Në agjendën e Këshillit të Evropës, lufta kundër racizmit, ambienti, të drejtat e njeriut
R.SH. - Vatikan
Lidhja ndërmjet mbrojtjes së ambientit dhe të drejtave të njeriut do të jetë në qendër të një konference, që ka organizuar presidenca gjeorgjiane e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. E planifikuar për 27 shkurt, në Strasburg, në të do të marrin pjesë ministra dhe përfaqësues të lartë nga 47 vendet anëtare të organizmit. Objektivi kryesor i këtij Takimi është shqyrtimi i “punës së Këshillit të Evropës në fushën e të drejtave të njeriut, lidhur me emergjencën e ruajtjes së ambientit, për të përcaktuar mjetet e veprimit e për t’i ndihmuar qeveritë evropiane ta përballojnë këtë sfidë”, shpjegojnë organizatorët.
Në kalendarin javor të Këshillit, bën pjesë edhe një seminar me rastin e Ditës Botërore të OJQ-ve, me temë “Nga e kaluara në të ardhmen: një hapësirë e gjallë qytetare për një demokraci të gjallë”, që do të mbahet më 28 shkurt, në Bruksel. Do të vlerësohen “sfidat kryesore me të cilat përballet Evropa sot në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, si edhe mënyra më e mirë e përballimit të tyre nga ana e OJQ-ve”. Më 27 shkurt, parashikohet edhe publikimi i raportit vjetor 2019 mbi veprimtarinë e Komisionit të Këshillit të Evropës kundër Racizmit (ECRI), i cili do të pasqyrojë “prirjet kryesore aktuale përsa i përket racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancës në Evropë”.