Kërko

Vatican News
Santa Scolastica, Sacro Speco di Subiaco, XIII sec. Santa Scolastica, Sacro Speco di Subiaco, XIII sec. 

Më 10 shkurt kalendari përkujton Shën Skolastikën, virgjër

Shën Skolastika, virgjër, motra e Shën Benediktit, virgjër e urtë, vuri dashurinë e krishterë e kundrimin e Fjalës së Zotit mbi institucionet njerëzore, gjë që e shprehu edhe në bisedën e fundit me të vëllain, shën Benediktin, kur theksoi se “me lutje mundi të bënte më shumë, sepse kështu deshi më shumë”.

R.SH. - Vatikan

Më 10 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Skolastikën, virgjër, motrën e Shën Benediktit.

Lindur në Norcia të Italisë rreth vitit 480 - e vdekur në Piumarola më 10 shkurt 547, qe motra e Shën Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje, shkruar në "Librin e Dialogeve" të Shën Gregorit të Madh. Dihet me siguri se pak vjet para e të vdiste, banonte pranë Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastririn e famshëm, që edhe sot e kësaj dite sundon mbi kodrën me të njëjtin emër.

Së bashku me një grup vajzash, vendosi të ndiqte gjurmët e të vëllait, për t'i shërbyer Zotit jo duke u larguar e duke u fshehur nga bota, por duke jetuar në bashkësi të mirorganizuar e duke e kaluar kohën me lutje, punë e studim. Kështu me Shën Skolastikën lindte monakizmi femëror perëndimor.

Gjithsej ajo jetoi e vdiq nën hijen e vëllait të saj të madh, madje edhe u varros në të njëjtin varr me Shën Benediktin. Shumë shpejt për nder të saj u ngritën kisha e kapela, ndërsa tradita popullore e njohu si ndërmjetëse të njerëzve që rrezikohen nga rrufetë ose që kërkojnë të bjerë shi.
Faqja më e bukur e jetës së saj, është ajo e takimit me Benediktin, që ruhet kështu në kujtesën e përshpirtërisë popullore: “Skolastika shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore.

Do të takohet me vëllain binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit. Benedikti zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në një shtëpizë në gjysmë të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës së tyre.

Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine.

“Dita do të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha viteve. Dy binjakët takohen, merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit. Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur. Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”. Benedikti tund kokën. Dëshiron të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen. Benediktit i duhet ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën, filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë natën. Tri ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës. Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur. 

Shumë artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë të vëllait me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën e pëllumbit.

10 shkurt 2020, 11:28