Mbrojtja nga Covid19, koronavirus Mbrojtja nga Covid19, koronavirus 

Korona virus. Kryqi i kuq: masat që duhen marrë për t’u mbrojtur

Gati 78 mijë, të prekurit nga sëmundja në botë. Shtohen rastet në Korenë e Jugut, ndërsa pakësohen në Kinë. Në Itali 44 vetë janë prekur nga virusi, dy kanë vdekur. Por për Giuseppe Ippolito, drejtor shkencor i Spallanzanit, spitalit të famshëm të Romës, “nuk duhet të alarmohemi”.

R. SH. - Vatikan

Koronavirusi Covid 19 ka shkaktuar deri tani 2.360 viktima në nivel botëror. Ky, bilanci i përditësuar nga Universiteti amerikan Hopkins.  Numri i të prekurve ka arritur në shifrën 77.662,  ndërsa e i të shëruarve, në 21.029. Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar rastet e reja të regjistruara në Evropë, në Kore e në Iran dëshmojnë se epidemia nuk është përhapur vetëm në Kinë.

Dy të vdekur në Itali, një i shëruar në spitalin Spallanzani

Ka arritur në 44, numri i pacientëve që rezultuan pozitivë në testin e Korovinarusit, në Itali. Janë njerëz, që banojnë ndërmjet Lombardisë e  Venetos. Italia është vendi që ka më shumë të prekur nga sëmundja në nivel evropian. E flitet edhe për një të vdekur: një grua me banim në Lombardi. Por nuk mungojnë as lajmet pozitive. Nga spitali Spallanzani po dalin shëndosh e mirë disa nga të shëruarit që qenë prekur nga virusi, i cili po alarmon mbarë botën! Giuseppe Ippolito, drejtor shkencor i Spallanzanit, mendon se asnjeri nuk duhet të pushtohet nga alarmizmi. Çka duhet bërë, është të merren masat e duhura për ta mundur sëmundjen!

Masat, që duhen marrë

Ka shumë rëndësi, pra, të merren të gjitha masat për t’iu kundërvënë kësaj emergjence. Sipas porosisë së prefekturës, ipeshkvi i Piaçencës, imzot Giovanni Ambrosio, vendosi që gjatë Meshëve Kungimi të jepet vetëm në dorë, jo në gojë. E akoma, u kërkoi besimtarëve ta shmangin shkëmbimin e paqes. Kujdes duart e gojën, pra. Duhen larë sa më shpesh! Kjo, një nga masat për t’u mbrojtur nga rreziku i prekjes nga sëmundja!

Edhe Kryqi i Kuq kërkon përgjegjësi të lartë nga vetë qytetarët: “Epidemia po shtegton nga vendi në vend - kujton - nuk është mbyllur vetëm në Kinë. Duhet ta luftojnë të gjithë së bashku, prandaj. Solidariteti e përgjegjësia e lartë janë themelore për të fituar mbi këtë sëmundje, që s’pyet për kufij. E hyn edhe atje ku janë të pakta mundësitë për ta mundur!".

22 shkurt 2020, 16:38