Kërko

Hashtagu i 100-vjetorit të Tiranës Hashtagu i 100-vjetorit të Tiranës 

100-vjetori i shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë

Tirana kishte karakteristikat, që Sami Frashëri i përshkruante për një kryeqytet të mundshëm, në veprën e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”: “Mezi i Shqipërisë, domethënë kryeqytet i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët flitet gjuha shqip… në një vend të shëndetëm e të bukur, me udhë të gjera e të drejta me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë”.

R.SH. - Vatikan

Do të vijojnë gjatë gjithë këtij viti kremtimet për 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqytet i Shqipërisë, por data më e rëndësishme, që shënon fillimin e funksionimit të saj si kryeqytet ishte, pa dyshim, 11 shkurti. Si të martën e javës së kaluar, 100 vjet më parë, Këshilli i Lartë dhe qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës hynin në atë, që ishte caktuar tashmë kryeqytet i ri i Shqipërisë.

Diskutime se cili duhej të ishte kryeqyteti i vendit pati shumë. Pretendime kishte për shembull, Vlora - por ajo ndodhej nën kontrollin italian – ose edhe Shkodra, por ajo ndodhej nën sulmin e vazhdueshëm të malazezëve e të trupave ushtarake të Beogradit. Edhe Elbasani, pavarësisht se në qendër të Shqipërisë, ishte nën ndikimin e Shefqet Vërlacit, i cili nuk e shihte me sy të mirë Kongresin e Lushnjës. Tirana kishte karakteristikat, që Sami Frashëri i përshkruante për një kryeqytet të mundshëm, në veprën e tij “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”: “Mezi i Shqipërisë, domethënë kryeqytet i përgjithshëm, do të jetë një nga qytetet, që ndodhenë në mest të Shqipërisë, e në të cilët flitet gjuha shqip… në një vend të shëndetëm e të bukur, me udhë të gjera e të drejta me shtëpi të mira, me sheshe e me gjithë ç’duhetë”.

Shpallja e Tiranës kryeqytet u bë në një kohë tepër të turbullt për Shqipërinë e për pavarësinë e trevave shqiptare. Marrëveshja e fshehtë e Londrës (1915) i jepte Italisë Shqipërinë e Mesme, Greqisë, atë të Jugut e Jugosllavisë, Shqipërinë e Veriut. Më 1919, Italia e Greqia kishin nënshkruar Marrëveshjen Titoni-Venizellos, me të cilën i njihnin njëra-tjetrës territoret e shqyera nga trungu shqiptar. Pranë Tiranës, vepronte akoma qeveria e Durrësit, e mbrojtur nga italianët, ndërsa në Paris, shqiptarët përfaqësoheshin nga një sërë delegacionesh, që pretendonin të ishin – secili – zyrtar.

Nuk qe e lehtë për patriotët e Kongresit të Lushnjës të vendoseshin në Tiranë e të fillonin organizimin dhe administrimin e vendit, por, pa dyshim, kjo qe vendimtare për të përcaktuar delegacionin në Konferencën e Parisit, që do të vendoste kufijtë e Shqipërisë e për të gjitha ngjarjet e ardhshme. Natyrisht, qe vendimtare edhe që Tirana të mbetej kryeqyteti i vendit.

Më 11 shkurtin e javës së kaluar, Tirana e kremtoi festën e saj me një koncert madhështor në Sheshin Nënë Tereza, ku morën pjesë bandat muzikore të qytetit, ansambli “Tirana” dhe emrat më në zë të këngës popullore. Gjithashtu pamje me elementet tradicionale e historike të Tiranës u projektuan në fasadën e Universitetit Politeknik, duke vënë në dukje edhe faktin se Tirana është shpallur kryeqyteti i të rinjve për vitin 2022. Kremtimet për këtë 100-vjetor do të vijojnë gjatë gjithë vitit e mund të ndiqen përmes faqes së internetit të Bashkisë e të shoqatave të ndryshme tiranase.

16 shkurt 2020, 09:48