashur dhe ka ruajtur jetën e deleve të tij, deri në dhurimin tërësor të jetës, po kështu edhe Atë Mikeli, dishepull i dashuruar me Zemrën e Krishtit, ka dhuruar vetveten për lavdinë e Hyjit, duke konsumuar  jetën e tij në shërbim të atyre që kishin përjetuar për vite të tëra me radhë një nga diktaturat më të dhunshme të shekullit të njëzetë. Figura e këtij misionari entuziast, është akoma e gjallë, në të gjithë ata që e njohën nga afër. Arbëreshi atë Bulmetti pati një zemër bujare e plot dashuri ndaj të varfërve dhe të shtypurve, përherë i gatshëm për t’u flijuar e dhuruar plot mëshirë ndaj të gjithëve, posaçërisht ndaj më nevojtarëve, siç qe rasti i vëllezërve kosovarë, të detyruar nga urrejtja etnike e serbëve, të emigronin me shumicë drejt Shqipërisë, në periudhën e luftës.

Qe pikërisht ajo kohë kur trupi i Atë Michele Bulmettit, i konsumuar prej lodhjes së madhe, nuk pati më forcë tu vijonte të dhuronte, si gjithmonë, gjithçka të gjithëve. Vdekja e tij qe një humbje për bashkësinë kishtare të fshatin Gurëz, për kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, për rregulltarët Dehonian e të gjithë besimtarët e nevojtarët, po edhe një dëshmi e veçantë e një jete në kërkim të një kuptimit e të cakut që gjendet vetëm në Krishtin e Ngjallur.

Kisha e gjallë, ku misionari arbëresh punoi, e mban gjallë kujtimin e dëshmisë së krishterë dhe të veprës sociale që Atë Mikeli bëri me përkushtim e dashuri, duke lënë gjurmë në udhën ungjillore të kësaj toke të lashtë martire.

(me rishikime, marr nga revista “Kisha dhe Jeta” , qershor 2009).

04 maj 2020, 17:29