Kërko

Vatican News
2019.05.31 Visitazione della Beata Vergine Maria 2019.05.31 Visitazione della Beata Vergine Maria  

Më 31 maj përfundon muaji maj kushtuar nderimit të Marisë Virgjër

Më 31 maj, në mbarë botën e krishterë katolike kremtohet përfundimi i muajit të nderimit tё Zojës së Bekuar. E sivjet 31 maji përkon me solemnitetin e Rrëshajëve, kёshtu, Kisha na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, së cilës t’i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja.

R.SH. - Vatikan

Sipas traditës, më 31 maj, në mbarë botën e krishterë katolike kremtohet përfundimi i muajit të nderimit tё Zojës së Bekuar. E sivjet 31 maji përkon me solemnitetin e Rrëshajëve, kёshtu, Kisha na fton të gjithë besimtarëve të mblidhemi në uratë, siç patën bërë Apostujt, e të lutemi për ndikimin e Shpirtit Shenjt, në bashkim shpirtëror me Virgjërën Mari, së cilës t’i kërkojmë që, me ndërmjetësinë e saj, të na nxjerrë hirin e Rrëshajëve të reja. Kisha, me kёtё rast, na fton të bashkohemi shpirtërisht me Virgjërën Mari, ndërsa kremtojmё këtë festë dhe takim me Shpirtin Shenjt Zot.

Dita e 31 majit, është dita në të cilën Kisha katolike kremton festёn e Pasisё sё Zojës Mёri tek Elizabeta, pra, kujton Marinë, e cila shkon nga shtëpia e Nazaretit në shtëpinë e Elizabetës. Pasi i ka thënë “po” Zotit dhe e pranoi Jezusin në zemrën e vet, Maria nuk mund të rrijë në shtëpinë e saj, ndjen nevojën të shkojë në shtëpinë e një tjetre, për t’iu gjendur pranë, për t’i shërbyer. Në përfundim të majit ne dëshirojmë t’ia ngulim sytë Virgjërës Mari, që del nga shtëpia e Nazaretit, për të dalë edhe ne nga shtëpitë tona, për të ecur në rrugët tona, me zemrën plot dashuri, në mënyrë që kush të na takojë e të na pyesë – siç e patën pyetur Nënë Terezën: “Pse i bën këto gjëra?” - të mund të përgjigjemi: “Sepse m’i ka mësuar Zoti im, që quhet dashuri”.

Çka tё mësojmë nga muaji maj, duke ndjekur edhe mësimet e Papës Françesku?

Siç pohonte Pali VI në një homeli, nuk mund ta lëmë muajin e majit të kalojë, pa rindezur devocionin tonë për Marinë, por edhe pa u vënë për udhë drejt vëllezërve tanë, si na mëson vazhdimisht Papa Françesku. Festa e Pasisё sё Zojës Mёri tek Elizabeta është e vetmja festë mariane e majit, parashikuar nga reforma e Papës Montini. Maji, prandaj, është edhe muaji i Pasisë, muaji i Virgjërës së vënë për udhë. E ta nderosh kështu Marinë në muajin e saj, domethënë ta konceptosh jetën si vijim të amësisë së Nënës së Krishtit, të rizbulosh e t’i ndihmosh edhe të tjerët të zbulojnë se Krishti është përgjithmonë e jetës Zoti me ne, i mishëruar në kraharorin  e Marisë, për të jetuar si ne e për të na sjellë dhuratën e parrëfyeshme të pranisë së Tij. E duke e kremtuar kështu muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Maria do të na ndihmojë t’i shërojmë plagët që na hap çdo ditë jeta, të krijojmë frymën e bashkimit e të mbushemi  me të njëjtin ngazëllim, që e pati mbushur zemrën e Elizabetës, ditën kur pati fatin të takohet me Nënën e Zotit!

 

Pse është bërë traditë, në fund të majit, organizimi i procesioneve kushtuar Zojës së Bekuar? Ç’kuptim kanë?

Procesioni na nxit të meditojmë për misterin e Vizitës së Virgjërës Mari tek Shën Elizabeta, në sa mbante në kraharor Jezusin. Ajo është vajzë e re, por nuk ka frikë, sepse Zoti është me të, brënda saj. E ne, në një farë mënyre, mund të themi se ky udhëtim i saj qe proçesioni i parë i historisë. Tabernakull i vërtetë i Zotit të mishëruar, Maria është arka e Besëlidhjes, në të cilën Zoti e vizitoi dhe e shpërbleu popullin e vet. Procesioni na kujton edhe çastin kur Zoja hyri në shtëpinë e Elizabetës e Gjoni kërceu prej hareje në kraharorin e s’ëmës, gati sikur të donte të paralajmëronte ardhjen e Atij, që në një të nesërme do t’ia kumtonte Izraelit. Galdojnë foshnjat, galdojnë nënat. E ky takim përplot me gëzimin e Shpirtit Shenjt gjen shprehjen e vet tek Magnificat, që vijon të jehojë në zemrat e besimtarëve, për të shprehur gëzimin e Kishës, e cila e mirëpret gjithnjë Krishtin në Eukaristinë shenjte dhe e çon në botë, me dëshiminë e bamirësisë vepruese plot fe e shpresë. Po, gëzimi i vërtetë i të krishterit është pikërisht ta mirëpresë Jezusin e t’ua çojë edhe të tjerëve. Prandaj mund të themi me plot gojën se dita e fundit e Muajit të Zojës tingëllon si ftesë drejtuar gjithë të krishterëve për ta ndjekur e për ta imituar Virgjërën Mari, gruan me shpirt eukaristik, që jeta e secilit të bëhet një Magnificat – një këngë e vërtetë lavdërimi lartuar Zotit!

Muaji maj i Zojës në trevat shqiptare

Kujtojmë se  në trevat shqiptare muaji maj i Zojës nisi të kremtohej njëherësh me Evropën e krishterë, kur shqiptarët ecnin ende me të njëjtin hap. Marisë nisën t’i kushtohen një mori shkrimesh, duke filluar nga vepra poetike e arbëreshit Jul Variboba “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, për të vijuar me  disa libra meditimesh e uratësh, shkruar nga penat më në zë të letrave shqipe të kohës, ndërmjet të cilave po kujtojmë vetëm Dom Ndre Mjedjen, që ribotoi 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum” dhe  Imzot Vinçenc Prennushin, që i kushtoi librin “Moji i majit”. Pastaj erdhën kohë të mugëta, kur veprat kushtuar Zojës u fshehën ndër skuta. U fshehën e nuk po dalin më në dritë.

Meriton, prandaj, të studiohet, së paku për vlerat gjuhësore, hagjiografia mariane, një “tufë me lule fjalësh shqipe” për majin e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore Qiellore e shqiptarëve.  Kujtojmë se dita e fundit e muajit të Zojës kremtohet në qindra Kisha e kapela, kushtuar Nënës së Krishtit në të katër anët e botës, e po kështu edhe në Shqipëri, në Kosovë e në vise tjera shqiptare, posaçërisht në shenjtëroret kombëtare të Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa në Shkodër, në shenjtëroren e mirënjohur të Zojës në Letnicë të Vitisë, në Zymë të Prizrenit e vende tjera.

30 maj 2020, 16:24