Kërko

San Policarpo San Policarpo 

Më 23 shkurt kalendari kujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir

Shën Polikarpi, ipeshkëv e martir, njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe apostuj të tjerët që e kishin parë Zotërinë Jezus. Paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë. Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas e publikisht, diti ta mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm fenë e vet në Krishtin.

Më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin e Izmirit, ipeshkëv e martir, nxënës i Shën Gjonit Apostull.

Polikarpi, pra, njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe të tjerët apostuj që e kishin parë Zotin Jezus. Prandaj na paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar filipianëve e maqedonëve të krishterë. Polikarpi jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak dhe i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas e publikisht, diti ta mbrojë dhe kumtojë me një guxim të jashtëzakonshëm fenë e vet në Krishtin. 

Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën e 23 shkurtit të vitit 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, agjiografike e liturgjike. I zvarritur para Prokonsullit Stacio Kuadratit- rrëfehet në dokument – Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin, por ai u përgjigj me këto fjalë duke tundur kokën:

“Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit tim që më shëlboi?

- A e di se mund të të djeg përsëgjalli? – i tha Prokonsulli.

- Zjarri me të cilin më kërcënoni – përgjigji Shën Polikarpi – të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikë n zjarrit të amshuar të dënimit!”

E ndërsa digjej i gjallë në mesin e amfiteatrit të Smirnës (Izmirit të sotëmnë Turqi)), Polikarpi i lartonte Zotit një uratë të shkurtër, por nga zemra: “O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithëpushtetshëm – e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!”.

E sakaq, trupi i pjekur nga zjarri u shndërrua në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti i përmendur- vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar dëshmie për Krishtin e Gjallë.

U shpëtuat falas

(Nga Letra e Shën Polikarpit martir drejtuar Filipianëve)

Polikarpi e priftërinjtë që janë me të, Kishës së Hyjit, që banon si shtegtare në qytetin Filipi: mëshira dhe paqja e Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe e Jezu Krishtit shpëtimtarit tonë u dikofshin begatisht mbi ju!

Marr pjesë plotësisht në gëzimin tuaj në Zotin tonë Jezu Krishtin, sepse keni zbatuar dashurinë më të vërtetë. Keni ndihmuar në udhën e tyre shenjtërit e lidhur me vargonj, me vargonjtë që janë byzylykë e margaritarë të mirëfilltë për ata që u zgjodhën nga Hyji e nga Zoti ynë. Gëzohem, sepse rrënja e fortë e fesë suaj, që u kumtua para jush që në fillim, qëndron deri më sot dhe mbart fryte në Jezu Krishtin Zotin tonë. Ai, për mëkatet tona pranoi të shkojë deri në vdekje, por “Hyji e ringjalli, duke e zgjidhur nga ankthi i vdekjes” (Vap 2,24) e ju besoni në të, pa e parë, me gëzim të madh e të lavdishëm, gëzim që shumë vetë e dëshirojnë. Ju e dini mirë se u shpëtuat falë hirit, jo falë veprave tuaja, por për vullnet të Hyjit, me anë të Jezu Krishtit (Ef 2,8-9).

“Prandaj, pasi të jeni përgatitur me mend për të vepruar”, (1Pj 1,13), “shërbejini Hyjit me frikë” (Ps 2,11) e me vërtetësi, duke i lënë mënjanë thashethemet e kota dhe gabimet trashanike dhe “duke besuar në atë që e ngjalli Zotin tonë Krishtin nga të vdekurit dhe i dha lavdi” (1Pj1,21), sepse e uli në të djathtën e vet. Atij i nënshtrohen të gjitha gjërat në qiell e në tokë, atij i bindet cdo qenie e gjallë. Ai do të vijë për t’i gjykuar të gjallët e të vdekurit e Hyji do t’u kërkojë llogari për gjakun e tij atyre që nuk besuan në të.

Ai që e ringjalli nga të vdekurit, do të na ringjallë edhe ne, nëse do të kryejmë vullnetin e tij, nëse do të jetojmë sipas urdhërimeve të tij e nëse do të duam çfarë deshi ai, duke e larguar çdo padrejtësi, mashtrim, shpifje, dëshmi të rreme, “duke mos e kthyer të keqen me të keqe, as dëmin me dëm” (1 Pj 3,9), goditjen me goditje, mallkimin me mallkim, por duke mbajtur parasysh mësimin e Zotit, i cili tha: Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni; falni e do t’u falet; jini të mëshirshëm e do të gjeni mëshirë; me atë masë me të cilën do të matni, do t’u matet edhe juve (khs Mt 7,1) dhe: lum të varfërit e të përndjekurit për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve (khs Mt 5,3.10).

23 shkurt 2020, 09:14