Kërko

Vatican News
Migranti: 403 persone sbarcate a Taranto dalla Ocean Viking Migranti: 403 persone sbarcate a Taranto dalla Ocean Viking  (ANSA)

Kardinali Bagnasco: nuk mund ta kthejmë kokën në tjetër anë kur shohim refugjatë të dëshpëruar

Papa Françesku ka kujtuar shpesh se “për të qenë vërtet solidarë me ata, që detyrohen të ikin nga toka e tyre, duhet punuar për të zhdukur shkaqet e këtij realiteti dramatik: nuk mjafton të kufizohemi në ndjekjen e emergjencës së çastit, por duhet të hartojmë politika me frymëmarrje të gjerë, jo të njëanshme. Para së gjithash, është e nevojshme të arrihet paqja aty ku lufta ka sjellë shkatërrim e vdekje dhe duhet penguar ky kancer të përhapet gjetiu.

R.SH. - Vatikan

Fillon sot, në Bari të Italisë, takimi mbi Mesdheun, organizuar nga Konferenca Episkopale Italiane (CEI). Tema e takimit që zhvillohet nga data 19 deri më 23 shkurt, është: "Mesdheu, kufij i paqes", organizuar nga Konferenca episkopale katolike italiane, në të cilin marrin pjesë ipeshkvijtë katolikë të 20 vendeve që janë përreth Detit Mesdhe, ndër ta edhe kryetari i Konferencës Episkopale të Shqipërisë, kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo.

Takimi i Barit është një konfrontim sinodal mbi fenë, vëllazërimin, lirinë fetare, luftërat, varfërinë e migrimin. Punimet e takimit e takimit të Barit do të mbyllet nga Papa Françesku me kremtimin e Meshës së Shenjtë dhe lutjen e Engjëllit Tënzot.

Sipas Kardinalit Bagnasko (Ccee), "nuk mund ta kthejmë kokën në tjetër anë kur shohim qindra refugjatë të dëshpëruar”

"Po, mund të bëhemi të pandjeshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve, mund të nënvlerësojmë a banalizojmë të keqen, ta kthejmë kokën në tjetrën anë kur shohim qindra refugjatë që udhëtojnë të dëshpëruar, me shpresën e një të ardhmeje të ndershme e më të mirë, drejt një vendi ku ka paqe, bashkëjetesë paqësore dhe mundësi pune. Ungjilli është i qartë e nuk mund të ndryshohet sipas modës apo leverdive: kush spekulon, për çfarëdo arsye, mbi mjerimin dhe frikën e të tjerëve, bëhet njeri i pashpirt”.

Ky qortimi i kardinalit Angelo Bagnasco, kryeipeshkëv i  Gjenova-s, i cili si President i Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee), merr pjesë në takimin mbi Mesdheun, në Bari të Italisë, organizuar nga Konferenca Episkopale Italiane. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Sir, kardinali Bagnasco flet për njerëzit e dëshpëruar që duke ikur nga mjerimi e luftërat përfundojnë në mes të detit, flet për shpëtimin e njerëzve në detin e Mesdheut dhe për portet e mbyllura. "Evropa – argumenton kardinali Bagnasco - duhet të identifikojë e ndjek një politikë të vërtetë për migracionin, pa hipokrizi e pa interesa të fshehta: çdo njeri ka dinjitet në vetvete, nuk mund të konsiderohet vetëm atëherë kur është "i përshtatshëm", i “leverdishëm” për diçka”. E shton: "Evropa nuk duhet të humbasë shpirtin e saj. Nëse Evropa e errëson fenë e krishterë, e humb vetveten. E kjo shihet qartë!”.

Sipas lajmeve e të dhënave, në Mesdhe nuk ndalet tragjedia e emigracionit të parregullt. Po cila është gjendja, në një kohë kur Evropa po i mbyll gjithnjë e më tepër dyert për emigrantët e po ua bën jetën gjithnjë e më të vështirë klandestinëve? Flet themeluesi i organizatës “Fortress Europe”, italianin Gabriele Del Grande:

Duhet të shohim krejt zonën e Mesdheut. Në Itali, numri i të ardhurve nga deti është ulur, por fenomeni nuk është bllokuar. Kalimi i Mesdheut bëhet në drejtim të Spanjës për shembull, nga Turqia drejt Greqisë e Bullgarisë për të shkuar drejt Evropës Perëndimore. Shumë vetë hyjnë në Evropë nga toka..

Është folur shpesh për të bërë dallime ndërmjet emigrantëve të mirëfilltë ekonomikë dhe atyre që kanë të drejtën e strehimit politik. Ç’mund të bëjë Evropa?

Para së gjithash, Evropa të respektojë të drejtën e strehimit dhe konventat ndërkombëtare. Duhet të kemi parasysh se, në emër të luftës kundër emigracionit klandestin, ne po i kthejmë të gjithë në Libi e vende tjera. Këta persona i kthejmë pa i identifikuar, pa parë nëse ka ndonjë refugjat ndërmjet tyre, i çojmë në burg, aty ku njerëzit mbahen për një kohë të pacaktuar. Por të mos harrojmë se për ata që kërkojnë strehim politik ka detyrime ndërkombëtare, konventa që Italia dhe vendet e tjera evropiane i kanë nënshkruar, por nuk i respektojnë.

Edhe Papa Françesku ka kujtuar shpesh se “për të qenë vërtet solidarë me ata, që detyrohen të ikin nga toka e tyre, duhet punuar për të zhdukur shkaqet e këtij realiteti dramatik: nuk mjafton të kufizohemi në ndjekjen e emergjencës së çastit, por duhet të hartojmë politika me frymëmarrje të gjerë, jo të njëanshme. Para së gjithash, është e nevojshme të arrihet paqja aty ku lufta ka sjellë shkatërrim e vdekje dhe duhet penguar ky kancer të përhapet gjetiu. Për këtë, duhet kundërshtuar vendosmërisht përhapja dhe trafiku i armëve, së bashku me komplotet e tyre, shpesh, të fshehta; duhen privuar nga çdo mbështetje ata, që bëjnë plane për urrejtje e dhunë. Ndërkaq, duhet promovuar pa u lodhur bashkëpunimi ndërmjet vendeve, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve humanitare, jo duke e izoluar, por duke e mbështetur atë, që i bën ballë emergjencës”.

“E gjithë kjo  - thekson Papa Bergoglio - mund të bëhet vetëm së bashku: së bashku mund e duhet të kërkohen zgjidhje të denja për njeriun përsa i përket çështjes së ndërlikuar të refugjatëve. E për këtë, është i nevojshëm e madje i domosdoshëm edhe kontributi i Kishave dhe i bashkësive fetare”.

19 shkurt 2020, 12:38