Kërko

Vatican News
2019.02.25 La Croce di Gesù La Croce di Gesù 

Më 23 maj kalendari përkujton Shën Gjon Pagëzuesin de Rossi

U shugurua meshtar më 1721 dhe misioni tij meshtarak iu kushtua posaçёrisht kategorive më varfra e tё përvuajta të Romës, veçanërisht të varfërve e të sëmurëve në spitale, tё cilëve iu kushtoi shumë kohë pёr Sakramentin e Rrëfimit. Një kujdes tё posaçëm për gati pesëdhjetë vjet pati për spitalin e Shën Galla, tё cilin e riorganizoi materialisht dhe vendosi momente të ndryshme lutjeje e devotshmërie: çdo mbrëmje rrinte pёr disa orë, gjithmonë në disponim tё të varfërve.

R.SH. - Vatikan

Shën Gjon Pagëzuesin de Rossi lindi më 22 shkurt 1698 në Voltagjio të Gjenovës, prej nga u largua që në moshën 13 vjeçare, për të shkuar në Romë, ku një xhaxha i tij ishte meshtar e kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kosmedin. Në Romë ndoqi liceun e jezuitëve pranë Kolegjit Romak, ku edhe vendosi të bëhej meshtar. Në këtë periudhë u godit për herë të parë nga epilepsia, sëmundje që nuk iu nda gjithë jetën. 

U shugurua meshtar më 8 mars 1721 e që atëherë iu kushtua me zell të jashtëzakonshëm apostullimit ndërmjet studentëve të varfër e njerëzve të braktisur, të cilin e kishte nisur që kur ishte nxënës. Nga ky apostullim lindi ‘Bashkimi i përshpirtshëm i priftërinjve shekullarë të Shën Galës’, sipas emrit të strehës mashkullore drejtuar prej tij 'Pia Unione dei Sacerdoti Secolari di Santa Galla'.

Pas kësaj Gjoni u përpoq të hapte edhe një strehë tjetër femërore. Ia arriti qëllimit. Streha e re u quajt me emrin e Shën Luigj Gonzagës, për të cilin kishte devocion të veçantë. Nuk kishte lindur për t’u bërë prijës. I mjaftonte të bindej e të punonte me të gjitha forcat, pa u ankuar asnjëherë, pa komanduar kurrë, pa e shkarkuar barrën e punës së vet mbi kurrizin e të tjerëve.

I zgjedhur kanonik i Kishës së Shën Marisë në Kozmedin, u shkarkua nga detyra e drejtuesit të korit, për t’iu kushtuar më lirisht misionit të tij apostolik.
Në muajt e fundit të jetës sëmundja e epilepsisë iu rëndua aq, sa u bë për të Kalvar i vërtetë. E ai iu ngjit kalvarit të jetës së vet, duke pasur gjithnjë parasysh Jezusin e Kryqëzuar. Vdiq më 23 maj 1764. U shpall Shenjt nga Leoni XIII më 8 dhjetor 188.

23 maj 2020, 11:26