Kërko

 Gjendja pas tëmetit në Shqipëri Gjendja pas tëmetit në Shqipëri 

Tërmeti në Shqipëri: në konferencën e donatorëve premtohen 1,15 miliardë euro

1,15 miliardë euro, për rindërtimin e rrënojave që la pas tërmeti në Shqipëri. Premtimi i Konferencës së donatorëve dhe mahnitja e kryeministrit Rama.

R. SH. - Vatikan

“Ndodhi një magji, që ia kaloi edhe fantazisë sime më të shfrenuar, e tani nuk di ç’të them!”: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë e rimori fjalën në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, organizuar nga Bashkimi Evropian për të mbështetur rindërtimin pas tërmetit të nëntorit të kaluar, mbajtur dje në Bruksel. Në dritën e vlerësimit të nevojave pas-fatkeqësisë(Pdna), vlerësuar nga BE-ja. OKB-ja, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare, nevojitej një miliard euro për ta ndihmuar vendin në impenjimin e vëshirë të rindërtimit. Ishte komisari për fqinjësinë dhe zgjërimin, Olivér Várhelyi, ai që, aty nga fundi i pasdites,  dha njoftimin se donacionet e premtuara nga 900 pjesëmarrësit e delegacioneve kombëtare të BE-së dhe të vendeve mike, që folën në konferencë, arrijnë në 1,15 miliardë euro. Mesazh i fortë ky, drejtuar popullit shqiptar: “Do të kujdesemi për ju!”- komentoi komisari, duke siguruar se “BE-ja do të vigjilojë që realizimi konkret të jetë sa më i shpejtë”.

Pa fjalim të përgatitur, gjë që tregon se suksesi i konferencës nuk ishte i sigurt, Rama kërkoi leje të flasë. E përfundoi me fjalë mistike. Citoi, së pari, një fragment nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve: “Nëse vuan një gjymtyrë, vuan i gjithë korpi e nëse një gjymtyrë nderohet, nderohet i gjithë korpi”. Më pas citoi edhe edhe Kuranin, që kujton se “Njerëzimi është një komb i vetëm”, e akoma, Papën Françesku, që e pagëzoi Shqipërinë me emrin “vendi i vëllazërimit”.

Tani pritet  që shumat magjike të shndërrohen në vepra.

Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë rast, fjalët e imzot Massafrës në seminarin e Karitasit italian me temë “Emergjenca dhe kriza humanitare: “Tërmeti në Shqipëri, situata libike dhe ajo ballkanike”. “Shqipëria ka nevojë për ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare, për t’i shëruar plagët e hapura nga tërmeti. Për vendin është jetik pranimi në Bashkimin Evropian. E jo vetëm për rindërtimin pas tërmetit, por për gjithë jetën demokratike në vend. Duhet të lidhemi fot me Evropën. Regjimi komunist e çnjerëzoi Shqipërinë. Udha e integrimit në BE, pas ndalesës së vitit të kaluar, duhet të shkojë përpara, sepse është përgjigjja më e mirë që i jepet shkatërrimit të lënë pas nga komunizmi. Të rinjtë tanë kanë nevojë të thithin ajrin e përtëritjes e të demokracisë, që BE-ja mund të na e japë!”. E kjo vlen shumë më tepër se “shuma magjike” e premtuar nga BE-ja.

18 shkurt 2020, 14:02