Perëndim Perëndim 

Jeta

Këto ditë, kur të gjithë meditojnë thellësisht për jetën dhe vlerën e saj, tue shfletue kryeveprat e letërsisë, u ndaluem tek një fragment, shkëputë nga “Teatri i madh i botës”, vepër e dramaturgut të famshëm spanjol Pedro Calderón de la Barca (Madrid, 17 janar 1660- Madrid, 25 maj 1681).

R. SH. - Vatikan

Jeta. Skenë me dy dyer. Mbi njenën shkruhet ‘djepi’, mbi tjetrën ‘vorri’. Njerëzit, gatue prej balte, le në mëkat, të ligësht, të lëkundun, të trembun për vdekje prej kurthash, që zhgrehen në të katër anët, dalin prej djepit, losin rolin e tyne e nisen e shkojnë për t’u zhdukë mbas derës tjetër. Prej zemrës u kullon ligështia, ndija e sosjes, e shkimbjes së jetës. Derisa fryma ua plasë dërrasën e krahnorit. Por dera e dytë u duket gjithnjë larg. E vijojnë me e luejtë rolin e tyne, si në jerm. Pa e kuptue se roli nuk ka pikë randësie. Roli s’asht jeta. Randësi ka loja besnike. Në fund të fundit, kur të gjithë e kanë thanë fjalën e tyne, në skenë del Autori. I thërret rishtas personazhet e dramës universale të jetës, për t’i vlerësue, por edhe për t’i zhvleftësue. Për t’i kthye në hyj të shkelxyeshëm në kupë të qiellës. Por edhe për t’i rrëzue  lugjesh të verbta, ku zhduket edhe hija e pamjes, që patën më të gjallë.

Jeta s’asht tjetër, veçse teater. E bota, skenë komedie, që ndërron për ças dekore e kuinta. Mbi të jemi të gjithë komediantë. Kalojmë në skenë një çast të vetëm, a një orë! Në rolin e të pasunit a të vorfnit, të princit a të skllavit, të priftit a të pendestarit. Kalojmë, pa mbërijtë me kuptue jemi zgjuet, apo andërrojmë. Po andrra, veç, mund të shohin vetëm të gjallët!

Jeta njerëzore asht komedi. Bota, teater. Njerëzit, aktorë. Zoti, autori. Asht Ai që na i cakton rolet në skenën me dy porta. Tue na lanë t’i losim lirisht, deri në rrëzim a në ringjallje. Pa na i nda sytë asnjë të imtë. Gati me na e shtri dorën.

 

11 prill 2020, 10:06