Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme Domenica delle Palme - Gesù entra a Gerusalemme 

E Diela e Larit: “Po vjen Mesia!”

“Po vjen Mesia!” / Hapat e tu po shkelin/ në udhë t’ Jeruzalemit. / Ti ecën, e di se turma po të pret…/Mesinë pret padurueshëm. /Ecin e presin…/ Presin Mesinë që të keqen ta shkulë/.. Në fytyrën tënde shikojmë,/faqen më të ndritur të jetës, /e më të panjollë! /Erdh koha e zgjimit! /Si diell na depërton ndër dej! /Një rreze e vetme/që ndrit e na prin/ në rrugën tonë drejt qiellit!

R.SH. - Vatikan

Meditim mbi Liturgjinë e së Dielës së Larit: “Po vjen Mesia!”

 

“Po vjen Mesia!”

Hapat e tu po shkelin

në udhë t’ Jeruzalemit.

Shtegtimi po mbërrin në cak...

Erdhi dhe çasti të hysh në Qytetin Shenjt,

për të shkuar der’ në fund të fundit

të kushtojë sa të kushtojë

edhe vetë jetën!

Ti ecën, e di se turma po të pret…

Mesinë pret padurueshëm.

Ëndrrat e njerzve ngatërrohen

shtegut me hapat e Tu…

Ecin e presin…

Presin Mesinë që të keqen ta shkulë

e ta pëmbysë me shpatë.

Se e keqja veç forcën kupton,

e zhduket veç me kamxhik.

Kështu mendon turma, që të vjen pas

e kështu shpreson!

Dhe unë, mes turmës dëshiroj

ta shoh të keqen

të shembur përdhe.

Të shoh kah fshikullon kamxhiku,

mbi shpinë të atij që shtyp,

e të flaken në fund të ferrit,

planet e maskarenjve,

shestimet e mashtruesve,

që botën e shkelin nën thembër.

Një botë e tërë sot lëviz pas Teje,

e Ti e di se armiqësia

të rrethon nga të katër anët...

Se farizenjtë s’e falin

atë që flet për mëshirë.

Priftërinjtë s'mund t'i durojnë,

fjalët e tua të zjarrta,

kamxhikun që fishk’llon për fe

në tempull, shndërruar në treg

ku shitet e blihet pa turp

kombi e shpirti!  

Po ti i njeh edhe njerëzit e thjeshtë

e di se gati janë ta hapin shpirtin

për mëshirën tënde,

ngushëllimin tënd,

ilaç për zemrat e thyera.

Për to erdhe në botë:

për njerëzit e dërmuar,

që ecin zemërplasur,

e presin prej teje shpëtimin.

Për ta po hyn ngadhënjyes

në Jeruzalem.

Larg nesh myku i mendimeve të vjetra.

Në fytyrën tënde shikojmë,

faqen më të ndritur të jetës,

e më të panjollë!

Erdh koha e zgjimit!

Si diell na depërton ndër dej!

Një rreze e vetme

që ndrit  e na prin

në rrugën tonë drejt qiellit!

 

05 prill 2020, 12:35