Coronavirus in Italy - The empty centre of Rome during the Coronavirus emergency lockdown, Italy, 22 March 2020 Coronavirus in Italy - The empty centre of Rome during the Coronavirus emergency lockdown, Italy, 22 March 2020 

Përqafim pa maska!

Nuk ka rrugë tjetër. Duhet t'i përshtatemi kohës, por pa i harruar kurrë marrëdhëniet e vërteta, të përzemërta, njerëzore. Do të na mungojë gjithnjë shija e takimeve tё pazëvendësueshme me tjerët, parfumi i takimit me të gjithë; Mungon shpirti, pjesa më e mirë e njeriut, pa të cilin nuk mund të ketë jetë..

R.SH. - Vatikan

Përqafim pa  maska! (Reflektim mbi lajmet e internetit)

Mjetet e komunikimit mund tё na  rrëfejnë një mori "mrekullirash". Por asnjë nuk mund ta zëvendësojë shtrëngimin e një dorë, as  përqafimin me mikun e dashur, që nuk e ke  parë prej kohe, sepse i mbyllur në shtëpi  nga  frika e sëmundjes Covid-19.

Mungon shpirti, pjesa më e mirë e njeriut

Çka ishte me tri pёrmasa, njërën e humbi! Tani ka vetëm dy. Mungon Forca fizike e takimit! Mungon parfumi i tjetrit! Shtytja që vjen nga  zemra e të nxit të hapesh udhë të reja, drejt zemrave të reja. Mungon shpirti, pjesa më e mirë e njeriut, pa  të cilin  nuk mund të ketë  jetë.

Duhet t'i përshtatemi kohës

Prandaj le t' i lëmë  mënjanë lëvdatat e kota. Mjetet e komunikimit janë të këndshme kur transmetojnë fryte frymëzimi, jo fryte detyrimi. Thua mund të kënaqemi prej tyre këto ditë të ankthshme? Kur s'ke pulë, ha sorrë - na kujton një fjalë e urtë popullore. Nuk ka rrugë tjetër. Duhet t'i përshtatemi kohës, por pa  i harruar kurrë marrëdhëniet e vërteta, të përzemërta, njerëzore. Dorën që shtrëngon dorën e ngrohtë nën lulet e sapoçelura te pemëve. Dorën e fqinjit. A dorën që zgjatet drejt teje  për të kërkuar një euro ngushëlluese.

Do të na mungojë shija e takimit

E syrin, që ndeshet me syrin tënd e të shikon  plot me mall nga  dritarja e trenit në nisje... Trenit që sot, i zbrazur, mërzitet më keq se udhëtarët mbi shinat e akullta. Ndoshta mund të bëhemi më të mençur para mjeteve të komunikimit, që na marrin  për dore nëpër rrugët e botës  e të dijes së madhe. Po nuk do të mund ta zëvendësojnë kurrë "botën tonë të vogël". Do të na mungojë gjithnjë shija e saj  e pazëvendësueshme, parfumi i takimit me të gjithë ata, që e ndjejnë fort në këto ditë të trishta pranvere, kur udhëve endet vetëm fantazma e vdekjes, mallin për një përqafim të ngrohtë njerëzor, pa  doreza e pa maska!

22 mars 2020, 10:19