1585417354351.jpg

Përqafimi i Shqipërisë për Italinë, në emergjencën e koronavirusit

30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria kanë mbërritur tashmë në veri të Italisë, për ta ndihmuar vendin fqinjë në përballimin e emergjencës shëndetësore, shkaktuar nga koronavirusi. Fjalët e kryeministrit shqiptar u vlerësuan dhe shkaktuan emocione e mirënjohje të madhe.

R.SH. - Vatikan

Pandemia e koronavirusit po e mobilizon gjithë botën në një garë për të parandaluar, trajtuar dhe kapërcyer vështirësitë e sistemit shëndetësor të të gjitha vendeve të prekura, të cilat përballen me numrin e madh të personave të infektuar e të shtruar në spital. Në këtë situatë, gjesti i Shqipërisë për Italinë ngjalli emocione. Tridhjetë mjekë dhe infermierë kanë mbërritur tashmë në Itali në mbështetje të homologëve të tyre italianë, që i kanë shpallur luftë Covid-19, sidomos në veri të vendit. Gjesti e sidomos fjalët e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili nënvizoi se Shqipëria nuk është e pasur, por nuk i harron miqtë e nuk i lë pa i ndihmuar në vështirësi, u pritën me mirënjohje nga gjithë italianët – njerëz të thjeshtë e qeveritarë. Është e mira, që kthehet ndër njerëzit, të cilët nuk e lanë në baltë popullin shqiptar edhe gjatë tërmetit të fundit, në nëntor 2019, por që vijojnë ta ndihmojnë, duke filluar nga vitet ’90. Italianët e shqiptarët janë popuj të lidhur në të mirë e të keq, si për hir të migracionit, në të dyja brigjet e Adriatikut, ashtu edhe për hir të bashkëpunimit ekonomik e politik ndërmjet dy vendeve.

Një gjest solidariteti, me vështrimin kah Evropa

          Sipas ipeshkvit të Lezhës, imzot Ottavio Vitale, që shërben prej 30 vitesh në Shqipëri, nisma e Tiranës është diçka më tepër se një gjest solidar me vendin fqinjë. Është paralajmërim për Evropën, e cila, në këtë çast vështirësie të përgjithshme, nuk arrin të gjejë një qëndrim të përbashkët për të përballuar emergjencën e koronavirusit. “Interesat e përgjithshme – nënvizon ipeshkvi – duhet të mbizotërojnë ndaj atyre lokale”.

Dëgjo intervistën në italisht me imzot Ottavio Vitalen, realizuar nga Giancarlo La Vella...
30 mars 2020, 15:06