La Madonna della Providenza  La Madonna della Providenza  

Muajin maj Kisha ia kushton nderimit të Zojës së Bekuar

Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës e thotë: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë.

R.SH. - Vatikan

Fillon muaji i majit e, kur thuhet maj, mendja të shkon menjëherë te Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari. Maji është muaji që i kushtohet Zojës, është koha e bashkimit më të ngushtë me Nënën e ne të gjithëve, e cila na prin tek Jezusi. Muaji i majit, vetvetiu, i është kushtuar Zojës, sepse është muaji i bukurisë, muaji i shpërthimit të jetës e asnjë krijesë nuk është më e bukur se Maria; asnjë krijesë nuk i ka kënduar jetës si Maria. Prandaj muaji i majit është muaj marian.

Si lind devocioni për Zojën e Bekuar?

Devocioni për Zojën e Bekuar lind nga vetë historia e shëlbimit, është vepër e vetë Zotit. Shën Luka ungjilltar i paraprin tregimit mbi Lajmërimin e Zojës nga Engjëlli Zotit me disa fjalë, që kanë një kuptim jashtëzakonisht vendimtar. Thotë Ungjilltari: “Engjëlli Gabriel qe dërguar nga Zoti në një qytet të Galilesë, të quajtur Nazaret, tek një virgjër me emrin Mari”. Kjo shtesë ka rëndësi vendimtare: na tregon se është Zoti ai që e dërgoi Engjëllin. Prej këndej, edhe se është Zoti ai që e zgjodhi Marinë. Ishte Zoti ai që trokiste te porta e zemrës së Marisë; kjo portë u hap dy kanatash përpara Hyjit e që atë çast Maria u bë bashkëpunëtorja më e madhe në planin e shëlbimit. Maria është vazhdimisht pranë Jezusit, nuk ndahet kurrë nga ai. Në se ndahet Biri nga Nëna ose Nëna nga Biri, bëhet diçka që është kundër zgjedhjes së Zotit. Prandaj themi se Maria na merr për dore e na çon te Krishti.

Po, cilat janë elementet kryesore të muajit marian?

Çasti më i rëndësishëm i muajit maj duhet të jetë ai i rizbulimit të lutjes mariane e posaçërisht i thënies së Rruzares në shtëpi, në gjirin e familjes. Mund të themi se dikur Rruzarja ishte një element i domosdoshëm për jetën e përditshme të familjes së krishterë. Familja e krishterë shqiptare e ka traditë të mblidhet çdo mbrëmje për të thënë Rruzaren Shenjte. Kur nuk kishte televizor, madje as dritë; gjithsesi nën dritën e kandilit (që ndizet shpesh herë edhe sot) familja ndjehej mrekullisht e lume. Sa binte muzgu, këmbanat e Kishës këndonin ‘Ave Marinë’, e familjet ishin përplot me Zotin, në sa i luteshin Hyjit së bashku me Zojën e Bekuar. 

Një këshill dëgjuesve e besimtarëve shqiptarë për ta thënë sa më mirë Rruzaren Shenjte?

Për ta thënë mirë uratën e Rruzares është e nevojshme që në shtëpi të ndjehet atmosfera e lutjes. Lutja nuk vjen vetvetiu. Në se në shtëpi ndjehet fryma e fesë, është e lehtë të krijohen kushtet e nevojshme për të thënë me fe e gjithë zemër Rruzaren. Para së gjithash duhet që të mblidhen të gjithë anëtarët e familjes së bashku, babai, nëna, bijtë e bijat e në se janë, edhe gjyshi e gjyshja, sepse Rruzarja është e bukur, e fuqishme, kur e thotë mbarë familja së bashku, kur i luten Zotit të gjithë një zëri. Duke lutur së bashku Rruzaren, ndjehet zëri i popullit të Zotit, familja bëhet një gjë e vetme me Të, ndjehet misteri i Jezusit të pranishëm në mes të atyre që janë mbledhur në emër të Tij.

Falemi Mërí, hírplote, Zoti me ty, 
bekue jé mi gjith grá 
e bekue fryti i barkut t’yt Jezus.
Shêjtja Mrí, âma e Tenzot, 
lutu për né mëkatnorët, 
tash e në fill të mordës s’onë. 
Ashtu Kjoftë.

T’Falemi, Mrí! 
 
Të falemi, o Mrí! Virgjina e dlir',
O Nana e bukur e K'shillit t'Mirë;
Ty ndimë të kena në ket' shkretí:
T’ falemi, o Mrí, të falemi, o Mrí

Të falemi Virgjin', Nana e Tenzot,
Ndihma e kshtenimit me hire plot;
T'biej në mend se Zoja e Shkodrës je:
Lutu për ne, lutu për ne!

 Lutu, po, e derdhi hiret e m'dhaja
Si n'kohët e moçme n'kishë te Kalaja,
Ku t'lutej Shkodra plot me dobi;
Të falemi, o Mrí, të falemi, Mrí!

 Lutu, Shqiptarët, o Zojë, të tanë
Te Ti e çojnë zanin në Gjenacanë:
Mëshirë, të luten, t'kesh për Shqypni!
Të falemi, o Mrí, të falemi, o Mrí! 

Nga krijimet poetike të Atë Pjetër Mëshkallës 

30 prill 2020, 12:18