Kërko

San Vincenzo Ferrer, Francesco del Cossa San Vincenzo Ferrer, Francesco del Cossa 

Më 5 prill kalendari kujton shën Vinçencin Ferrer, meshtar domenikan

Kur Vincenci ishte ende një teolog i ri dominikan që mësonte filozofinë dhe teologjinë në qytetin e tij Valencia, nё Spanjë, krishterimi evropian po kalonte nëpër një fazë veçanërisht dramatike të historisë së tij, njohur si "Përçarja e Madhe e Perëndimit"...

R.SH. - Vatikan

Shën Vinçenci Ferrer, meshtar domenikan, lindi në Valencia të Spanjës. Në moshën 17 vjeçare hyri në kuvendin e Etërve Dominikanë në qytetin e lindjes. Në vitin 1389, për arsye të përgatitjes së tij të jashtëzakonshme doktrinore dhe të aftësisë së rrallë për t’ua përçuar të vërtetat e fesë si njerëzve të ditur, po ashtu edhe popullit të thjeshtë, urdhri i tij rregulltar domenikan e ngarkoi me detyrën e “predikatarit të përgjithshëm”.

Kur në Koncilin Kishtar të Kostancës u zgjodh Papë Martini V, tek Vinçenci u dërguan lajmëtarët e Koncilit për t’ia njoftuar emërimin, siç bëhej me mbretërit, dhe për ta falënderuar për gjithçka që kishte bërë lidhur me ribashkimin e Kishës. Vinçenci vijoi qetësisht misionin ungjillëzues, duke arritur deri në Normandi. I mbylli ditët e jetës së tij tokësore në Vanes, më 5 prill të vitit 1519.

“Pini ujin e Shën Vinçencit”! – thuhet edhe sot e kësaj dite në Spanjë, kur është fjala për të heshtur! Kjo shprehje na kujton këshillin që i dha rregulltari dominikan një gruaje, e cila e pati pyetur shën Vinçencin se ç’duhet të bënte për të shkuar mirë me bashkëshortin. “Merre këtë shishe të vogël uji – e këshilloi shën Vinçenci – e kur yt shot të kthehet nga puna, pije një pikë uji e mundohu ta mbash në gojë sa më shumë që të jetë e mundur”.

Ishte e vetmja mënyrë për t’ia mbyllur gruas gojën, nga e cila i vinte e dilte gjithë e keqja! Kështu, duke mos mundur të përgjigje, në shtëpinë e saj u rivendos paqja e pajtim.

365 ditë me njerëz e ngjarje që ia ndryshuan faqen botës

13 maj: Vinçenc Ferrer, predikatari që të kthen në rrugën e Zotit
Ndërmjet turmës, grumbulluar para kapelëzës bretone, një noter nis të nevrikoset:
“Mjaft tani! S’kemi ardhur këtu për të qeshur! Predikimi është gjë tepër serioze!”.
“Mos u shqetëso kaq shumë miku im. Vinçenci nuk është shenjt i trishtuar. E bën popullin të qeshë, për ta mësuar më lehtë e më mirë”.
Noteri kthen kokën nga fqinji që u përgjigj…. I duket i çuditshëm. Ka një shqiptim të tillë, që e siguron se nuk është vendas.
“E kush je ti, që na e ditke ç’ dëshiron e ç’nuk dëshiron Vinçenci?”- i përgjigjet edhe më i acaruar noteri.
“Unë e njoh dhe e di ç’ndjejnë ata që shkojnë për ta dëgjuar. Që kur nisi të shtegtojë, pesëmbëdhjetë vjet më parë, e kam ndjekur hap pas hapi…”.
E kur ngjarja arrin në këtë pikë, dy burrat ia nisin një bisede të gjatë para kapelëzës. Është hera e parë që noteri dëgjon të flitet për Vinçenc Ferrerin; domenikan katalan, rreth të gjashtëdhjetave, lindur në vitin 1349. Duket se i huaji di shumë gjëra për predikatarin e famshëm.
“Kur e takova për herë të parë Vinçencin, isha i çalë e, falë lutjes së tij, u shërova. E që kur nisa të ec përsëri, e ndjeki pas kudo…”.
“Po ç’gjë të jashtëzakonshme ka ky njeri?”.
“Vinçenci është predikatar i jashtëzakonshëm. Ka përshkuar tashmë mbarë Evropën. Kudo predikon fundin e kësaj bote e lindjen e një bote të re, vërtetë të krishterë. Ka qenë këshilltar e rrëfyes i Papës Benedikti XIII, kur pati një vegim: pa Shën Françeskun e Shën Dedën, që e këshilluan të bëhej predikatar. Atëherë Vinçenci la Avinjonin e nisi shtegtimin pa fund. Gjatë këtij shtegtimi e takova, më shëroi e na bëri të gjithëve të krishterë”.
“Të gjithëve? Do me thënë jeni një grup?”.
“Po, jemi një grup hebrenjsh, që Vinçenci i ktheu me predikimet e tij. Ndoshta ju ju duket e pabesueshme, po kudo që shkon, Vinçenci predikon në gjuhën e tij amtare e, megjithatë, njerëzve që e dëgjojnë, u duket se po u flet në gjuhë të tyre. Edhe ju që jeni breton, e dëgjoni duke folur në gjuhën bretone, apo jo?”.
“Sigurisht! Pse ju jo?”.“Jo, natyrisht jo” qesh i huaji. “Unë nuk jam breton. Unë e dëgjoj Vinçencin duke folur në gjuhën time. A ju kujtohen Apostujt në kohën e Rrëshajve? Gjithë të pranishmit e merrnin vesh atë që u thuhej. Hebrenjtë e paganët e të gjitha viseve, i kuptonin fare mirë Apostujt, që u drejtoheshin për t’i kthyer në fenë e Krishtit. Edhe unë isha hebre. E një apostull i kohës sime më bindi të bëhem i krishterë, duke më folur në gjuhën time, duke iu drejtuar zemrës sime. Ky apostull është Vinçenci…” 

05 prill 2020, 17:17