San Giovanni Paolo II con Crocifisso San Giovanni Paolo II con Crocifisso 

15-vjetori i vdekjes së Shën Gjon Palit II

Gjon Pali II “me Kryqin shtrënguar fort ndër duar, ky njeri, që nuk diti kurrë ç’është lodhja fizike as shpirtërore, mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa shtegtar, që shkeli në të katër anët e botës, posaçërisht atje ku ndjehej më shumë nevoja e pranisë së Tij. E Kryqin e shtrëngoi më fort, i bindur se ishte mbështetje e sigurtë, edhe kur mosha e sëmundja bënë punën e vet, duke ia ligështuar korpin, por kurrë shpirtin, që përgatitej të kthehej në shtëpinë e Atit qiellor”.

R.SH. - Vatikan

Një papni që i dëshmoi mbarë botës mëshirën e Krishtit të Ngjallur, e jetuar nga një Papë, që diti ta mbartë me guxim Kryqin e Mundimeve të Krishtit. Janë dy skajet e misterit të jetës së Papës Wojtila.

Me Kryqin shtrënguar fort ndër duar, ky njeri, që nuk diti kurrë ç’është lodhja fizike as shpirtërore,  mbeti në kujtesën e njerëzimit si Papa shtegtar, që shkeli në të katër anët e botës, posaçërisht atje ku ndjehej më shumë nevoja e pranisë së Tij. E Kryqin e shtrëngoi më fort, i bindur se ishte mbështetje e sigurtë, edhe kur mosha e sëmundja bënë punën e vet, duke ia ligështuar korpin, por kurrë shpirtin, që përgatitej të kthehej në shtëpinë e Atit qiellor”. Kështu e kujtoi Papa i nderit Benedikti XVI Shën Gjon Palin II, në praninë e mijëra besimtarëve, mbledhur të tërhequr, tri vjet pas vdekjes, nga dashuria për Papën Wjojtila, që mbetet po aq e freskët, si atëherë kur zëri i tij tundte Sheshin e Shën Pjetrit e  sheshet më të mëdha të planetit, pa harruar këtu edhe sheshin e vogël para Katedrales së Shkodrës, që sot mban emrin Gjon Pali II, si dhe Sheshin e madh ‘Skënderbej’  në zemër të Tiranës.

Papa Benedikti XVI  kujtoi, me dy figura të gjetura, fillimin dhe fundin e një papnie të jashtëzakonshme: e nisi homelinë me figurën e Papës së ri Wojtila, i cili pas Meshës së fillimit të papnisë larton me vrull drejt turmës Kryqin  e shkopit baritor – gati si të donte t’i ripohonte fjalët që kishte thënë pak më parë: “Hapjani portat Krishtit!” – dhe e mbylli me figurën e Papës së moçëm Wojtila, që gati-gati mbështetet tek Kryqi në të fundmen të Premte të Madhe të jetës, i ulur në Kapelën e tij private, për të ndjekur meditimet e Udhës së Kryqit pranë amfiteatrit romak Koloseut,  shkruar nga ai që, një muaj më pas, do t’i zinte vendin në krye të Kishës universale.

Kryqi e Ngjallja: për Benediktin XVI janë dy kyçet kryesore, që na shërbejnë për ta lexuar e për ta kuptuar figurën madhore të Gjon Palit II:

“Në të vërtetë, gjithë jetën e paraardhësit tim të dashur, e posaçërisht shërbimin e tij papnor, mund ta lexojmë vetëm  nën shenjën e Krishtit të ngjallur. Ai kishte besim të jashtëzakonshëm në Krishtin, me të cilin vijonte një bisedë intime, të veçantë, të pandërprerë. Ndërmjet shumë cilësive njerëzore e mbinjerëzore, kishte edhe një ndjeshmëri të posaçme shpirtërore e mistike. Mjaftonte ta shikoje kur lutej: bëhej një me Hyjin e dukej se në atë çast, gjithçka tjetër ishte krejt e huaj për të”.

02 prill 2020, 09:29