Monumenti i Skënderbeut në sheshin Albania, Romë Monumenti i Skënderbeut në sheshin Albania, Romë 

Nesër, gjithë shqiptarët tek monumenti i Gjergj Kastriotit në Romë

Me nismën e ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Itali, të mërguarit shqiptarë do të mblidhen nesër, 17 janar, në orën 17.00, rreth monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit, në sheshin Albania, në përvjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar.

R.SH. - Vatikan

Nesër, më 17 janar, të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, kujtojnë përvjetorin e vdekjes së Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Kanë kaluar 552 vite nga ajo ditë, në të cilën heroi 63-vjeçar mbylli sytë për këtë botë e i shkaktoi një pikëllim të madh e të papërshkruar gjithë popullit, që e udhëhoqi për 25 vite me radhë kundër pushtuesve osmanë, duke i vënë fre përparimit të Perandorisë Otomane në Evropë.

Kudo ku ka shqiptarë, organizohen takime e ngjarje për të përkujtuar Heroin Kombëtar. Kështu do të ndodhë edhe në Romë, ku, me nismën e ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Itali, të mërguarit shqiptarë do të mblidhen nesër, 17 janar, në orën 17.00, rreth monumentit kushtuar Gjergj Kastriotit, në sheshin Albania. Tashmë, ky takim është bërë traditë, që përsëritet vit për vit. “Krenar për Gjergjin tonë dhe për faqen e lavdishme historike të shkruar nga Atleti i Krishtit”, shkruhet në ftesën zyrtare, me të cilën, të dyja ambasadat i ftojnë të gjithë shqiptarët të marrin pjesë në takim, duke e quajtur Kastriotasin me emrin e njohur, që i pati vënë Papa Kalisti III, “Athleta Christi e defensor fidei”.

Heroi vdiq në Lezhë dhe u varros në kishën e Shën’Kollit, po aty ku mblodhi gjithë prijësat shqiptarë për të themeluar Lidhjen e Lezhës, që u bëri ballë otomanëve, ndërsa Evropa, e kërcënuar prej tyre, e shihte me simpati Gjergj Kastriotin, por e ndihmoi pak atë. 

16 janar 2020, 18:00