"E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë) veper e papa Luka Matranga "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë) veper e papa Luka Matranga 

Me 6 maj bie përvjetori i vdekjes së papas Lukë Matranga

Meshtari arbёresh papas Lukë Matranga (1560-1619), figurё madhore e Kishёs dhe letёrisё arbёreshe, nё 401-vjetorin e vdekjes.Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë), botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe vepra e parë e një arbëreshi dhe e para vepër e shkruar në toskërisht.

R.SH. - Vatikan

Më 6 maj të vitit 1619 ndёrroi jetё meshtari arbёresh papas Luca Matranga (1560-1619) në Horë (Fshat) të Arbëreshëve, nё Sicili. Luka Matranga është njё personalitet i shquar i Kishës dhe i kulturës së vjetër arbëreshe. Lindi në Horë (Fshat) të Arbëreshëve në Sicili, mbi Palermo, e pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Atanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si meshtar.

Meshtari abëresh papas Lukë Matranga (1560-1519), që njihet gaminisht si Lekë Matrënga, më 20 mars të vitit1592, në Piana dei Greci të Sicilisë, e përfundoi veprën e dytë të shqipes së shkruar ‘E mbsuame e krështerë’, pas 'Mesharit' të dom Gjon Buzukut. Pra, titullohet ‘E mbsuame e krështerë’ e është doktrina apo katekizëm i parë i krishterë në gjuhën shqipe. Katekizmi ‘E mbsuame e krështerë’ prej njëzetetetë faqesh, u përkthye nga vepra e jezuitit spanjoll, Jakob Ledesma (1516-1575) shkruar latinisht. Kopja e përkthimit në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona në variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Matrangës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Varianti i botuar, u shtyp në Romë më 1592 nga Gulielmo Façoto 'me lejen e të parëve' dhe një variant i dorëshkrimit, i zbuluar nga Skiroi më 1909, u botua me shënime të prof. M. La Piana në revistën Roma e l’Oriente më 1912, një tjetër zbulim u bë nga Mario Rok (Mario Roques) më 1932.

Titulli i plotë i botimit është"Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma" (Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti Atë Ledesma i Shoqatës së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matranga, student i Kolegjit Grek të Romës).

"E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë), me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historinё e Kishës arbëreshe, pёrveç pёrmbajtjes sё katekizmit, kjo vepër përfshin një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin: një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje.

Krahas përmbajtjes doktrinore të fesë së krishterë, kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin e të folmeve të vjetra të arbëreshëve të Sicilisë; paraqet interes edhe për lutjen nё vjershë të shkurtër botuar në atë vëllim. Ndonëse e shkurtër në krahasim me vepra të tjera të letërsisë së hershme shqiptare, vetëm me 28 faqe, “Doktrina e Krishterë” e Matrangës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepra e parë nga një arbëresh dhe e para vepër e shkruar në toskërishte.

“Doktrina e Krishterë" e Matrangës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje, që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe vetë katekizmin, që është mёsim e udhëzim për njohjen e doktrinës së krishterë dhe mësimet e Kishёs në formën e pyetje -përgjigjeve. Në hyrje, duke ia kushtuar veprën kardinalit Ludovico II de Torres, kryeipeshkёv i Monreales, Matranga shpjegon se përkthimi ishte bërë për t'u përdorur nga besimtarët e krishterë arbëreshë që nuk e kuptonin variantin italisht të katekizmit në qarkullim, duke theksuar se ai do t'u vlente "qindra familjeve në Kalabri e në Pulje" me prejardhje shqiptare për përforcimin e fesë së tyre të krishterë.

Nё "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë) tё papas Luca Matranga kemi edhe njё vjershё tё parë që i takoi të botohet në gjuhën shqipe, e cila përbëhet nga tetë vargje në njëmbëdhjetërrokësh me rimë të këmbyer. Ajo përmban një mesazh të çmueshëm e prekës shpirtëror dhe një ide prekëse e titullohet thjesht 'Canzona spirituale' – 'Këngë e përshpirtshme':

"Cghithaeue u thaerés cux do ndaegliésae,
Tae mirae tae chraextée bura e gràa,
Mbae fiàaet tae tinaezòt tae xichi méxae,
Sé sixtae gnerij néx cciae mcà¡tae scàa,
Elum cux e cuiton sé càa tae vdésae,
E mentae bà¡xcae mbae taenaezònae i càa,
Sé chrixti ndae parràisit i baen piésae,
E baen paer bijr tae tij e paer vaelàa."

(Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë,
Të mirë të krështee burra e graa,
Mbë fjalët të tinëzot të shihi meshë,
Se s'ishtë njeri nesh që mkatë s'kaa;
E lum kush e kujton se kaa të vdesë,
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kaa;
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
E bën për bir të ti e për vëllaa.). 

06 maj 2020, 07:09