Kërko

Manifestime palestinezësh kundër planit të presidentit amerikan Trump Manifestime palestinezësh kundër planit të presidentit amerikan Trump 

Plani i presidentit Trump për Lindjen e Mesme mbështetet nga Izraeli e refuzohet nga palestinezët

Dje në Uashington, presidenti amerikan Trump paraqiti planin e tij të paqes për Lindjen e Mesme, i cili parashikon dy shtete të pavarura, Izraelin dhe Palestinën. Ai u refuzua nga palestinezët dhe nga shumë vende arabe, por pati vlerësime nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.

R.SH. - Vatikan

Ka shkaktuar një debat të fuqishëm plani i presidentit amerikan Donald Trump, i cili përpiqet të zhbllokojë çështjen e Lindjes së Mesme. Dje, ai ripropozoi “zgjidhjen dy-shtetërore” për Izraelin e Palestinën, por plani i tij i paqes konsiderohet i njëanshëm nga shumë vende. Vërtet, parashikon që Izraeli të ruajë të gjitha ngulimet e krijuara pas luftës së vitit 1967 në Cisjordani, të ketë Jeruzalemin si kryeqytet të pandashëm dhe të kontrollojë sigurinë e rajonit. Ndërkaq, palestinezët mund ta ndërtojnë shtetin e tyre në zonat, që tashmë i zotërojnë dhe mund ta vendosin kryeqytetin në lagjet e Jeruzalemit Lindor, të cilin e kontrollojnë. Nga ana tjetër, do të kenë kompensime, që do ta dyfishojnë territorin e tyre të përgjithshëm me territorin e shtetit hebraik, i cili sot ndodhet në kufi me Egjiptin.

Trump: “plan, që u lejon të gjithëve të fitojnë”

         Presidenti amerikan, i cili e paraqiti planin në Shtëpinë e Bardhë së bashku me kryeministrin izraelit Netanyahu, e quajti atë “një mundësi për të dyja palët, që u lejon të gjithëve të fitojnë”, por lideri palestinez Abu Mazen e refuzoi menjëherë. 50 miliardë dollarët e investimeve të premtuara për shtetin e ri palestinez nuk janë të mjaftueshme e palestinezët nuk janë të kënaqur as nga bllokimi i ndërtimit të vendbanimeve të reja hebraike në katër vitet e planifikuara për bisedimet, as nga fakti që plani nuk parashikon ushtri për ta, por vetëm një forcë policie, që duhet të ndalë edhe aksionet terroriste të Hamasit.

Izraeli do t’i mbajë ngulimet e veta në Cisjordani

         Sipas dokumentit 80-faqësh, i përcaktuar nga presidenti-manjat si “më i hollësishmi në histori”, Izraeli do t’i mbajë vendbanimet e ndërtuara ndër vite në Cisjordani, me Jeruzalemin si “kryeqytet të pandashëm”. Nuk do të ndryshojë administrimi i vendeve të shenjta dhe askujt nuk do t’i duhet të largohet nga shtëpia, ku jeton. Por, shteti hebraik duhet të bëjë disa lëshime territoriale, veçanërisht në zonën jugore, në kufi me Egjiptin, e kjo, sipas hartës së përcaktuar nga amerikanët, do ta dyfishojë territorin nën kontrollin e Palestinës.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë

Jeruzalemi Lindor, kryeqytet i shtetit të ri palestinez

         Mundësia që palestinezët të fitojnë me të vërtetë shtetin e tyre do të varet nga zbatimi i këtyre kushteve, të cilat do të verifikohen gjatë katër viteve të parashikuara për negociatat. Jeruzalemi Lindor, i identifikuar me disa lagje, mund të bëhet kryeqyteti i shtetit palestinez. SHBA-të angazhohen të hapin një ambasadë edhe aty. Territoret e shtetit të ri do të lidhen me rrugë, ura e tunele, megjithëse nuk do të jenë të gjitha afër nga pikpamja gjeografike. Hyrja në rrafshinën e tempujve dhe në xhaminë al-Aksa do t’u garantohet gjithë besimtarëve, por do të mbetet nën administrimin jordanez.

Dakord, edhe rivali i Netanyahu-t, Benny Gantz

         Në planin ekonomik, palestinezët do të marrin 50 miliardë dollarë ndihma, që, sipas presidentit Trump, do ta forcojnë ekonominë e tyre, do ta përgjysmojnë varfërinë, do ta dyfishojnë Prodhimin e Brendshëm Brut dhe do të krijojnë një milion vende pune. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt liderit palestinez Abu Mazen, deri tani, i përjashtuar nga negociatat, presidenti amerikan garanton: “Nëse e pranoni këtë mundësi, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera do të jenë pranë jush për t’ju ndihmuar”. Me planin e Trump është dakord edhe rivali politik i kryeministrit izraelit Netanyahu, Benny Gantz.

Presidenti palestinez, Abu Mazen, kritikon planin e Donald Trump
Presidenti palestinez, Abu Mazen, kritikon planin e Donald Trump

Abu Mazen: “Jeruzalemi nuk shitet”

         Ndërkaq, palestinezët e refuzuan planin, njoftimi i të cilit shkaktoi përleshje me izraelitët në periferi të Ramallahut. Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen, nënvizoi se “Jeruzalemi nuk është në shitje për duetin Trump-Netanyahu”. Hamasi e ka caktuar të premten si “Ditë zemërimi”, për të shprehur gjithë kundërshtimin e palestinezëve kundër planit amerikan. “Jeruzalemi do të jetë gjithmonë tokë për palestinezët”, deklaron organizata.

Qëndrimi ndërkombëtar

         Kundër planit edhe Jordania, Turqia e Irani, që e konsiderojnë propozimin e presidentit Trump si “përpjekje për aneksimin e tokave palestineze” në favor të Izraelit. Ndërsa Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti i nxisin palestinezët ta pranojnë planin si bazë për bisedime të mëtejshme. Lidhja Arabe mbajti sot qëndrim negativ, duke nënvizuar se plani i Donald Trump “dhunon një numër të madh të drejtash të ligjshme të palestinezëve, në tokat e tyre”. Nga ana e tij, Bashkimi Evropian shprehet në favor të zgjidhjes së dy shteteve. Përfaqësuesi i Lartë për punët e jashtme, Josep Borrell, nënvizoi sot se Brukseli do ta studiojë propozimin, për të kërkuar “një zgjidhje të zbatueshme, që merr parasysh aspiratat e ligjshme të palestinezëve dhe të izraelitëve, duke respektuar rezolutat e OKB-së dhe parametrat ndërkombëtarë”.

Katolikët e Tokës Shenjte: plani “Trump” është i njëanshëm

         Shprehen edhe katolikët e Tokës Shenjte. Asambleja e Ipeshkvijve Katolikë deklaroi sot se plani i presidentit amerikan është i njëanshëm dhe paraqet vetëm kërkesat e palës izraelite, prandaj, “nuk do të çojë drejt zgjidhjes, përkundrazi, do të krijojë tension më të madh e ndoshta, do të shkaktojë edhe më tepër dhunë e gjakderdhje”.

29 janar 2020, 14:04