Kërko

Sergio De Simone Sergio De Simone 

Shoah, parë me sytë e një fëmije të internuar në Auschwitz

Tragjedia e të vegjëlve, viktima të eksperimenteve të doktor Mengele, në dokumenarin Kinderblock, Gënjeshtra e fundit, prodhuar nga Fondacioni “Muzeu i Shoah”, apo i shfarosjes në masë të hebrenjve, duke përfshirë edhe fëmijët e njomë.

R. SH. - Vatikan

54 minuta shtegtim dramatik, historik e gjeografik, nga Napoli, në Fiume; nga Risiera e San Sabb-ës, në Auschwitz-Birkenau e më pas, në Hamburg. Është vogëlushi Sergio De Simone, vetëm 8 vjeç, që i prin dhe e shoqëron shikuesin në historinë e tij, nëpër rrathët e ferrit, ku u luajt tragjedia e fëmijëve të Auschwitz-it. Pak të mbijetuar, sot të rritur, e ndërmjet tyre, edhe kushërirat e Sergios, Andra e Tatiana Bucci, flasin për mizoritë e pabesueshme, që u kryen para syve të tyre të mitur në kampet nazi-fashiste të përqendrimit, të cilat na kujtojnë edhe ca kampe të tjera, që i njohim më mirë e që ndokush, kohët e fundit, guxoi t’i justitifikojë! E kujtojnë edhe eksperimentet mjekësore mbi fëmijët nga ana e doktorit Josef Mengele, mjek kriminel lufte, i mbiquajtur Engjëlli i vdekjes.

Seksioni i Mengeles nisej nga binjakët

Sergji i vogël, me nënë hebreje e baba katolik, u kap një mëngjes të vitit ogurzi ’44 në Fiume e që aty, u mbyll në Auschwitz, së bashku me nënën  dhe me nëndajen. Sapo kishte arritur treni i ngarkuar me “mallin e ri”, vetë Mengele u kujdes për seleksionimin e fëmijëve, duke zgjedhur menjëherë Sergjin dhe dy kushërirat, që kujtoi se ishin binjake. Por vetëm Sergji, i vetmi italian ndërmjet 20 fëmijëve të zgjedhur, u përdor si kavie njerëzore për eksperimentet e kryera në kampin e pëqendrimit të Neuengamme, pranë Hamburgut, ku të vegjlit mbarteshin me premtimin e rremë se aty do të gjenin nënat e zhdukura pa gjurmë. Asnjë prej njomzakëve nuk i përballoi dot “eksperimentet”. U therën të gjithë, “si qengjat në kasaphanën” e BullenhuseDamm. Sergji i vogël, në dokumentar, rijeton tregimin e motrave Bucci, edhe ato me nënë hebreje e baba katolik, e atë të të vëllait, Mario, lindur pas fundit të luftës, kur nëna, e mbijetuar në Auschwitz, u rikthye në shtëpi, në Napoli.

Në ato vende ndjehet ende prania rrënqethëse e fëmijëve

“Filli i kuq është prania e Sergjit, një prani irreale, sepse ai nuk u rikthye kurrë në viset e dashura, prej nga u nis për t’u shndërruar në kavie - tregon Ruggero Gabbai, njëri nga studiuesit më të njohur italianë të Shoah.  Kampet e përqendrimit ishin aq të tmerrshme - vijon - sa edhe sot e kësaj dite  të duket se nëpër udhëzat e tyre endet shpirti i mizorisë, por edhe i fëmijëve, që lanë aty trupat e masakruar. E ndjehet dhe sot, rrënqethshëm, britma e tyre fëminore: “Kurr më!”.

26 janar 2020, 16:57