La chiesa del Monastero di Mar Elian a Qaryatayn La chiesa del Monastero di Mar Elian a Qaryatayn 

Më 1 prill kalendari përkujton Shën Ugon, ipeshkëv

Jeta e shën Ugos na kujton se çdo njeriu që beson vërtetë mund të gjejë strehim tek Zoti, sidomos në çastet më të vështira të jetës. I nderuar nga Bernardi i Chiaravalle-s, konsultohej nga princat e Savojës, i dashur nga meshtarët, Ugo nuk e ndjente veten të përshtatshëm për drejtimin e dioqezës e për këtë arsye i pati kërkuar Papës mundësinë të tërhiqej në jetën murgarë në manastirin në Grande Certosa.

R.SH. - Vatikan

Më 1 prill nga kalendari kishtar përkujtohet Shën Ugo nga Grenoble.

Shën Ugo i Grenoblës lindi në Vitin 1053 në Shatonëf-syr-Lërs e vdiq në Grenoblë, më 1 prill 1132, pas 52 vjet shërbimi ipeshkvnor në qytetin francez. Bir i një familjeje fisnike, u edukua në prehërin e një nëne thellësisht katolike, e cila e mësoi të lutej, të jepte lëmoshë, të agjëronte. Një rrugë e tillë s’kish si të mos e çonte në shërbim të elterit: 27 vjeç ishte ipeshkëv i Grenoblës, ndonëse dëshira e tij më e madhe ishte të jetonte si vetmitar.

Hoqi dorë, prandaj, nga katedra e Grenoblës e hyri murg në një bashkësi benediktine. Por ai, që e zgjodhi për shërbim ipeshkёvnor, nuk e pranoi dorëheqjen e ipeshkvit të ri, ndonëse shprehte përvujtëri të thellë.

Ishte koha kur Papa po bënte përpjekje për ta çliruar Kishën nga padija, babëzia, shthurja, shumë të përhapura. E për t’ia arritur këtij qëllimi, ishte gati të ndeshej pa frikë me të gjithë ata, që i kundërviheshin fesë e moralit të krishterë: dinjitarë laikë e kishtarë, princa e perandorë. Gregori VII do të mbetej në histori për këtë betejë sa të guximshme, aq të domosdoshme.

Prandaj Ugo mori prej tij urdhër të kthehej menjëherë në Grenoblë e të rifillonte detyrën. E Shenjti e rifilloi në përkim të plotë me Papën: spastroi, qortoi, largoi nga Kisha njerëzit e padenjë. E, mbi të gjitha, dha vetë mësim, për të mundur kështu paditurinë. Qe i përgatitur mirë për këtë detyrë të vështirë, sepse kishte studiuar në Valencë e në Reims ku, ndërmjet profesorëve, kishte pasur edhe Brunon e Këlnit, njeri i njohur për kulturë e rreptësi, që arriti ta dëbojë ipeshkvin e tij, sepse e kishte blerë katedrën me para.

Papa tani ishte krejt i kënaqur me Ugon; në dioqezën e tij reforma shkonte përpara. E ja që në Grenoblë arriti papritmas pikërisht Brunua i Këlnit me një grup shokësh. Profesori kishte në plan të themelonte një bashkësi të re, që do të bazohej mbi dy shtylla kryesore: lutje e punë! Ipeshkvi i ri u tregua i gatshëm ta ndihmojë e kështu, në shkretëtirën e Shartrëzës (frëngj. Chartreuse) lindi eremitazhi i parë i murgjërve, që u quajtën Çertozinë: një forcë e re për risimin e Kishës.

Shën Ugua vijoi t’i ndihmonte vetmitarët e njëkohësisht të kryente shërbimin e tij si ipeshkëv, nën papninë e Vitorit III, të Urbanit II, Paskualit II, Gjeloshit (Gelasio) II e Kalistit II. Kur u zgjodh papë Onori II nga Imola, Ugua i shkroi një letër, përmes së cilës kërkonte dorëheqjen për arsye se i kishte kaluar shtatëdhjetë vjetët, ishte i sëmurë e nuk i kishte më energjitë, që duheshin për të vijuar rrugën e përtëritjes së dioqezës.

Papa, duke e ditur fare mirë ç’përfaqësonte ipeshkvi për popullin e tij, iu përgjigj se i pëlqente më shumë ipeshkvi plak, sesa një i ri, sado energjik e i zellshëm të ishte. Kështu Ugua vijoi ta udhëhiqte dioqezën edhe gjatë papnisë së Onorit. E, para se të vdiste, pas 52 vjet ipeshkvnie, pa duke u ulur në katedrën e Shën Pjetrit edhe një papë tjetër: Inoçencin II

.

01 prill 2020, 09:34