Shkolla e Athinës, Raffaello Sanzio (Muzetë e Vatikanit) Shkolla e Athinës, Raffaello Sanzio (Muzetë e Vatikanit) 

Artisti i madh i Rilindjes, Raffaello Sanzio, në 500-vjetorin e vdekjes

Ky 6 prill shënon 500-vjetorin e vdekjes së artistit dhe të arkitektit të famshëm të Rilindjes Italiane, Raffaello Sanzio, i cili ndërroi jetë kur ishte vetëm 37 vjeç. Një vështrim mbi jetën dhe veprën e Raffaello-s dhe të lidhjes së tij me trashëgiminë artistike të Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Raffaello Sanzio u lind më 6 prill 1483 në qytetin e Urbinos, në Italinë qendrore, ku i ati punonte si artist në oborrin e Dukës së vendit. Kur u largua nga Urbino, në vitin 1500, Raffaello shkoi fillimisht në Peruxhia, ku shërbeu si nxënës për 4 vite, para se të transferohej në Firence.

Piktori i ardhshëm u magjeps dhe u ndikua shumë nga veprat e artistëve të tjerë të Rilindjes si Leonardo Da Vinci dhe Michelangelo, por zhvilloi stilin e tij personal të pikturës, unik dhe tejet shprehës. Gjatë kësaj periudhe të karrierës së tij, Raffaello bëri një sërë pikturash të Zojës dhe u bë piktor i mirënjohur portretesh.

Në vitin 1508, vetëm në moshën 25-vjeçare, Raffaello shkoi në Romë, ku qëndroi për gjithë jetën. Këtu, punoi për Papën Juli II dhe pikturoi një sërë afreskesh në pallatin papnor. Raffaello ishte jo vetëm artist, por edhe poet, skicograf e arkitekt. Në vitin 1514, u emërua nga Papa Leoni X kryearkitekt i Vatikanit, pas vdekjes së një italiani tjetër të madh, Donato Bramante-s.

Në "Scuderie del Quirinale"
Në "Scuderie del Quirinale"

Në të gjithë botën, ishin planifikuar shumë ekspozita dhe kremtime për 500-vjetorin e vdekjes së Raffaello-s, por shumica janë mbyllur, anuluar ose pezulluar, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ekspozita më e madhe, që i kushtohet Raffaello-s, u hap më 5 mars në “Scuderie del Quirinale” të Romës dhe përfshin mbi 100 vepra të artistit. Fatkeqësisht, ekspozita u detyrua të mbyllë dyert vetëm katër ditë pas hapjes, kur Italia u ngujua krejtësisht në shtëpi. Gjithsesi, duke ndjekur muzetë e gjithë botës, edhe “Scuderie del Quirinale” u jep mundësinë atdashësve të shohin një pjesë të kryeveprave të Raffaelos, përmes një videoje realizuar për këtë qëllim (mund ta shihni këtu https://www.scuderiequirinale.it/pagine/raffaello-oltre-la-mostra).

Ekspozimi i sixhadeve të Raffaello-s në Kapelën Sikstine
Ekspozimi i sixhadeve të Raffaello-s në Kapelën Sikstine

Një ekspozitë për nder të Raffaello-s u mbajt para fillimit të pandemisë së koronavirusit në Muzetë e Vatikanit. Për një javë, gjatë muajit shkurt, 10 sixhade të bëra sipas skicave të Raffaello-s, u paraqitën për publikun aty, ku kishte menduar t’i vendoste artisti i madh, në Kapelën Sikstine, nën afresket e Michelangelo-s.

Porositur nga Papa Leoni X, këto sixhade madhështore pasqyrojnë ngjarje nga jeta e shenjtorëve Pjetër dhe Pal. Ato u qëndisën në Bruksel, gjatë katër viteve, duke përdorur fije mëndafshi, leshi dhe argjendi të praruar. Vetëm shtatë skica origjinale të sixhadeve të Raffaello-s i kanë mbijetuar kohës dhe ruhen në “Victoria and Albert Museum” të Londrës, ndërsa vetë sixhadet varen rregullisht në të ashtuquajturat “Dhoma të Raffaello-s” në Muzetë e Vatikanit.

Peshkimi i mrekullueshëm
Peshkimi i mrekullueshëm

Mjerisht, vetë Raffaello nuk jetoi për t’i parë të gjitha sixhadet e përfunduara. Pas një sëmundjeje të papritur, vdiq më 6 prill 1520, në ditëlindjen e tij të 37-të. Kalimi i tij në shtëpinë e Atit Qiellor u vajtua kudo me zi dhe artistit iu bë një varrim i jashtëzakonshëm në Panteonin e Romës.

Pesë shekuj pas vdekjes së tij të parakohshme, trashëgimia e Raffaello-s si një nga figurat artistike më të rëndësishme të periudhës së Rilindjes Italiane shndrit më me shkëlqim se kurrë. E nuk mund të mos i bëjë artdashësit të mendojnë ku do të kishte arritur piktori e arkitekti i madh, nëse jeta e tij nuk do të ishte shkurtuar kaq tragjikisht.

06 prill 2020, 13:46