Kërko

 Sulmi në Aeroportin e Irakut Sulmi në Aeroportin e Irakut  (ANSA)

Vrasja e gjeneralit Soleimani: Irani, në zi, kërkon hakmarrje

Një rrezik i ri duket në horizontin ndërkombëtar, të nesërmen e sulmit, me urdhër të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, kundër gjeneralit, burrit më të fortë të ayatollahëve, Qassem Soleimani dhe krahut të tij të djathtë, në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit.

R. SH.- Vatikan

SHBA-të i ftojnë shtetasit e tyre të largohen nga Iraku, ndërsa Irani  kërkon të marrë hak kundër amerikanëve dhe izraelitëve për sulmin, që e cilëson terrorist e Iraku mbledh parlamentin dhe e quan ngjarjen agresion, që do të ketë si pasojë luftën në vend: këto tonet, që flasin për krizë ndërkombëtare, pas sulmit me pasojë vrasjen e Qassem Soleimanit. Gjatë  dyzet vjetëve të fundit, sipas analistëve, ky është episodi më i rëndë  ndërmjet SHBA-ve  e regjimit iranian; sulm i  qartë, i drejtpëdrejtë.

Në aeroportin ndërkombëtar, rreth mesnatës, me një aksion të përnjëhershëm tokë-ajër, u godit Iun, karvani i Forcave të mobilizimit popullor irakian, që po shoqëronte në aeroport një delegacion të Rojeve të Revolucionit të Teheranit, me liderin e tyre, gjeneralin gjashtëdhjetë e dy vjeçar, Abu Mahdi Al-Muhandis i cili, më 30 dhjetor, e nxiti turmën për të sulmuar ambasadën amerikane në Bagdad. Vdiqën 8 vetë.

Soleimani, pikë referimi për veprimtaritë ushtarake të Teheranit në Lindjen e Mesme, ndërmjet tjerash pati udhëhequr fazën e dytë të kryengritjes anti-amerikane në Irak. Në të kaluarën, pati armatosur hezbollahët libanezë kundër Izraelit dhe ishte përkrah Damaskut kundër rebelëve. Shpesh i konsideruar truri i atentateve kundër izraelitëve dhe amerikanëve, më se një herë  pati shpëtuar nga kapja.

Pentagoni njoftoi se sulmi u organizua me urdhër  të drejtpërdrejtë nga presidenti Trump, sepse Soleimani “po përgatiste sulme kundër diplomatëve amerikanë dhe personelit me shërbim  në Irak dhe në zonën përreth”. Gjeneral Soleimani dhe forcat e tij Quds - pohon Pentagoni - “janë përgjegjës për vdekjen e qindra amerikanëve e për plagosjen e mijëra të tjerëve”, e gjenerali iranian  njihej si truri i sulmeve të kohëve të fundit  kundër ambasadës amerikane në Bagdad. Ngjarja tregon se “SHBA-të e quajnë të nevojshme t’i mbrojnë njerëzit dhe interesat e tyre në botë”.
Presidenti Trump, nga ana e tij, u kufizua me komunikimin në mediat,  duke twittuar një foto me flamurin amerikan, përpara se lajmet të përhapeshin nga Ministria e Mbrojtjes. Nuk është e qartë nëse presidenti   e kishte njoftuar apo jo Kongresin për këtë sulm, në situatën e tensionit lidhur me impeachment.

“Trump hodhi dinamit në një depo baruti”, ishte një nga komentet e para  të kandidatit demokrat për në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden.

03 janar 2020, 12:04