MeToo: gratë, viktima të persekutimit fetar MeToo: gratë, viktima të persekutimit fetar 

Raporti i “Dyer të hapura” për të krishterët e persekutuar, sipas gjinisë

Dy llojet më të raportuara të persekutimit të grave dhe të vajzave të krishtera, në nivel global, janë dhuna seksuale dhe martesa e detyruar. Ndërsa burrat dhe djemtë denoncojnë abuzime ekonomike në punë, si edhe burgosje e mbajtje nën mbikqyrje nga ana e qeverisë. Formë tjetër presioni është “rekrutimi në milici, ose në forca të armatosura”. Kështu njofton Raporti i veçantë 2020 mbi Persekutimin fetar sipas gjinisë, hartuar nga “Dyer të hapura” (Open Doors).

R.SH. - Vatikan

U bë i njohur sot Raporti i veçantë 2020 mbi Persekutimin fetar sipas gjinisë, hartuar nga “Dyer të hapura”, agjencia misionare e krishterë, që ndihmon të krishterët e përndjekur për shkak të fesë. Vepron në 60 vende të botës.

Persekutimi i grave të krishtera

Sipas këtij Raporti, gratë e krishtera janë dyfish më të ekspozuara: dhunohen, shiten për t’u martuar pa dëshirën e tyre, izolohen nga jeta e bëhen të padukshme për shoqërinë. “Dy llojet më të raportuara të persekutimit të grave dhe të vajzave të krishtera, në nivel global, janë dhuna seksuale dhe martesa e detyruar. Të dyja llojet – nënvizon agjencia ‘Dyer të hapura’ (Opend Doors) - u përmendën nga 84% e njerëzve të pyetur, në 50 vendet e para, ku është më e vështirë të jetosh si i krishterë”, sipas World Watch List 2020, botuar në gjysmën e janarit po nga kjo organizatë.

Dhuna seksuale dhe martesa e detyruar

Dhuna seksuale, thuhet në Raport, “i shndërron gratë e krishtera në një lloj ‘të vdekuri të pakallur’, sidomos kur janë kthyer në krishterim nga një fe tjetër, si islamizmi apo budizmi. Këto gra të reja janë fizikisht të gjalla, por mbahen të fshehura dhe të izoluara, janë të padukshme, prandaj vuajtjet e tyre shpesh nuk njihen. Përveç kësaj, mbahen larg nga bashkësia e krishterë, e pra, edhe larg Kishës dhe të ardhmes së saj”. “Kombinimi i dhunës seksuale me martesën e detyruar nxjerr në pah se, në çdo rajon të botës, kjo lloj dhune vazhdon të jetë mjeti më i zakonshëm për të ushtruar pushtet dhe kontroll mbi gratë dhe vajzat e krishtera. Është gjithashtu, edhe mjet ndëshkimi. Shpesh – shpjegohet në Raport - dhuna seksuale ushtrohet jashtë martesës, por, nganjëherë, gruaja apo vajza detyrohet të martohet me vetë dhunuesin. Kjo përdoret qëllimisht për ta çnderuar gruan apo vajzën e krishterë dhe, rrjedhimisht, edhe familjen dhe bashkësinë e saj”.

Persekutimi i burrave të krishterë

Ndërkaq, Raporti analizon edhe persekutimin kundër burrave të krishterë. Sipas studimit, 82% e burrave të intervistuar nga vendet e para të 50 shteteve të Listës Botërore 2020 të agjencisë “Dyer të hapura” - ndër të cilat Koreja e Veriut, Afganistani, Somalia, Pakistani, Libia, Irani, Jemeni e India - denoncojnë abuzime ekonomike në punë, si edhe burgosje e mbajtje nën mbikqyrje nga ana e qeverisë. Formë tjetër presioni është “rekrutimi në milici, ose në forca të armatosura”, që vë në shënjestër burra dhe djem të krishterë, “kundër vullnetit të tyre. Në 66% të vendeve, rekrutimi nga milicitë ekstreme, ose praktikat ushtarake tepër kufizuese u imponojnë të rinjve detyra dhe përvoja krejtësisht të kundërta me besimin dhe vlerat e krishtera. Kështu, ata ndjehen fajtorë dhe lidhin me vështirësi marrëdhënie, duke e zvogëluar edhe mundësinë e formimit të një bashkësie të krishterë në paqe”.

Të vetëdijësohet bashkësia e krishterë

Në Amerikën Latine – lexohet në Raport – kriminaliteti i organizuar i detyron të rinjtë t’u binden komandantëve të dhunshëm dhe hakmarrës; në Afrikën Sub-Sahariane, të rinjtë rekrutohen nga grupe xhihadiste”. Për t’i mbrojtur, agjencia “Dyer të hapura” u kërkon bashkësive të krishtera të bëhen më të vetëdijshme për problemin.

24 shkurt 2020, 13:25