San Aniceto, Basilica di san Paolo fuori le mura San Aniceto, Basilica di san Paolo fuori le mura 

Më 20 prill kalendari kishtar përkujton Shën Aniçetin, Papë

Aniçeti Papë duke ndjekur përpjekjet e Piut I pёr kremtimin e Pashkëve nё tё njёjtёn ditё me tё krishterët e Lindjes, nuk mundi ta njësojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme të re për shkak të saj. Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë, duke studiuar më shumë për t’i udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull.

R.SH. - Vatikan

Më 20 prill kalendari kishtar përkujton Shën Aniçetin, Papë. Të krishterët nuk kanë arriur akoma të merren vesh për kremtimin e Pashkëve në të njëjtën ditë. Problem që mbetet ende i pazgjidhur, ndonëse përpjekjet nisën që në vitet 140-145 nën papninë e Piut I. 

Piu I u përqoq ta zgjidhte problemin, duke caktuar si ditë feste për të gjithë, të dielën e parë pas hënës së plotë të pranverës. Por të krishterët e Lindjes vijuan ta kremtojnë solemnitetin në një datë të pandryshueshme e pikërisht më 14 të muajit hënor Nisan, kur nisën të kremtoheshin Pashkët e hebrenjve.

Papa Aniçeti eci në gjurmët e Piut I, por nuk mundi ta zgjidhte problemin e datës së përbashkët. U takua, për këtë, me ipeshkvin e Kishës lindore, Polikarpin e Smirnës. Diskutuan për një kohë të gjatë, pa u marrë vesh, por u ndanë në paqe. Madje Aniçeti e rrethoi ipeshkvin e Azisë (martir i ardhshëm) me shumë nderime e kujdese. Kështu vërtetë nuk mundi ta njësojë datën, por e shpëtoi Kishën nga rreziku i një skizme të re për shkak të saj.

Ka shumë mundësi që Aniçeti të ketë ardhur në Romë nga Siria e, duke zënë vendin e Piut I, ta ketë gjetur Kishën shumë të pështjelluar. E kjo, sepse para tij, nga Lindja kishte ardhur në Romë teologu Marçione, i mirëpritur nga bashkësia romake për bujarinë e edhe për moralin e tij të padiskutueshëm. Pikërisht ky teolog kishte përhapur një teori të re, bazuar mbi një Zot që është Ati i Jezu Krishtit, por jo Hyji i Besëlidhjes së Vjetër. Me një fjalë, fliste për dy Zota: njëri shëlbues e tjetri gjykatës. Krijoi kështu çrregullime aq të mëdha në Romë, sa Polikarpi e quajti djali i madh i Shejtanit.

Aniçeti mendonte se doktrina luftohet me doktrinë, duke studiuar më shumë për t’i udhëhequr si duhet besimtarët e sidomos, me shembull. Prandaj emëroi një numër të madh meshtarësh e diakonësh, nga të cilët kërkoi të jepnin shembull të mirë, që ta shikonin e ta ndiqnin të gjithë. I ndaloi rreptësishtë meshtarët të silleshin kot e të mbanin flokë të gjatë: të gjithë duhet t’i qethnin flokët shkurt e të punonin jo me fjalë boshe, por me vepra, për mbretërinë e Hyjit. Dha vetë i pari shembull të shkëlqyer, duke mbrojtur pastërtinë e doktrinës, pa frikë nga perskutimet, që nuk i munguan.

Jetoi 11 vjet me ankthin shpirtëror të Kishës universale, që ishte në rrezik, që duhej shpëtuar e duhej nxitur me energji për të dalluar problemet kryesore nga ato të dorës së dytë. Vdiq gjatë persekutimit, viktima të të cilit qenë edhe Shën Justini e Shën Feliçita. Trupi i tij u varros në minierën pocolane, e cila më pas u shndërrua në katakombet e Shën Kalistit.

20 prill 2020, 08:47