Kërko

Vatican News
2019.04.19 Passione di Gesù Cristo,  Ecce Homo,  Crocifisso  venerdi santo 2019.04.19 Passione di Gesù Cristo, Ecce Homo, Crocifisso venerdi santo 

Më 11 maj kalendari përkujton Shën Anthimin me shokët e tij martirë

Me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i tërbuar kundër tyre. Kёshtu shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin, Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër, e dëshmuan fenё në Krishtin.

R.SH. - Vatikan

Më 11 maj, kalendari kishtar përkujton Shën Injacin prej Lakonit e Shën Gualtierin, si dhe Shën Anthimin dhe shokët e tij martirë: Maksimin, Basin, Fabin, Sisinin diakon, Dioklecianin, Fiorencin, Faltonin Piniano e Aniçia Lucinën, shenjtër e dëshmitarë të Krishtit. Këta martirë, të martirizuar e të nderuar në vende të ndryshme, lidhen ndërmjet tyre përmes Akteve të Anthimit.

Falton Piniani, bashkëshort i Aniçia Luçinës, stërnip i Perandorit Galieni, qe dërguar nga Diokleciani e Maksimiliani si prokonsull në Azi. I tronditur thellë nga fundi i këshilltarit të tij, Keremonit, persekutues i të krishterëve, që vdiq nga një sëmundje e tmerrshme, u sëmur edhe ai vetë. E shoqja, si e pa se mjekimet nuk kishin asnjë rezultat, iu lut të krishterëve që ishin akoma në burg, të ndërmjetësonin për shërimin e të shoqit. E në burg ishin Anthimi, diakoni Sisini, Maksimi, Basi, Fabi, Diokleciani e Fiorenci. Anthimi e siguroi gruan e dëshpëruar se i sëmuri do të shërohej në se do kthehej në fenë e krishterë. E kështu edhe ndodhi.

Atëherë Piniani i liroi të gjithë të krishterët që ishin nën kontrollin e tij, duke i fshehur në pronat që kishte në Sabinë e në Piceno. Një prej trojeve të tij ia fali Sisinit, Dioklecianit e Fiorencit, të cilët pas tri vjetësh, me që nuk pranuan të flijonin për nder të idhujve, u mbyten me gurë nga populli i tërbuar kundër tyre. 

Anthimi, i fshehur në një vilë të Pinianit në rrugën romake Salaria, pasi shëroi e ktheu në fe një adhurues të flaktë idhujsh dhe shkatërroi gjitha hyjnitë që ai mbante në shtëpi, qe paditur tek Prokonsulli Prisku; i hedhur në lumin Tiber me një gur të lidhur në qafë, doli mrekullisht shëndosh e mirë nga ujërat. Atëherë Prisku ia preu kokën e qe varrosur në Uratoren ku lutej.

Pas tij iu pre koka edhe Maksimit e u varros në të njëjtën Uratore. Basi, që u jepte zemër besimtarëve për t’i përballuar provat e reja, u arrestua e, me që nuk pranoi të flijonte për Bakun e Cereren, u masakrua nga populli në tregun e Forum Novum. Fabi u kap dhe, si u torturua në të njëjtin vend, iu pre koka. Piniani e Lucina vdiqën nga vdekje natyrore në Romë. 

Të dhënat e hollësishme për martirët, të cilët kremtohen në data të ndryshme i gjejmë në Martirologun Romak dhe në Martirologun Jeronimian. Prej tyre më 11 maj kremtohen Sisini, Diokleciani e Fiorenci. Më i përhapur është kulti i Shën Anthimit, të cilit iu kushtuan shumë Kisha.

11 maj 2020, 09:37