Kërko

Vatican News
Papa Clemente XI Papa Clemente XI 

Papa Klementi XI në përvjetorin e vdekjes

Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, Klementi XI u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqiptarëve si për organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës shqipe e të kulturës, duke bërë kështu hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit turk, duke pritur padurueshëm, një rreze drite.

R.SH. - Vatikan

Më 19 mars kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Papës shqiptar Klementit XI, i cili ndërroi jetë më 19 mars 1721.

Papa Klementi XI - Gjon Françesk Albani, është ai nën kujdesin e të cilit, më 14 janar 1703, në Mërçi të Lezhës u organizua Sinodi i Kishës katolike në trevat shqiptare, që hyri në historinë e Shqiptarëve si 'Kuvendi i Arbënit'.

Gjon Françesk Albani, sikur quhej në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 më Urbino të Italisë. Pas shkollimit që kreu në Romë, falë aftësive të tija, shumë shpejt ngjiti u ftua në detyra të rëndësishme: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, pra si Papës (23 nëntor 1700).

Papa Klementi XI pati një papni të vështirë, të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrechtit, të Ratsadit e të Badenit (1712-1712) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një tjetër rrezik: atë të pushtimit turk.

Papa Klementi XI dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke rritur veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.

Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, Klementi XI u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqiptarëve si për organizimin e Kuvendit Kishtar të Arbërit e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, po ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, duke bërë kështu hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit turk, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t’ia ndriçonte shtegun drejt lirisë. Vdiq më 19 mars të vitit 1721.

Njё nga lutjet e Papёs Klementi XI

O Zoti im, besoj në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty,
ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë, pendohem para Teje,
ma shto pendesën.
Të adhuroj, si fillesën e parë, të dëshiroj si qëllimin e fundit, të lavdoj, si bamirësin tim të përhershëm; të thërras në ndihmë, si mbrojtësin tim sovran.
Të lutem, më drejto me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më mbro me fuqinë tënde.
Ty t’i kushtoj, o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia, veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje, do të mendoj veç për Ty, do të flas për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do të vuaj për Ty.
Dua atë që do Ti, siç e do Ti, sepse e do Ti!
Të lutem o Zot, ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin.
Më ndihmo o Zot, të pendohem për mëkatet, të fitoj mbi tundimet, të praktikoj virtytet.
Ma mbush zemrën me dashurinë e mirësinë tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin për të afërmin, me neverinë për vesin.
Më ndihmo ta mund koprracinë me lëmoshë, zemërimin me ëmbëlsi, përtacinë me vetëmohim.
Më ndihmo të jem i pjekur në këshilla, i qëndrueshëm në rreziqe, durimtar në prova, i thjeshtë në sukses.
Bëj, o Zot, të jem i përkushtuar në lutje, i përmbajtur në të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm në vendime.
Më mëso ta kem zemrën të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse, sjelljen të rregullt.
Më ndihmo ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve të tua, të meritoj shëlbimin. Bëj që të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!

19 mars 2020, 11:57