INDIA-HEALTH-VIRUS INDIA-HEALTH-VIRUS 

Dita e 50-të botërore e Tokës: Guterres (OKB), "Kërkojmë një të ardhme për njerëzit dhe planetin"

"Në këtë Ditë, sytë e të gjithëve janë të përqendruar ndaj Covidin-19, prova më sfiduese që ka bota që nga Lufta e Dytë Botërore. Duhet të punojmë së bashku për të shpëtuar jetët e njerëzve, për të lehtësuar vuajtjen dhe për të reduktuar pasojat shkatërrimtare ekonomike e sociale. Ndikimi i koronavirusit është i menjëhershëm dhe vdekjeprurës. Por edhe një tjetër urgjencë e thellë është duke u zhvilluar : kriza mjedisore e planetit”. E kujton këtë, në videomesazh, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres

R.SH. - Vatikan

Dita e 50-të botërore e Tokës: Guterres (OKB), "Kërkojmë një të ardhme të shëndetshme e cilësore për të gjithë njerëzit dhe planetin". Gjashtë veprime mbi klimën "për të përcaktuar rimëkëmbjen dhe punën që na pret”.

"Në këtë Ditë, sytë e të gjithëve janë të përqendruar ndaj Covidin-19, prova më sfiduese që ka bota që nga Lufta e Dytë Botërore. Duhet të punojmë së bashku për t'i shpëtuar jetët e njerëzve, për të lehtësuar vuajtjen dhe për të reduktuar pasojat shkatërrimtare ekonomike e sociale. Ndikimi i koronavirusit është i menjëhershëm e vdekjeprurës. Por edhe një tjetër urgjencë e thellë është duke u zhvilluar: kriza mjedisore e planetit”. E kujton këtë, në një videomesazh, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës Nënë, e cila kremtohet më datën 22 prill.

"Biodiversiteti po bie me shpejtësi. Shkatërrimi i klimës po arrin në një pikë pa kthim”, vë në dukje Guterres, duke bërë thirrje për " të vepruar pa humbur kohë e vendosmërisht për të mbrojtur planetin tonë si nga koronavirusi, ashtu edhe nga kërcënimi ekzistencial i shkatërrimit të klimës. Kriza aktuale është një alarm i paprecedent. Rimëkëmbja duhet të kthehet në një mundësi reale për t'i bërë gjërat siç duhet, në mënyrë korrekte, për të ardhmen".

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së propozon "gjashtë nisma për klimën për të përcaktuar rimëkëmbjen dhe punën që kemi përpara, që na pret". Së pari "ndërsa shpenzojmë shuma të mëdha parash për rimëkëmbjen nga virusi, duhet të krijojmë vende të reja pune dhe veprimtari ekonomike që kalojnë nëpër një tranzicion të pastër e të gjelbër”.  Së dyti, “paratë e taksapaguesve që përdorren për të ruajtur veprimtaritë ekonomike, duhet të lidhen me arritjen e vendeve të gjelbërta të punës dhe zhvillimin e rritjen e qëndrueshme”." Së treti, “fuqia fiskale duhet të nxisë tranzicionin nga një ekonomi gri në një ekonomi të gjelbër dhe t'i bëjë shoqëritë dhe jeten e njerëzve më cilësorë “. Së katërti," fondet publike duhet të përdoren për të investuar në të ardhmen, e jo në të kaluarën, në sektorë të qëndrueshëm e në projekte që janë në favor të mjedisit e të klimës. Subvencionet e karburantit fosil duhet të përfundojnë dhe ata që ndotin duhet të fillojnë të paguajnë për ndotjen që shkakton rreziqe të pallogaritshme" për mbarë njerëzimin.  Së pesti " rreziqet e mundësitë që lidhen me klimën duhet të përfshihen në sistemet financiare si dhe në disa aspekte të politikave publike".  gjashti "duhet të punojmë së bashku si një komunitet ndërkombëtar”. “Këto gjashtë parime - përfundon Guterres - përbëjnë një udhëzues të rëndësishëm për një rimëkëmbje vërtet të mirë së bashku. Gazrat serë, ashtu si virusi, nuk ndalen në kufijtë kombëtarë. Në këtë Ditë të Tokës, ju kërkoj të bashkoheni me mua për të kërkuar një të ardhme të shëndetshme dhe cilësore për të gjithë njerëzit dhe për planetin”.

Dita Botërore e Tokës është si ditë e apelimit ndaj problemeve kryesore që lidhen me degradimin e tokës si rezultat i braktisjes dhe keqpërdorimit të saj, ndotjes nga industritë kimike, erozionit të shkaktuar nga shpyllëzimet masive, etj. Ishte 22 prilli i vitit 1970 kur, duke iu përgjigjur një apeli të senatorit amerikan Gaylord Nelson, mëse 20 milionë qytetarë amerikanë u mobilizuan duke marrë pjesë në një sërë manifestimesh në mbrojtje të mjedisit. Që atëherë, është bërë ngjarje ndërkombëtare për promovimin e mbështetjes së politikave të zhvillimit.

Kujtojmë se në Shqipëri kjo ditë filloi të kremtohet pas viteve 1990, me nismën e shoqatave të mjedisit, të cilat trajtuan dhe vazhdojnë të trajtojnë problemet kryesore të mjedisit në vendin tonë, si ndotja e ajrit, e ujit , prerja e pyjeve, etj.

21 prill 2020, 14:50