Kërko

Fëmijë sirianë Fëmijë sirianë 

415 milion fëmijë jetojnë në zona lufte. Dhuna, në rritje

“Save the Children” paraqet një raport të ri mbi dhunën kundër fëmijëve në zonat e konfliktit. Fëmijët pësojnë dhunë dhe shfrytëzim në shumë vende të Afrikës dhe të Azisë. 12 milion vajza detyrohen të martohen para kohe.

R.SH. - Vatikan

Vriten e gjymtohen, rekrutohen dhe detyrohen të luftojnë, rrëmbehen, abuzohen seksualisht, ose detyrohen të martohen para kohe. Çdo vit, ky është fati i dhjetëra mijëra fëmijëve, që jetojnë në zonat e konfliktit. Kjo dhunë e vazhdueshme paraqitet në raportin e ri të organizatës ndërkombëtare “Save the Children” (Shpëtoni fëmijët), botuar sot, me titull “Ndal luftës kundër fëmijëve”. Në studim vihet në dukje se, që nga viti 2010, dhuna kundër fëmijëve është rritur me 170%, duke prekur 415 milion vetë në gjithë botën. Janë të mitur, që jetojnë në zona konflikti, ndër të cilët, 149 milion, në zona lufte me intensitet të lartë dhune.

Vendet më në rrezik

         Numri më i madh i fëmijëve, që jetojnë në zonat e konfliktit, është në Afrikë (170 milion), ndërsa dendësia më e lartë është regjistruar në Lindjen e Mesme (një e treta e fëmijëve). Afganistani, Iraku, Mali, Nigeria, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Somalia, Sudani i Jugut, Siria dhe Jemeni mbeten dhjetë vendet me numrin më të madh të shkeljeve serioze të të drejtave të fëmijëve. Konflikti po ashpërsohet edhe për fëmijët, që jetojnë në Afganistan, Somali dhe Nigeri. Fatkeqësisht, në këto vende regjistrohet numri më i madh i vrasjeve dhe i gjymtimeve, i dhunës seksuale, i rekrutimit dhe i përdorimit të fëmijëve nga forcat e grupet e armatosura.

Vetëm në vitin 2018, janë vrarë 12 mijë fëmijë

         Të paktën 12.125 fëmijë janë vrarë, ose plagosur, vetëm gjatë vitit 2018, një rritje me 13%, në krahasim me numrin e raportuar një vit më parë. Afganistani është vendi më i rrezikshëm. Numri i sulmeve kundër shkollave dhe spitaleve ka arritur në 1.892, një rritje prej 32% krahasuar me një vit më parë. Ndërmjet viteve 2005 dhe fundit të 2018-ës, janë verifikuar 20.000 raste dhune seksuale kundër të miturve. Ky numër besohet të jetë vetëm maja e ajsbergut, pasi dhuna seksuale nënvlerësohet jashtëzakonisht, për shkak të barrierave shoqërore dhe turpit, pavarësisht se shpesh përdoret si taktikë lufte.

Vajzat janë më të ekspozuara ndaj dhunës seksuale

         Raporti u paraqit në prag të Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë në Monako, e cila zyrtarisht fillon nesër. Liderët botërorë do të takohen për të diskutuar çështje ndërkombëtare mbi sigurinë. Në raport, i kushtohet vëmendje e veçantë ndryshimit ndërmjet ndikimit që ka dhuna tek djemtë e tek vajzat. Meshkujt kanë probabilitet më të madh të vriten, ose të gjymtohen, të rrëmbehen e të rekrutohen, ndërsa vajzat i nënshtrohen dhunimit seksual dhe martesave të parakohshme.

12 milion martesa të detyruara

         Nga të gjitha rastet e verifikuara të vrasjeve e gjymtimeve, 44% janë djem e 17% vajza. Organizata humanitare “Save the Children” vëren se liria më e madhe, që gëzojnë meshkujt në disa shoqëri, i vë ata më shumë në rrezik për t’u vrarë ose për t’u gjymtuar nga shpërthimi i minave, ose nga snajperët, që i konsiderojnë të rrezikshëm. Ndërsa vajzat, vijon raporti, pësojnë dhunë seksuale, shfrytëzim dhe martesa të detyruara, para kohe. Nuk është rastësi që 87% e të gjitha rasteve të konfirmuara të dhunës seksuale kanë të bëjnë me vajzat, ndërsa vetëm 1,5%, me djemtë. Në 11% të rasteve, gjinia nuk është regjistruar. Rreth 12 milion vajza detyrohen të martohen para kohe. Ndërsa, nga më se 2.500 fëmijë të rrëmbyer, 80% janë djem, të cilët, pothuajse gjithnjë, detyrohen të bashkohen me grupet e armatosura.

14 shkurt 2020, 14:23