Kërko

ITALY-VATICAN-SSUDAN-POLITICS-DIPLOMACY-CONFLICT-PEACE ITALY-VATICAN-SSUDAN-POLITICS-DIPLOMACY-CONFLICT-PEACE  (AFP or licensors)

Sudani Jugut: Deklarata e Romës për t'u dhënë fund armiqësive

U paraqit dokumenti, nënshkruar dje pranuar pranë komunitetit Shën Egjidit në Romë, me të cilin qeveria dhe Aleanca e lëvizjeve të opozitës së Sudanit Jugor (Ssoma) kanë shprehur angazhimin e tyre për ndërprerjen e armiqësive duke u nisur nga data 15 janar.

R.SH. - Vatikan

Gjesti i fortë i Papës Françesku, i cili u gjunjëzua përpara udhëheqësve të Sudanit të Jugut, me rastin e takimit shpirtëror të  autoriteteve civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut, që u mbajt më 11 prill e vitit të kaluar, në Vatikan, në fund të një tërheqjeje shpirtërore, duke u puthur këmbët e tyre dhe duke i lutur që t'u japin fund përleshjeve, ka qenë një inkurajim i fuqishëm për të arritur deri te marrëveshja për fundin e armiqësive, nënshkruar pardje dhe paraqitur dje në Romë pranë Komunitetin të Shën Egjidit.

Gjesti i përkuljes së Papës Françesku për t’u puthur këmbët presidentit dhe zv.presidentit të Sudanit të Jugut, në përfundim të dy ditëve të Takimit të tyre shpirtëror, në Vatikan, më 11 prill 2019,  do të mbetet në histori. Ati i Shenjtë Bergolgio dëshmoi, kështu, se vetëm përvujtëria mund t’i davaritë retë e mosmarrëveshjes, shkaktare e konfliktit 3-vjeçar në Sudanin e Jugut, që ka fituar pavarësinë më 2011. Me Deklaratën që u jep fund ndeshjeve në vend, qeveria dhe Aleanca e lëvizjeve të opozitës së Sudanit të Jugut (Ssoma), - që mbledh të gjitha lëvizjet e opozitës që nuk e kanë pranuar marrëveshjen e paqes  së Adis Abebës, - shprehën angazhimin e tyre në favor të ndërprerjes së armiqësive duke u nisur nga data 15 janar.

 Puna dy-vjeçare për paqe

"Deklarata e Romës për procesin e paqes në Sudanin e Jugut, - shpjegoi sekretari i përgjithshëm i Komunitetit të Shën Egjidit, Paolo Impagliazzo, në konferencën për shtyp të prezantimit të dokumentit, - është e një rëndësie të madhe, sepse është rezultat i punës intensive që zgjati më shumë se dy vjet, dhe fryt i angazhimit të Komunitetit Shën Egjidit për të lehtësuar dialogun politik në Sudanin e Jugut. Marrëveshja e paqes do të thotë një rilindje për këtë vend dhe ofron mundësinë e një dialogu politik ndërmjet palëve të ndryshme rreth një tryeze pa diskutime. Papa Françesku me gjestin e tij i ka prekur në zemër të gjithë, duke i nxitur seriozisht liderët e Sudanit të Jugut për të kërkuar një udhë e mënyrë pajtimi".

Rruga e paqes sapo ka filluar.

Nënshkruesit e Deklaratës së Romës kanë ripohuar gatishmërinë e tyre për të lejuar hyrjen e kalimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë humanitar të të gjitha organizatave lokale e ndërkombëtare, duke përfshirë organizatat jo-qeveritare, për të lehtësuar, kështu, vuajtjen e popullsisë së sprovuar fort si nga lufta e po kështu edhe nga përmbytjet e tmerrshme. "Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, - theksoi Barnaba Marial Benjamin, kreu i delegacionit të Qeverisë - prandaj ju kërkojmë të mos na braktisni, por të vazhdoni bashkëpunimin me ne”. 

Vështrimi i popullit

Kujtojmë se, më 11 prillin e vitit 2019, Papa i pati ftuar autoritetet kishtare dhe civile të Sudanit të Jugut të mendojnë për vështrimin e popullit të tyre, që kërkon drejtësi, pajtim e paqe. Shprehu afërsinë e tij shpirtërore me banorët e vendit, “sidomos me refugjatët dhe të sëmurët, me ata që kanë humbur të dashurit e shtëpitë, me familjet që janë ndarë e s’janë bashkuar ende, me fëmijët e të moshuarit, me gratë e burrat, që vuajnë tmerrësisht, për shkak të konfliktit e të dhunës, të cilat kanë mbjellë vdekje, uri, dhimbje e lot”. Papa u lut për fundin e konfliktit dhe për kthimin e paqes në vend.

 

Paqja është e mundur

 

“Paqja është e mundur”, u tha Papa liderëve të Sudanit të Jugut, nga mosmarrëveshja e të cilëve vendi është zhytur në një konflikt 3-vjeçar. Duhet, këshilloi Ati i Shenjtë Bergoglio, një “impenjim i fuqishëm i të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi”, si edhe nevojitet të hiqni dorë nga “aleatët e luftës, që janë arroganca, koprracia, etja për pushtet, interesi egoist, gënjeshtra dhe hipokrizia”.

Papa Françesku përmendi përpjekjet e bëra deri tani, si: marrëveshja e nënshkruar në shtator të vitit 2018, ose ndërhyrja e ipeshkvijve të vendit dhe e Këshillit ekumenik të Kishave për paqen. Papa i këshilloi sudanojugorët të kërkojnë “çka i bashkon, duke filluar nga përkatësia në një popull të vetëm dhe, të kapërcejnë çka i ndan. Banorët e Sudanit të Jugut janë të lodhur e të rraskapitur nga luftërat e kaluara: mbajeni mend – u pati thënë Papa autoriteteve civile dhe kishtare të Sudanit të Jugut në prillin e vitit të kaluar në Vatikan -  se me luftë gjithçka humbet! Njerëzit kanë etje për një të ardhme më të mirë, që kalon përmes pajtimit e paqes”.

14 janar 2020, 12:19