Kërko

Vatican News
Takimi me media në Abu Dabi Takimi me media në Abu Dabi 

Dokumenti mbi Vëllazërimin njerëzor, burim frymëzimi për njerëzimin

Në Abu Dabi, anëtarët e Komitetit të Lartë për zbatimin e Dokumentit të Vëllazërimit Njerëzor u takuan dje me shtypin dhe me princin trashëgimtar të vendit arab.

R.SH. - Vatikan

Një vit pas nënshkrimit të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, si sot më 4 shkurt 2019, anëtarët e Komitetit të Lartë për zbatimin e tij u mblodhën sërish në Abu Dabi. Dje, ata u takuan me shtypin.

Papa Françesku është shembull

 I pari, që e mori fjalën, ishte gjykatësi Mohamed Abdel Salam, ish-këshilltar i Imamit të madh të Al-Azharit dhe sekretar i Komitetit të Lartë, i cili theksoi se Dokumenti për Vëllazërimin Njerëzor është “burim frymëzimi për mbarë njerëzimin”. “Vetë Komiteti i Lartë - vërejti ai - është i pavarur, megjithëse formimi i tij u mbështet nga Papa Françesku, nga Imami i Madh dhe nga Shehu i Abu Dabit, Mohamed Bin Zayed”. “Arritja e vëllazërimit njerëzor ka nevojë për mbështetjen e udhëheqësve fetarë, si edhe të mediave”, theksoi ai, ndërsa përmendi një ngjarje të kohëve të fundit, me protagonist Papën Françesku, i cili duke pritur familje refugjatësh jo katolikë, dha shembullin konkret për mënyrën e zbatimit të Dokumentit.

Vëllazërimi njerëzor dhe vullneti i Zotit

Imzot Yoannis Gaid, që foli për palën katolike, theksoi rolin e të rinjve në arritjen e objektivave të Dokumentit për Vëllazërimin Njerëzor, i cili “i ka rrënjët në vullnetin e Zotit... Është Zoti, që e bashkon gjithë njerëzimin në një familje të vetme. Prandaj, anëtarët e të gjitha feve janë vëllezër dhe motra. E kështu janë sidomos të rinjtë - nënvizoi ai – që mund t’u kushtohen plotësisht idealeve të Dokumentit”.

Bota është si një fshat i vogël

 Prof. Mohamed Hussein El-Mahrassawy, president i Universitetit Al-Azhar, kujtoi se nënshkruesit e Dokumentit janë nga Evropa dhe nga Afrika e më pas, janë shtuar edhe ata nga Azia. Me mundësitë e sotme për lëvizje, “bota – nënvizoi ai – është kthyer në një fshat të vogël”, të cilit Deklarata e Abu Dabit i jep mënyrat për të bashkëjetuar paqësisht. Në Universitetin e Al-Azharit, tashmë ka kurse për shqyrtimin e Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor dhe do të ndërmerren edhe nisma të tjera për të promovuar vlerat, që ai përmban.

Dokument etik themelor

Në këtë drejtim, edhe fjala e ish-drejtoreshës së përgjithshme të Unesco-s, Irina Bokova, e cila theksoi se Deklarata është dokument etik themelor për kohën tonë. Ndërsa, rabini i nderit i Kongregatës hebraike të Uashingtonit, Bruse Lustig, nënvizoi harmonizimin e Dokumentit me të gjitha fetë e botës. “Ne jemi një familje, jetojmë në një shtëpi - tha ai. - Prandaj, secili duhet të ketë respekt për dinjitetin e tjetrit e të jetë përgjegjës për të. Dokumenti na bën thirrje të gjithëve të kalojmë nga përdorimi i fjalës ‘unë’ tek përdorimi i fjalës ‘ne’. Me 70 milion refugjatë në botë, është mirë të kujtojmë se tani jemi të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin”.

Vizita tek princi trashëgimtar i Abu Dabit

Dje pasdite, Komiteti i Lartë shkoi për vizitë tek princi trashëgimtar i Abu Dabit, shehu Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e informoi për nismat e ndërmarra. Shehu siguroi gjithë mbështetjen e tij për punën e Komitetit, duke vënë në dukje sidomos kontributin, që po jep për brezat e ardhshëm.

04 shkurt 2020, 15:08