Kërko

1587716252415.jpg

Ramazani në kohën e koronavirusit: xhamitë mbyllur e lutja, në shtëpi

Filloi gjatë natës së 24 prillit, muaji i shenjtë i agjërimit për Islamin. Rreth 1.8 miliardë besimtarë myslimanë në të gjithë botën nuk do të mund të luten në xhami. Por kulti mbetet, nënvizon në mikrofonin tonë Abdellah Redouane.

R.SH. - Vatikan

Pa namazin kolektiv në perëndim të diellit, pa iftarin, që shënon fundin e agjërimit në darkë, vërtet me xhami të mbyllura, por Ramazani, muaji i shenjtë i agjërimit për myslimanët, kushtuar lutjes, meditimit dhe vetë-disipliminit, pa dyshim do të kremtohet. Sekretari i përgjithshëm i Qendrës Kulturore Islamike të Italisë, e njohur si Xhamia e Madhe e Romës, Abdellah Redouane, shpjegon qartë se pandemia e Covid-19 e ndryshon ecurinë e këtij muaji, por kulti mbetet. “Në vend që të shkohet në xhami, njerëzit do të luten nga shtëpia”, nënvizon ai masën e marrë për myslimanët e gjithë botës, edhe për ata shqiptarë, siç mund të shihet qartë në faqet e internetit të bashkësive përkatëse. “Këto javë - pohon Redouane – u mësuam të bashkëjetojmë me virusin, i cili ia ka ndryshuar jetën e përditshme secilit. Varet nga ne besimtarët interpretimi sa më i mirë i këtij kulti, duke ndjekur të njëjtat parime dhe të njëjtat rregulla të Ramazanit të zakonshëm, me përjashtim të shkuarjes në xhami”.

Besimtarët do të ndjekin udhëzimet e do të rrinë në shtëpi

 Organizata Botërore e Shëndetësisë, në rekomandimet e saj të veçanta për myslimanët gjatë Ramazanit, këshillon që më të ligshtët e të sëmurët me Covid-19 të pyesin mjekët përpara se të vendosin për agjërimin. Hoxhët i kanë ftuar besimtarët të respektojnë normat e distancimit shoqëror, duke i paralajmëruar përmes internetit se e kanë për detyrë të rrinë në shtëpi. “Sipas njoftimeve tona - thekson Redouane - shumica dërrmuese e besimtarëve janë mjaft të vetëdijësuar për rrezikun, që vjen prej këtij virusi. Ata janë të bindur se qëndrimi në shtëpi është një mënyrë për t’iu kundërvënë përhapjes së tij”.

Masa drastike për të shmangur infektimin

 Në gjithë botën, mbajnë Ramazan rreth një miliard e 800 mijë besimtarë. Shumë qeveri kanë shprehur shqetësimin se ky muaj i shenjtë mund të shkaktojë shkallëzimin dramatik të pandemisë, ngaqë shumë njerëz mund ta vënë veten dhe të tjerët në rrezik, vetëm e vetëm për të shkuar në xhami. Nga Iraku në Jordani, nga Egjipti në Arabinë Saudite, autoritetet kanë marrë masa të rrepta, që shkojnë nga shtetrrethimi, në shpalljen e fatwa-s me të cilën ndalohet pjesëmarrja në lutjet kolektive. Dy xhamitë më të shenjta për Islamin, ajo e Mekës dhe ajo e Medinës, janë mbyllur. Po kështu, edhe xhamia Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët. Në Pakistan, disa krerë islamikë u rebeluan kundër mbylljes së vendeve të lutjes, por autoritetet i ndaluan njerëzit të mblidhen.

“Dua të jem optimist - vazhdon Redouane - dhe të mendoj se këtë sprovë duhet ta fitojmë së bashku. Të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për përhapjen e këtij virusi dhe të pranojnë ato që quhen rregulla kufizuese, por që unë i quaj masa mbrojtëse për besimtarët, është sfidë e përbashkët”. Rolin qendror e luajnë imamët, të cilët edhe pse jo nga foltorja e xhamisë, do të komunikojnë me besimtarët përmes internetit dhe “do të vazhdojnë ta luajnë rolin themelor të vetëdijësimit të besimtarëve: nga njëra anë, duke ftuar të ndiqen normat e, nga ana tjetër, duke respektuar ritet fetare”.

Fjalët e Papës janë dritë për të gjitha fetë

Në këtë kohë “të pezulluar”, fetë duhet të bëhen dëshmitare të vëllazërimit universal. Shembull për këtë ishte letra, që i dërgoi Papës Françesku, ajatollahu Alireza Arafi, rektori i Universitetit Ndërkombëtar të Mustafait në Qom të Iranit, ku shprehej nevoja që, në këtë kohë vuajtjesh për vendet dhe kombet, të formohet një “bashkësi e feve qiellore në shërbim të njerëzimit”. Fetë, përfundon Redouane, “duhet ta konkretizojnë vëllazërimin universal me vepra bujarie për të tjerët, për të afërmit e, në këtë pikë, mendoj se Papa Françesku po luan një rol të rëndësishëm. S’ka ditë që të mos bëjë ndonjë deklaratë në këtë drejtim. Mendoj se Papa, në periudhën e territ, që po jetojmë, është dritë që ndriçon rrugën e të gjithë njerëzve, pavarësisht nga fetë. Krerët e tjerë fetarë duhet të bëjnë të njëjtën gjë”.

 E me këtë shpresë në zemër, u urojmë të gjithë besimtarëve myslimanë, kudo ndodhen, muajin e shenjtë të Ramazanit.

24 prill 2020, 10:25