Statua San Paolo, in Vaticano  Statua San Paolo, in Vaticano  

Marrëdhëniet e Palit me Apostujt, mbështetur në Krishtin e Gjallë

Marrëdhëniet e Palit me Apostujt, mbështeteshin në Krishtin e Gjallë që e ndoqën Krishtin përpara tij. Feja jonë nuk lind nga një mit, as nga një ide, por nga takimi me të Ngjallurin, në jetën e Kishës.

R.SH. - Vatikan

Dëshirojmë të flasim mbi marrëdhëniet ndërmjet Shën Palit e Apostujve, që e ndoqën Krishtin përpara tij. Këto marrëdhënie mbështeteshin në Krishtin e Gjallë e shquheshin gjithnjë nga respekti i thellë, e njëkohësisht nga çiltërsia me të cilën Apostulli i Popujve, Pali e mbronte të vërtetën e Ungjillit. Ndonëse edhe Pali ishte bashkëkohës me Jezusin e Nazaretit, nuk pati kurrë mundësi ta takojë gjatë jetës së Tij publike. Prandaj, kur u verbua në rrugën e Damaskut, ndjeu nevojën të këshillohej me dishepujt e parë të Mësuesit Hyjnor, që i zgjodhi Ai vetë për ta çuar Ungjillin deri në skajet më të largëta të tokës.

Në Letrën drejtuar Galatasve, Pali përpilon një relacion kushtuar marrëdhënieve me disa nga të Dymbëdhjetët: në mënyrë të posaçme me Pjetrin, i cili qe zgjedhur si Kephas, fjalë aramaike, që do të thotë shkëmb, mbi të cilin po ngrihej Kisha (cfr Gal 2,9), me Jakun, ‘vëllain e Zotit’ (cfr Gal 1,19) e me Gjonin (cfr Gal 2,9): Pali nuk ngurron t’i njohë si shtyllat e Kishës. Posaçërisht i rëndësishëm është takimi me Kefën (Pjetrin), në Jeruzalem; Pali ndenji pranë tij 15 ditë ‘për t’u këshilluar me të’ (cfr Gal 1, 19), ose më mirë të themi, për t’u njohur me jetën tokësore të Krishtit të Ngjallur, i cili e kishte ‘rrëmbyer’ në rrugën e Damaskut e po ia ndryshonte rrënjësisht jetën: nga persekutues i Kishës së Zotit, u bë ungjillëzues i asaj feje në Mesinë e kryqëzuar e Birin e Hyjit të cilën, në të kaluarën, kishte bërë çmos ta shkatërronte (cfr Gal 1,23).

Ç’ njoftime mori Pali për Jezusin gjatë tri vjetëve pas takimit të Damaskut? Në Letrën e parë drejtuar Korintianëve mund të dallojmë dy fragmente, me të cilat Pali u njoh në Jeruzalem, të përpiluara si elemente qendrore të traditës së krishterë, traditë themelore. Ai i transmeton gojarisht, ashtu si i ka marrë, me një formulë shumë solemne: “Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta, që edhe unë vetë i mora”. Ngul këmbë, kështu, për besnikërinë mbi gjithçka ka marrë, për t’ua transmetuar besnikërisht të krishterëve të rinj. Janë elemente themelore e lidhen me Eukaristinë e me Ngjalljen e Krishtit. Është fjala për fragmente të formuluara që në vitet tridhjetë. Arrijmë, kështu, tek vdekja, varrosja në zemër të tokës e tek Ngjallja e Jezusit (cfr 1 Cor 15,3-4).

Po i kujtojmë njërën e tjetrën: fjalët e Jezusit në Darkën e mbramë, (cfr 1 Cor 11,23-25) për Palin janë vërtetë qendër e jetës së Kishës: Kisha ndërtohet duke u nisur nga kjo qendër e duke u bërë kështu vetvetja. Përtej kësaj qendre Eukaristike, në të cilën rilind gjithnjë Kisha – edhe për teologjinë e Shën Palit, për gjithë mendimin e tij – këto fjalë patën ndikim të dukshëm në marrëdhëniet vetjake të Palit me Jezusin. Nga njëra anë dëshmojnë se Eukaristia ndriçon mallkimin e kryqit, duke e bërë bekim (Gal, 3,13-14), e nga ana tjetër shpjegojnë rëndësinë e vetë vdekjes e Ngjalljes së Jezusit. Në Letrat e tij, ajo ‘për ju’ e themelimit të Eukaristisë, bëhet ‘për mua’ (Gal, 2,20), duke u përvetësuar, sepse e di që në atë ‘ju’, ishte ai vetë e se Jezusi e pranonte dhe e donte; e nga ana tjetër ‘për të gjithë’ (2 Kor 5-14): kjo ‘për ju’ bëhet ‘për mua’ e ‘për Kishën’ (Ef 5,25), bëhet flijim shpërblyes i kryqit ‘për të gjithë’ (cfr Rom 3,25). Kisha themelohet e njihet si ‘Korpi i Krishtit’ nga Eukaristia e në Eukaristi (1 Kor 12,27), e ushqyer çdo ditë nga forca e Shpirtit të Krishtit të Ngjallur.

Teksti tjetër, mbi Ringjalljen, transmeton përsëri të njëjtën formulë besnikërie. Shkruan Shën Pali: “E njëmend, më së pari ju shpall ato të vërteta, që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona, sikurse e paralajmëroi Shkrimi Shenjt, qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri, si u tha në Shkrimin Shenjt, e iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetave”(1 Kor 15,3-5). Edhe në këtë traditë, që iu transmetua Palit, rikujtohet kjo ‘për mëkatet tona’, e cila thekson se Krishti ia dhuroi vetveten Atit, për të na çliruar nga mëkatet e nga vdekja. Nga ky dhurim i vetvetes, Pali krijon shprehjet më prekëse e më rrëmbyese të marrëdhënieve tona me Krishtin: “Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit” (2 Kor 8,9). Ia vlen të kujtosh komentin me të cilin murgu i asokohshëm agostinian, Martin Luteri, i shoqëronte këto shprehje paradoksale të Palit: “Ky është misteri i madhërishëm i hirit hyjnor për mëkatarët: që përmes një shkëmbimi mahnitës, mëkatet tona nuk janë më tonat, por të Krishtit, e drejtësia e Krishtit nuk është më e Krishtit, por jona” (Koment i Psalmeve të 1513-1515). E kështu u shpëtuam.

kerygma (kumtimin) fillestar, transmetuar gojë më gojë, meriton të vihet në dukje përdorimi i foljes “u ngjall”, në vend të ‘qe ngjallur’, përdorimi i së cilës do të ishte më logjik, në vijim të ‘vdiq’ ... e u varros”. Forma foljore ‘u ngjall’ u zgjodh për të nënvizuar se ngjallja e Krishtit ka të bëjë me të tashmen e jetës së besimtarëve: mund ta përkthejmë kështu: “u ngjall e vijon të jetojë” në Eukaristi e në Kishë. Kështu të gjitha Shkrimet Shenjte bëjnë dëshmi për vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, sepse – siç shkruante Ugo San Vitore – “të gjitha Shkrimet hyjnore përbëjnë një libër të vetëm, e ky libër është Krishti, nga që i gjithë Shkrimi Shenjt flet për Krishtin e përplotësohet në Krishtin”. (De arca Noe, 2,8). Nëse Shën Ambrozi i Milanos mund të thotë se ‘në Shkrimin Shenjt ne lexojmë Krishtin’, këtë e bën sepse Kisha e zanafillës i lexonte të gjitha Shkrimet e Shenjta të Izraelit duke u nisur nga Krishti e duke u kthyer tek Krishti.

Përsëritja e dukjeve të Krishtit të Ngjallur Kefës, të Dymbëdhjetëve, më se pesëqind vëllezërve e Jakut, mbyllet me cekjen se Krishti iu duk edhe vetë Palit në rrugën e Damaskut: “E më së fundi m’u dëftua edhe mua, dështakut” (1 Kor 15,8). Me që ai e persekutoi Kishën e Hyjit, në këtë rrëfim shpreh mendimin se është i padenjë për të qenë apostull, me të njëjtën vlerë si ata që i paraprinë. Por Hiri i Hyjit në të nuk ishte i kotë (1Kor 15,10). Sidoqoftë pohimi se e merr fuqinë nga Hiri hyjnor, e bashkon Palin me dëshmitarët e parë të ngjalljes së Krishtit: ‘Si unë, ashtu edhe ata: kështu predikojmë e kështu edhe ju besuat (1 Kor 15,11). Është i rëndësishëm identiteti e uniciteti i kumtimit të Ungjillit: si ata, ashtu edhe unë, predikojmë të njëjtën fe, të njëjtin Ungjill të Jezu Krishtit, që vdiq e u ngjall e që na dhurohet në të Shenjtnueshmin Sakrament të Eukaristisë.

Rëndësia që i jep ai Traditës së gjallë të Kishës, të cilën ajo ua përcjell bashkësive të saj, dëshmon sa i gabuar është vizioni i atyre, që mendojnë se Pali është shpikës i krishterimit. Para se ta kumtonte Jezu Krishtin, Zotin e tij, ai e takoi në rrugën e Damaskut dhe e ndoqi pas në Kishë, duke e vëzhguar jetën e Tij në të Dymbëdhjetët e në të gjithë ata, që e ndoqën pas, rrugëve të Galilesë.

Kemi pastaj edhe ndihmesën që i dha Pali Kishës së zanafillës: por misioni që mori nga Krishti i Ngjallur për ungjillëzimin e paganëve ka nevojë të përforcohet e të garantohet nga ata, që i dhanë atij e Barnabës dorën e djathtë, në shenjë miratimi të apostullimit të tyre, të ungjillëzimit të tyre e të pranimit të tyre në të vetmin bashkim me Kishën e Krishtit (cfr Gal 2,9). Kuptohet atëherë se shprehja “por edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrë thjesht njerëzore” (2 Kor 5,16), nuk do të thotë se jeta e Tij tokësore është pa vlerë për pjekurinë tonë në fe, përkundrazi, që nga çasti i Ngjalljes së Tij e ndryshon mënyrën e lidhjes sonë me Të. Ai është njëkohësisht Biri i Hyjit ‘pasardhës i Davidit për kah trupi, por i dëftuar Bir i Hyjit me pushtet sipas Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të vdekurve”, siç do të kujtojë Pali në fillim të Letrës drejtuar Romakëve (1, 3-4). 

Sa më shumë përpiqemi të gjejmë gjurmët e Jezusit të Nazaretit nëpër rrugët e Galilesë, aq më tepër mund të kuptojmë se Ai mori mbi vete natyrën tonë njerëzore, duke u bërë si ne në gjithçka, përveç mëkatit.  Feja jonë nuk lind nga një mit, as nga një ide, por nga takimi me të Ngjallurin, në jetën e Kishës.

15 prill 2020, 12:58