2020.03.18 La Madonna del Buon Consiglio di Lin Delia 2020.03.18 La Madonna del Buon Consiglio di Lin Delia 

At Gjergj Fishta: Zojës së Këshillit të Mirë

At Gjergj Fishta: 8 Jo, po; na e dijm, o Zojë,/ Se gjâ e Jotja âsht Shqypnija,/ E se vetë Perendija/ Fatin e sajë n’dorë T’ la./ Prandej t’a lypë Tý ndera/ Shqypnis m’i u bâ mburojë,/ Me i dalun zot perhera/ Të lirë me e ruejtë gjithka’.

Urata e atdhetarit shqyptar Zojës së Këshillit të Mirë.

1 T’falem, o Zojë ! – Shqypnija
Sot teper keq ka ngelun,
Gjithkush po don me e shkelun,
Gjithkush pa gjýq i a bân.
Nji mik kurrkund s’po e ká
Qi zot me i dalë nder t’ kqija;
T’gjith moti i shkon tue kjá;
N’lot t’rîme buken han.

2 E prá ato nânat t’ona
Na kanë pasë thânë q’n’fminí
Se ksajë s’mjeres Shqypní
Gjithmonë Ti i ké dalë zot;
Se ajo Tý t’ka Pajtore,
Se as heret, as ne e vona
Ti kurr s’e ké lshue dore:
S’e lae me dnesë nder lot.

3 Po e pse na t’kqí qillueme
E t’zhyem nder faje e vese;
Ti mâ s’po perkujdese
Per ketë t’mjeruemin vend,
Kú shpata e Gjergj Kastrjotit
N’ato kohët e kalueme
Vetoi nder lufta t’Zotit,
Si rrfeja mbi dervend?

4 Ah! jo, o Ti Nâna e hirit!
Pse sado t’kqí qi jemi,
Nuk don me thânë se s’kemi
Tager n’projtimin t’And.
Ti streha jé e mkatnorvet,
Ti krah perpara Birit
U bâhe p’rherë fajtorvet
Me humbun s’don kurrkand.

5 Ani, prá sod prej qiellet
Kú jé rrethue me hire,
Sýnin mbí né Ti prire
Plot mshirë e ambelcim;
E mos premto qi i huej
Pa frigë nder né të siellet;
Të lirë Shqypnin na e ruej
Me nderë e me lulzim.

6 Ndritjau menden Shqyptarvet,
Qi t’lidhin besë e fé
E si motit p’r Atdhé
T’qindrojn kta me gajret:
Qi mos t’u dhimbet jeta
Per t’mbrojtun dhén e t’Parvet:
Qi t’mbájn p’rherë ka’ e verteta
Kû e shêjtë detyra i thrret.

7 Punen siellna per s’mbarit,
Mos lên qi zija e dâmi,
Morija, vêmja e grâmi,
T’randohen këtij dheut;
E bân qi Feja t’njallet
Me Shpresë n’zêmer t’Shqyptarit,
Qi flakë Dashtnija t’kallet,
N’Atdhé të Skanderbeut.

8 Jo, po; na e dijm, o Zojë,
Se gjâ e Jotja âsht Shqypnija,
E se vetë Perendija
Fatin e sajë n’dorë T’ la.
Prandej t’a lypë Tý ndera
Shqypnis m’i u bâ mburojë,
Me i dalun zot perhera
Të lirë me e ruejtë gjithka’.

9 T’a dijsh, prá, o Nânë e Kshillit
Se, t’mirë a t’kqí, si t’jemi,
Jem t’Ut me gjithshka kemi,
Me shpirt, me Atdhé, me trup;
Se ndihmë prej Teje presim
Mbi tokë e shtekut t’ qiellit,
Se shpresen m’Tý veç pshtesim :
N’daç pshtona, n’daç na hup.

At Gjergj Fishta OFM; ‘Vallja e Parrizit’, fq. 33-35

25 prill 2020, 18:40