Kërko

Vatican News
 La foto di Scanderbeg nel suo palazzo a Roma - Giorgio Castriota (Gjergj Kastrioti) - vicolo Scanderbeg La foto di Scanderbeg nel suo palazzo a Roma - Giorgio Castriota (Gjergj Kastrioti) - vicolo Scanderbeg 

Më 2 mars kujtojmë Kuvendin e Lezhës tё 2 marsit 1444

Më 2 mars 1444 në Kishës katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 2 mars, kujtojmë Kuvendin e Lezhës, ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Pra, pikërisht si sot, më 2 mars 1444 në Kishës katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.

Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.   

Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. 

Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Gjergj Kastriotin Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti  rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman.

Po t'i referohesh dokumentacionit historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë.

Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.  Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore. 

Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës, prandaj 2 marsi i vitit 1444 nuk është thjeshtë një datë, është një mesazh, aq më tepër në një realitet që priret gjithnjë më shumë ta lexojë me indiferencë historinë, të harrojë mësimet që vijnë prej saj, të jetojë vetëm për të sotmen e të mohojë të djeshmen e largët e të afërme, e aq më keq, të nesërmen, duke harruar se nuk mund të ndërtohen njëra pa tjetrën.

02 mars 2020, 09:30