Kërko

Vatican News
20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg 20171229_BAV_Vat.lat.268_0006_fr_0001v_scrivere, mano, manoscritto.jpg  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Më 18 prill kalendari kishtar kujton Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut

Shën Eleuteri, martir, hyri në martiriologun Romak me atributin “ Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv i Ilirikut”, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian. Gjykimi përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij Ancia. U martirizuan më 15 dhjetor.

R.SH. - Vatikan

Më 18 prill, Kisha katolike ndërmjet shumë shenjtorësh, përkujton edhe Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut e Ancia-n, nënën e tij, shenjtorë martirë.
Aktet apo shkrimet që flasin për martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq. 173-749 , ashtu edhe ato latine (BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter legjendar.

Sipas shkrimeve greke, më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancia-s, vejushë e konsullit Eugjenio, u shugurua diakon ose meshtar e më pas edhe ipeshkëv nga një farë Aniçeti. I dërguar si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian. Gjykimi nisi me premtime e përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor.

Përkthimi latin i tekstit grek, i realizuar aty nga shekulli VIII, na tregon se Aniçeti, pasi e shuguroi Eleuterin, e çoi të kryente shërbimin ipeshkëvnor në Apuliam Aecanam civitatem, prej nga u kthye, së bashku me të ëmën, në Romë, ku edhe u mbyt më 18 prill. Gjithsesi ai hyri në martiriologun Romak me atributin “ Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv i Ilirikut” . E kjo përmes veprës së Baronios, i cili u mbështet ndër librat në gjuhën greke.

Martiri i Krishtit, Eleuteri, eponim i lirisë, lindi në Romë në shekullin e II. Shumë herët mbeti jetim nga babai, u rrit me besim nё Zotin dhe me dashuri për virtytet e shenjta nga nëna tij, Ancia, e cila e kishte marr fenё e krishterë prej dishepujve tё Palit Apostull

Pasi iu besua ipeshkvit të Romës, Aniçetit (155-156), për edukimin dhe formimin e tij, djali i përshpirtshëm tregoi cilësi të rralla e tё veçanta që i mundësuan tё ngjitej shpejt nё të gjitha shkallët e hierarkisë kishtare. U shugurua diakon në moshën 17 vjeçare,  nga Papa qe shuguruar ipeshkëv i Ilirisë (ish-Jugosllavia e dikurshme dhe pjesa e Greqisë kontinentale) në moshën 20 vjeçare.

Pavarësisht nga mosha tij e re, nё saje tё fesё sё thellë e tё zellit tё  madh, tregoi pjekuri dhe njohje tё thellë tё teologjisë, tё doktrinës sё krishterë, do tё thotё tё njohjes sё Zotit, duke arritur “njësinë e fesё e tё njohjes sё Birit tё Hyjit deri nё masën qё i përket pjekurisë sё plotë tё Krishtit” (Ef. 4: 13), e kёshtu me fjalët e tij mbërrini tё konvertonte nё fenë e krishterë një numër të madh paganësh, shoqëruar e konfirmuar edhe nga shumë mrekulli.

Fama e tij rritej e lajmi për sukseset e tij erdhi deri në veshët e perandorit i cili, i shqetësuar nga forca në rritje e Kishës, dërgoi një nga gjeneralët e tij, Feliçe-n, për të arrestuar ipeshkvin e shenjtë.

Por duke parë aspektin e ndritshëm të këtij bariu të ri shpirtëror në mesin e grigjës së vet, dhe ëmbëlsinë e mësimdhënies e tё predikimit të Ungjillin, ushtari i ashpër, braktisi krenarinë e kësaj bote, besoi në Krishtin e nё premtimin e jetës së amshuar, kërkoi tё pagëzohej dhe u prezantua  sё bashku me shenjtin, para tiranit, i padurueshëm për të gjetur përsosmërinë nëpërmjet derdhjes së gjakut të tij pёr Jezu Krishtin, Shëlbues.

I pyetur nga sovrani, Eleuteri guximtar mbeti i palëkundshëm si ndaj joshjeve, ashtu edhe ndaj kërcënimeve e, duke rrëfyer e dëshmuar Krishtin,  Zotin e vërtetë, pohoi se tortura nuk është gjë tjetër veçse vepër fëmijësh për ata që e kanë përqafuar  Kryqin dhe se vdekja për Krishtin është gëzim, kёnaqёsi e premtim i lavdisë së përjetshme. Menjëherë u hedh në një krevat bronzi inkandeshent, mbi njё krevat të zjarrtë, pastaj e vunë mbi një skarë tё ndezur dhe e mbulua me vaj të nxehtë e substanca të tjera djegëse, por shpëtoi i paprekur, si të ishte ripërtëri nga Hiri Tёnzot.
E pa humbur lirinë e fjalës, e kundërshtoi tiranin që i persekutonte besimtarët e qetё të Krishtit si "ujku i Arabisë".  Me këshillën e prefektit të qytetit, Koremone, njeriu mizor me një imagjinatë tё madhe në fushёn e torturёs, bëri gati një furrë, të pajisur me shtiza të thepëta për të hedhur atletin trim të fesё sё krishterë në të.

Por, kur Eleuteri i lartoi Zotit një lutje të zjarrtë për konvertimin e armiqve të tij, Koremoni i egër, papritmas u ndriçua nga Shpirti  Shenjt, mori mbrojtjen e Shenjtit, përqafoi e rrëfeu fenë nё Krishtin Shpëtimtar dhe hyri në zjarrin që ai vetё kishte ndezur për ipeshkvin. Me hirin e Zotit shpëtoi edhe ai prej zjarrit, por mё vonë i prenë kokën.

Shën Eleuteri, qё e përballoi zjarrin e torturës, u mbyll në një burg të errët, ku një pëllumb shkonte rregullisht për t'i sjellë ushqim. Më vonë u sulmua nga shqelmat e dy kuajve të egjër e tё tёrbuar, por u lirua nga ndërhyrja e një engjëlli e shkoi për t’u strehuar në majën e një mali afër. Eleuteri jetoi atje i vetëm, i qetë për pak kohë, në shoqërinë e kafshëve të egra të cilat, kur gjatё ditёs lutej duke iu drejtuar Hyjit me kёngё e lavde, u ndalnin, plot respekt, e sё bashku me tё merrnin pjesë, përmes heshtjes sё tyre, në këngën e falënderimit qё shenjti i drejtonte Zotit tё gjithësisë.

Zbuluar nga gjuetarët, u arrestua përsëri, ndёrsa ishte rrugës për në Romë i konvertoi rojet e tij dhe një numër tё madh paganësh, të cilёt u rilindën shpirtërisht me Pagëzimin e shenjtë para se të paraqiteshin para tiranit. Me rastin e njё feste Eleuteri u hodh para luanëve në një amfietar , por kafshët më të egra luanin tek këmbët e tij si tё ishin mica.

Së fundi Shën Eleuteri u lirua nga kjo jetë kalimtare duke e kurorëzuar  jetёn e tij me prerjen e kokёs, martirizim, pёr fenё nё Jezu Krishtin, Zot e Shpëtimtar.. Shpata e cila sapo kishte prerё kokёn e nënёs sё tij, Ancia, vrapoi drejt trupit të flijuar të djalit dhe e shtrëngoi me dashuri, duke e lavdëruar atë qё me aq trimëri e dёshmoi Zotin. Xhelatët  u hodhën mbi të, duke përzierë gjakun e saj me atë të Shën Eleuterit

18 prill 2020, 11:08