Kërko

Vatican News
2019.05.14 San Mattia 2019.05.14 San Mattia 

Më 14 maj kalendari kishtar përkujton Shën Matinë, Apostull

Matia është i vetmi nga të Dymbëdhjetët, që nuk u thirr drejtpërdrejtë nga Jezusi, por gjithsesi qe me Krishtin që në fillim e deri në fund të jetës së Tij publike, duke u bërë dëshmitar i vdekjes dhe i ngjalljes së Jezusit. Emrin e Matisë e gjejmë vetëm këtë herë në Besëlidhjen e Re.

R.SH. - Vatikan

Emri Mati vjen nga hebraishtja e do të thotë: Njeri i Zotit. Portretin e Shenjtit na e përshkruan, gati pa dashur, vetë Shën Pjetri. Pas ngjitjes së Jezu Krishtit në qiell, ai i thotë bashkësisë së vogël të krishterë të Jerusalemit se duhej zëvendësuar Juda Iskarioti, tradhtari, për ta plotësuar sërisht numrin e 12 apostujve. E i lë vetë vëllezërit në fe të zgjedhin.

Atëherë bëhet zgjedhja, sipas këtyre porosive të Pjetrit: “Apostulli i ri duhet zgjedhur ndërmjet atyre, që ishin shokë gjatë gjithë kohës, në të cilën Zoti Jezus jetoi ndërmjet nesh, duke nisur nga pagëzimi i Gjonit, deri në ditën kur prej nesh u ngjit në qiell”. Kështu lexohet në Kapitullin e parë të Veprave të Apostujve. Besimtarët ia vunë gishtin dy vetëve, që i kishin këto cilësi. Njëri ishte Matia, tjetri, Jozefi, i mbiquajtur Barsabbà.

Si arritën në këtë pikë, shtinë short, pasi iu luten Zotit kështu: “Ti, që e njeh zemrën e të gjithëve, tregona cilin prej tyre e ke caktuar të zërë vendin në këtë detyrë e apostullim, të cilin e braktisi Juda, për të shkuar në vendin që e zgjodhi vetë!” Shorti i ra Matisë, e ai u bashkua me njëmbëdhjetë apostujt.

Matia, pra, është i vetmi nga të Dymbëdhjetët, që nuk u thirr drejtpërdrejtë nga Jezusi, por gjithsesi qe me Krishtin që në fillim e deri në fund të jetës së Tij publike, duke u bërë dëshmitar i vdekjes dhe i ngjalljes së Jezusit. Emrin e Matisë e gjejmë vetëm këtë herë në Besëlidhjen e Re.

Më pas nuk dimë asgjë të saktë: kemi vetëm tregime të traditës, pa baza historike, të cilat flasin për predikimin dhe vdekjen e tij në emër të Jezu Krishtit, por me një pasaktësi të plotë mbi vendet përkatëse: disa i vendosin ngjarjet e jetës së Apostullit në Judé, të tjerë, në Etiopí. Historiani i Kishës, Euzebi i Çezaresë (265 – 340) në historinë e tij kishtare, shkruan se nuk ekziston kurrfarë liste e shtatëdhjetë nxënësve të Jezusit ( veç asaj të Apostujve) e shton: “Tregohet se edhe Matia, që u bashkua me Apostujt në vend të Judës, e edhe shoku i tij, që pati nderin të kandidonte për këtë detyrë, qenë gjykuar të denjë ndërmjet të shtatëdhjetëve.

Shën Matia Apostull, qe zgjedhur pas Pashkëve në vendin e Judës Iskarioti. Ai kujtohet për besnikërinë e patundur si dëshmitar që e ndoqi pas Jezusin gjatë gjithë jetës së tij tokësore. E ky shembull na jep një mësim tjetër. Edhe në se në Kishë nuk mungojnë të krishterët e padenjë e tradhtarë, na takon ne të gjithëve ta shpërblejmë të keqen e kryer prej tyre me dëshminë e pastër që japim për Jezu Krishtin, Zotin e Shëlbuesin tonë. ( Benedikti XVI audienca e përgjithshme e 18 tetorit 2006).

Prej këndej mund të themi se Matia duhet të ketë bërë pjesë në numrin e 72 nxënësve, të cilët Jezusi i dërgoi dy nga dy përpara tij, për të predikuar në çdo qytet e në çdo vend, ku do të shkonte, e që u kthyen plot entuziazëm, duke thënë: “Zot, edhe djajtë na binden në emër tënd. Ndonëse tradita flet për Matinë si ungjillëzues i Lindjes së Mesme e i Afrikës, emri i tij arriti që në shekujt e parë edhe në Evropën veriore e qyteti i lashtë gjerman Trier e nderon si Pajtor. Emri Mati është shumë i përhapur ndër shqiptarë, ku shpesh ka marrë trajtat: Matish e Tish.

14 maj 2020, 11:14